Vetëm mllefi ka kapacitetin të verbojë mendjen dhe sytë e njeriut

Nga Redi Shehu

Ashtu siç edhe pritej, vizita e fundit e Presidentit Erdogan në Tiranë, u përcoll me një vëmendje të madhe mediatike, si dhe u shoqërua me debate të shumta të cilat vazhduan edhe një javë pasi presidenti turk kishte hyrë në zyrën e tij në pallatin presidencial në Ankara. Turqia si dhe përfaqësuesit e saj politikë, gjithmonë kanë përbërë një temë të nxehtë debati në Shqipëri për shkak të një narrative të keqvendosur historike të trashëguar nga historiografia komuniste lidhur me këtë vend si dhe historinë tonë të përbashkët pesë shekullore. Ndaj çdo lëvizje politike, ekonomike si dhe kulturore në këtë drejtim nga ana e partnerit turk, ka si kundërpërgjigje po ashtu një lëvizje tashmë mediatike nga disa eksponentë të cilët pretendojnë se zotërojnë të kuptuarit e opinionit publik shqiptar.

Vizita e fundit e presidentit Erdogan, ndryshe nga vizitat e mëparshme, shoqërohej nga një bagazh realizimesh të veprave publike në Shqipëri, çka e bëntë këtë vizitë më konkreten dhe më të besueshmen në raport me vizitat e mëparshme. Me plot gojë, kjo mund të quhej vizita e premtimeve të mbajura, pasi presidenti Erdogan përuroi disa vepra publike për të cilat kishte premtuar se do të realizoheshin. Në majë të të gjithë kësaj parade, qëndronte padyshim ndërtimi i 522 apartamenteve luksoze për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 si dhe lobimi për të mbledhur 1.1 miliardë euro grante dhe kredi të buta për të zbutur pasojat e tërmetit tek shqiptarët. Spitali i Fierit i ndërtuar në një kohë rekord prej 68 ditësh nga Turqia, përbënte një nga premtimet personalisht te mbajtura të presidentit Erdogan. Pa përmendur këtu ndihmën e vyer prej 1 milion vaksinash për shqiptarët, pikërisht në kohën më të vështirë kur ne kishim nevojë më shumë se kurrë dhe kur Perëndimi dhe BE kishin mbyllur kufinjte dhe bllokuar të gjitha vaksinat për të mbuluar nevojat e shteteve të tyre. Kurse në dimensionin kulturor, enti shtetëror turk Tika i cili ka kryer mbi 560 ndërtime dhe rikonstruksione në Shqipëri, ka kontribuar në ringjalljen e trashëgimisë dhe identitetit tonë kulturor, ku kulmin e saj e pati me rikonstruksionin e xhamisë së Et’hem Beut si perla e bukurisë dhe themeli i identitetit të kryeqytetit tone, Tiranës.

Pra, me gjithë këto realizime dhe me këtë bilanc pozitiv, vizita e Erdoganit në Tiranë, në mënyrë të natyrshme do të duhej të përceptohej me më pak skepticizëm se herët e tjera, dhe me më pak fobi, ngase gjuha e ngjarjeve dhe e realizimeve, tregojnë për një dashamirësi konkrete ndaj nesh dhe të ardhmes tonë. Shtuar këtu edhe faktin që Turqia është invesitori më i madh i huaj tek ne, me 3.5 miliardë dollarë, me mbi 600 kompani biznesi si dhe me mbi 15.000 të punësuar. Por, për habinë e të gjithëve, nuk ndodhi kështu. Krejt e kundërta u shpërfaq në disa mediat tona, ku eksponentë të saj u munduan të mbulojnë, të deformojnë, të zhvlerësojnë një realitet krejt të prekshëm nga të gjithë. Hipnoza mediatike, përmes kolonizimit të mendjeve të audiencës, filloi punën e saj duke transformuar thelbin e një ngjarjeje kaq të madhe drejt banales dhe mllefit ekstrem. Si gjithmonë kur bëhet fjalë për Turqinë, thirret në kauzë mesjeta dhe menjëherë frika ndaj “tjetrit” ndaj “neo-otomanit” pushtoi artikulimin mediatik në mesin e një ngjarje që ne thelb kishte krejt të kundërtën e asaj narrative, kishte bamirësinë. Ështe krejt e habitshme se si fobia, dashakeqësia dhe mllefi kanë kapacitetin të transformojnë mendjen dhe sytë e njeriut deri në atë masë sa t’i verbojnë totalisht ato.

Esenca e diskursit të disa analistëve ishte se, përderisa Erdogan ka ardhur me datën 17 Janar në ditën e vdekjes së Skëndërbeut, atëherë kjo interpretohet si poshtrim ndaj heroit tonë kombëtar. Asnjëri nga këta, nuk arrit të argumentonte se ftesa dhe data qenë caktuar nga pala shqiptare dhe jo nga ajo turke, si dhe data 17 i korrespondonte hapjes së sezonit të ri parlamentar në Shqipëri ku edhe Erdogan do të duhej të mbante fjalën e hapjes së këtij sesioni. Një deformim tjetër, i cili mundohej ta tërhiqte ngjarjen drejt banales, ishte se përderisa qeveria turke dhe Erdogan na kanë bërë gjithë këto dhurata dhe bamirësi, prapa kësaj do të duhej të kishte një interes apo një kusht të cilin ne si shqiptarë në këmbim do të duhej t’ia kthenim. Në këtë përpjekje për të gjetur kushtin, edhe pse ka që nga viti 2013 që Turqia ndihmon Shqipërinë në çdo fushë dhe papushim, establishmentet e vjetra të mediave në Shqipëri, arritën në konkluzionin se kushti ishte kërkesa që presidenti Erdogan bëri për organizatën FETO. Për hir të së vërtetës, një kërkesë e tillë ka qenë gjithmonë prezente në të gjitha takimet dhe tryezat politike gjatë gjithë kësaj periudhe, por kjo, as nuk ka penguar vëllazërinë mes dy popujve, as edhe bashkëpunimin dhe partneritetin mes dy vendeve. Po të ishte ashtu siç thonë meraklinjtë e interesave greke në Shqipëri, marrëdhëniet shqiptaro-turke nuk do të kurorëzoheshin më 6 janar 2021 në kuadrin e Këshillit të Lartë të Partneritetit Strategjik.

Meraku më i madh i gjithë këtyre, nuk kanë qenë as banesat për të dëmtuarit nga tërmeti, as spitali, as vaksinat etj, por është meraku i daljes përfudimisht të Shqipërisë nga politika e jashtme e “një rruge të vetme” dhe hapja e mundësive të bashkëpunimit me shtete dhe kombe të tjera dashamirëse. Ndryshimi politikës së jashtme të Shqipërisë, duke e diversifikuar orientimet, nuk pengon asesi proçeset e integrimit evropian, as edhe nuk i relativizon ato, por i jep mundësi Shqipërisë të ndërtojë marrëdhënie solide me të tjerët, dhe mbi të gjitha marrëdhënie solide me të ardhmen e saj. Prandaj në thelb, gjithë artikulimi mediatik që kundërshton vizitën dhe çdo gjë që ajo përfaqëson, nuk dëmton as vendin dhe as perfaqësuesin që na viziton, por dëmton direkt marrëdhëniet tona si shqiptarë me të ardhmen tonë.

Vizita të tilla të këtyre përmasave, me të tilla produkte dhe në të tilla kohëra, kanë një të mirë sepse ato trazojnë ujrat e ndenjura të katakombeve shqiptare dhe nxjerrin në sipërfaqe llumin i cili normalisht qëndron i precpituar në fund. Në fak, kjo nuk bën gjë tjetër veçse evidenton qartë su kush është çfarë dhe cilat interesa mbron, ato shqiptare apo të tjera.