BE-ja ndërhyn në Bosnje: Nuk do të lejojmë shpërbërjen

Bosnje Hercegovina është sërish në vëmendjen e Bashkimit Europian. Ministrat e jashtëm të bllokut janë duke diskutuar mënyrat sesi të parandalohet shpërbërja e mundshme e vendit ballkanik të ndarë etnikisht, pas kërcënimeve të Republikës Srpska për shkëputjen e këtij entiteti.

“Retorika nacionaliste dhe separatiste po rritet në Bosnje-Hercegovinë dhe po rrezikon qëndrueshmërinë dhe madje tërësinë e vendit“, deklaroi kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell në Bruksel.

Ministrat, sipas tij, “duhet të marrin një vendim se si t’i ndalojnë këto dinamika në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të shmangin mundësinë që vendi të shpërbëhet”.

Situata, tha Borell, është vërtet kritike.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan për sanksione të reja kundër udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili prej vitesh ka bërë thirrje që pjesa e Bosnjës e drejtuar nga serbët të shkëputet nga pjesa tjetër e vendit dhe të bashkohet me Serbinë.

Akuzat e drejtuara ndaj tij ishin  për “veprimtari korrupsioni” që kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe të dëmtojnë marrëveshjen e Dejtonit.

Shumica e vendeve të BE-së duan gjithashtu të godasin Dodikun me sanksione, por Hungaria, Kroacia dhe Sllovenia janë kundër dhe ka të ngjarë të pengojnë çdo përpjekje për të vendosur masa kufizuese ndaj tij.