2 viktima nga atentati në Kurbin! Zbulohet e kaluara e tyre

Ka shkuar në 2 numri i viktimave nga atentati që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Kurbin.

Bujar Lika, 37 vjeç, vdiq në vend nga plumbat, ndërsa njëri nga dy të plagosurit ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë disa orë pasi u transportua. Mëngjesin e sotëm u konfirmua se 53-vjeçari Paulin Gjergji nuk ka mundur që t’u rezistojë plagëve që mori nga plumbat duke ndërruar jetë pavarësisht tentativave të mjekëve.

Ndërkohë që i plagosuri tjetër Kreshnik Tusha njëri nga autorët e atentatit, ndodhet në spitalin e Traumës.

Bujar Lika dhe Paulin Gjergji që humbën jetën nga atentati kanë qenë bashkë ulur në lokal në momentin kur Kreshnik Tusha dhe një person tjetër ende i paidentifikuar qëlluan 5 herë me armë zjarri automatik.

Pse emrat e viktimave janë të njohur? Bujar Lika rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt. Për vrasjen e Nikajt fillimisht nga Shkalla e parë në 2016 u dënuan Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraci 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Lika 1 vit burg. Por në Apel, Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Lika që u vra mbrëmë morën pafajësi, ndërsa Tasho u dënua përfundimisht me 14 vite për vrasjen e Enton Nikajt dhe Erjon Biraci 2 vite.