19.7 mld lekë borxhe, gjysma e tyre për investime dhe gjyqe

Detyrimet e prapambetura janë rritur gjatë vitit 2021 dhe deri në fund të shtatorit raportohen 19.7 mld lekë borxhe.

Në mes të këtij viti, qeveria ka mundur të rimbursojë vetëm TVSH-në, ndërsa rritja më e madhe është parë te ministritë në mospagesat e gjyqeve dhe investimeve publike.

Deri në fund të muajit shtator, detyrimet e prapambetura të institucioneve arritën në total rreth 19.7 miliardë lekë. Borxhet janë rritur me 1.7 mld lekë krahasuar me qershorin dhe 7 mld lekë krahasuar me nëntorin 2020.

Gjatë kësaj periudhe, rimbursimi i TVSH-së ka shënuar ulje, ndërsa ministritë dhe bashkitë kanë shtuar detyrimet.

Pjesa më e madhe e detyrimeve të prapambetura i takojnë ministrive në zërin e investimeve, me rreth 6 miliardë lekë, si dhe ato që duhet të paguhen për llogari të individëve, që kanë fituar gjyqe për largime të padrejta nga puna, rreth 3 miliardë lekë.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se nga institucionet bartëse të detyrimeve pjesa më e madhe i takon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me 6.9 miliardë me mbi 50 për qind të gjithë stokut.

Por, zinxhiri i problemeve është reflektuar edhe tek financat e bashkive në vend.  Sipas Ministrisë së Financave, në 9-mujorin e parë, borxhet e bashkive, arritën në 7.3 miliardë lekë. Kavaja, Tirana, Vora e Malësia e Madhe kryesojnë listën e borxhlinjve.

Pjesa më e madhe bashkive, nuk kanë mundur të shlyejnë në kohë këto detyrime ndaj të tretëve, ndërsa deklarojnë se një pjesë të tyre i kanë të trashëguara ndër vite.

Qeveria është angazhuar për shlyerjen në kohë të këtyre borxheve, por efektet e pandemisë dhe tërmetit kanë krijuar detyrime shtesë.

Ndërkohë, institucione të tjera si Kontrolli i Lartë i Shtetit apo Shoqatat e Bashkive raportojnë se borxhi i akumuluar është më i lartë.