Shkodër, mbahet konferenca për marrëdhëniet Turqi-Shqipëri

Në kumtesën e tij në konferencë ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, foli për evoluimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve që nga periudha e Shtetit Osman dhe deri në ditët e sotme

Konferenca me temë “Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri, nga e kaluara në të sotmen” e mbajtur në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ka mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të institucioneve të Shqipërisë, studiues, pedagogë dhe studentë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kumtesën e tij në konferencë, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, foli për evoluimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve që nga periudha e Shtetit Osman dhe deri në ditët e sotme.

“Është e mundur që marrëdhëniet tona t’i klasifikojmë në katër periudha kryesore. Sigurisht që kontaktet e para mes nesh janë në periudhën e Shtetit Osman në Ballkan. Periudha e dytë përfshin marrëdhëniet Turqi-Shqipëri pas vitit 1923, pas themelimit të Republikës së Turqisë nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Ataturk. Pastaj është periudha 40-45 vjeçare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me fillimin e luftës së Ftohtë, në periudhën kur Shqipëria sundohej nga regjimi i Enver Hoxhës dhe marrëdhëniet tona me Shqipërinë pas vitit 1991, pas shembjes së regjimit komunist dhe kalimit të Shqipërisë në demokraci”, tha Yörük.

Duke folur për rolin e shqiptarëve gjatë Shtetit Osman dhe marrëdhënieve, si dhe ndërtimit të veprave të ndryshme në Ballkan gjatë asaj periudhe, ai tha se “Gjatë kësaj periudhe më shumë se pesë shekullore, mund të them që ka pasur një institucionalizim aktiv dhe rrënjësor në fusha të ndryshme, në fushën ekonomike, politike dhe kulturore”.

“Dëshiroj të theksoj fjalët e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan i cili gjatë vizitës që bëri në Shqipëri në maj 2015 theksoi se ‘ne kemi me miliona shtetas tanë turq që janë me origjinë shqiptare, që ata po kontribuojnë për Turqinë në çdo fushë që nga politika tek tregti, që nga sporti tek arti'”, tha ambasadori turk.

Yörük theksoj se gjatë vizitës që kryeministri Edi Rama bashkë me disa ministra zhvilloi në janar në Turqi u nënshkrua marrëveshja e partneritetit strategjik të nivelit të lartë midis dy vendeve. “Sigurisht një element i rëndësishëm i marrëdhënieve tona janë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare. Aktualisht në Shqipëri ka rreth 600 kompani turke që veprojnë dhe kanë përfaqësi në Shqipëri, që janë të punësuar 15 mijë shqiptarë “, tha Yörük, duke folur edhe për ndihmat në rastet e fatkeqësive natyrore dhe mbështetjen dhe kontributin e institucioneve turke, si TIKA, Fondacioni Maarif dhe Instituti “Yunus Emre”.

– “Organizata terroriste FETO është edhe një kërcenim për Shqipërinë”

Duke folur për organizatën terroriste FETO, tentativën e saj për grusht shteti dhe ndikimin e FETO-s në Shqipëri, ambasadori turk tha se:

“Kjo tentativë falë ndërhyrjes së popullit, vullnetit të popullit dhe drejtimit të urtë të vendit tonë nga presidentit Recep Tayyip Erdoğan, sigurisht që dështoi. Por rezultatet e kësaj tentative, rezultatet e veprimtarisë së tyre i kemi parë në vende të ndryshme. Me keqardhje theksoj se elementë dhe struktura tinzare të kësaj organizate kriminale vazhdojnë veprimtarinë e tyre edhe në Shqipëri, ecin shëtisin, dalin rrugëve tepër të qetë. Ne mendojmë se kjo organizatë terroristë është edhe një kërcenim për Shqipërinë, që ne e quajmë vend mik dhe vëlla. Ne kemi bindjen se Shqipëria duhet ta pastrojë sa më parë vetën nga këto elementë terroristë të FETO-s që i kanë sjellë aq të këqija shtetit turk, popullit turk dhe gjithë Turqisë”.

– “Jemi dy popuj vëllezër që kemi lënë gjurmë në histori”

Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof.Dr. Suzana Golemi, tha se për shkak të rrethanave ballkanike, populli turk dhe Turqia mike janë aleatët më të afërt e më të natyrshëm të popullit shqiptar dhe Shqipërisë.

“Ne jemi dy popuj vëllezër që kemi luftuar së bashku dhe kemi lënë gjurmë në histori. Gjurmët e historisë sonë shekullore vërehen edhe në ditët e sotme, shumë gjurmë të përbashkëta të historisë nga veriu në jug të Shqipërisë, që shprehin qartë se marrëdhëniet Shqipëri-Turqi kanë qenë tradicionalisht të mira dhe miqësore”, tha Golemi.

Ajo shtoi se një faktor me rëndësi në marrëdhëniet shqiptaro-turke është opinioni zyrtar e publik tepër pozitiv ndaj shqiptarëve në Turqi, “për të cilin ne duhet të jemi mirënjohës.”

Drejtori i Instituti “Yunus Emre”- Shkodër, Zafer Kıyıcı, tha se marrëdhëniet vëllazërore mes Turqisë dhe Shqipërisë kanë vazhduar me shekuj. “Komunikimi dhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve ka mundësuar zhvillimin e marrëdhënieve të ndërsjella kulturore”, tha Kıyıcı.

Aktiviteti u organizua nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe Institutit “Yunus Emre”- Shkodër, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi”.