A mund të jetë “vulgariteti” një “zotnillëk”?

Nga Evans Drishti

“….E Nushi ndigjon. Don me qenë djal i mirë. Si mos me ndigjue babën, i cili e lindi, e rriti, e bani aq. Pale mos dëgjo. Megjithëse kundra ndërgjegjes së vet, Nushi ndigjon. Nga fjalët e t’et i shtrembnohet fytyra, por me ndigjue – ndigjon. Ndigjojnë edhe vllaznit e motrat, të cilat kanë ndejun përreth dhe të gjithë janë bamë vesh. Pale mos ndigjo. Ndëgjon edhe nana në dhomë të zjarrmit fjalët e burrit të vet dhe me një frigë çuditet për ditunin e madhe të bashkëshortit. Tanë një familje, e mbyllun brënda mureve të shtëpisë dhe brënda nji ambienti patriarkal përgatiten për jetën qytetare të nesërme. “Mos të më korisin, – mendon kryetari i familjes tue i shikjue me rent të gjithë pjesëtarët e familjes….”

 

Pjesa e mësipërme është marrë nga libri “NOVELAT E QYTETIT TE VERIUT” i shkrimtarit të njohur Migjeni, që përbën edhe njërën prej kryeveprave të Letërsisë Shqiptare, veçanërisht të viteve 30’.

 

Jo shumë larg në kohë…

 

“Edhe pse si pjesëtarë qenë të shumtë, si familje, në shtëpi kaplonte heshtja, pasi qenë mësuar me një rregull dhe disiplinë të fortë, ku respekti ndaj të zotit të shtëpisë ishte i padiskutueshëm. Mysafirët qenë të shpeshtë, pasi njerëzit e farefisit respektonin gjeneratat e hershme, madje shumë njerëz të largët për nga lidhja farefisnore vinin vetëm, si e si të respektonin të moshuarin duke çuar në vend të ashtëquajturin “erz farefisnor”, në emër të nanës, të babës … Edhe atë ditë kishin ardhur njerëz të shumtë, qëndronin si të reshtuar ushtarkisht, këmbëdrejtuar, trupdrejtuar, kokëpërulur, bisedat asnjëherë nuk zhvilloheshin me “ti”, por me “ju”, ato karakterizoheshin nga një frymë serioze duke krijuar një atmosferë thuajse hermetike, fëmijët s’flisnin fare në të tilla ambiente, madje s’lejoheshin të qëndronin aty ku kishte mysafirë, pasi kultura e kohës ishte e atillë që bisedat e të rriturve s’duhet të dëgjoheshin nga fëmijët, kultura e komunikimit ishte në kulminacionin e saj, s’dëgjoheshin fraza të ashpra apo ofenduese, përkundrazi fraza joshëse dhe edukative si: “Mirë se erdhe!”, “A u lodhët?”, “Të lumshin duart!”, “Të shkoftë puna mbarë!” “U rritsh me shëndet!”, “Tu mbushtë zemra me gas!”, “Qofsh gojëëmbël e fjalëurtë!” apo “Je i hijshëm si shtatselvi.”, “Tu baftë shëndet e jetë!” …” , pasi fryma që duhej të përcillej ishte e atillë…”

“Ishte ulur në një cep të rrugës, teksa po priste një mikun e tij, ndërkohë shikimi i vajti tek një grup të rinjsh që po qëndronin për shtatë palë qejfe diku mu në mes të rrugës, pa ju prishur aspak terezia, madje pa menduar fare nëse shqetësonin ndokënd me ato kahkahatë dhe të qeshurat e tyre shurdhuese dhe që, në një farë mënyre vinin edhe si të pakuptimta. U përpoq të kuptonte, kuptohet i shtyrë edhe nga kureshtja e çastit, se ç’i bënte këta të rinj të mbyteshin në një të tillë atmosferë, në dukje argëtuese, por tejet shqetësuese dhe për më tepër edhe ofenduese. Kuptoi menjëherë se të ashtëquajturat “batuta” të tyre s’përbënin asgjë me vlerë dhe as me interes, pasi në thelb ironizonin njëri-tjetrin nisur edhe nga ca foto apo edhe video të shpërndara kuptohet ndër grupet e tyre, por më shqetësuese ishte se në pjesën më të madhe të kohës biseda dhe të folurat e tyre çalonte në një degradim të dukshëm etik për shkak të një banaliteti apo vulgariteti që s’tregonte aspak as hijeshi njerëzore as respekt ndaj tjetrit as mençuri individuale …

 

Nuk u bënte përshtypje atyre të rinjve se kalimtarët apo edhe të tjerë që qenë pozicionuar në vende të ndryshme kthenin kokën me një keqardhje të madhe, si për t’u dhënë të kuptonin se vërtet e kishin tepruar dhe se s’bënin aspak një figurë të mirë aty ku ndodheshin…

 

Nuk u bënte përshtypje atyre të rinjve se kudo që të ndodhesh ka një etikë komunikimi dhe norma të kulturës popullore, sado që në të shumtën e rasteve jodomosdoshmërisht duhet të jenë të shkruara e zeza në të bardhë…

 

Nuk u bënte përshtypje atyre të rinjve se me gjeste të atilla cënohej si pa kuptuar dhe pa dashur “dinjiteti” i një mbiemri që bartin, që në hapin e parë kur vijnë në këtë jetë, se përpjekja e familjeve ashtu siç ka qenë ashtu edhe mbetet dhe do jetë e madhe në çuarjen më tej të vlerave të një qytetarie të trashëguar brez pas brez dhe ndër shekuj…

 

Nuk u bënte përshtypje atyre të rinjve se fjalëza e lëshuar ashtu pa menduar fare mund të lëndojë një zemër të pikëlluar apo edhe të cunguar, se ajo fjalëzë mund të cënojë identitetin dhe karakterin e tjetrit, se ajo fjalëzë mund të dëmtojë një qelizë në trurin dhe mëndjen e tjetrit duke lënë edhe pasoja psikologjike në zhvillimin e tjetrit…

 

Të tilla veprime a nuk i shohim edhe në shumë ambiente të tjera?

 

A nuk bëhemi dëshmitarë, madje shpeshherë të përdorimit të shumë frazave apo shprehjeve që përdoren rëndomtë në ambiente të ndryshme, qoftë edhe në ato familjare si:

 

“Të shtifsha në dhe!”

“Të marroftë Zoti!”

“Të griftë sëmundja!”

“T’u mbylltë goja!”

“Të shplaftë mordja!”

“Ik o çelbanik i keq!”

“Vdeksh e mos u njallsh!”

“Mos e zbardhsh ditën!”

“Mos qofsh ma mirë!”

“Pikë e pikume!”

“O pika që s’të bjen!”

“Llapazan i keq!”

“U bafsh stërvinë e keqe!”

“Hapu gropë e futu brënda!”

“E hëngshin shtatëqind dreqën!”

“Qen bij e bija qenësh në shtatë breza!”

 

“Që i zëntë veremi ishallah!”

 

“U rëntë pika, mortja, dambllaja!”

 

“Thyefshin qafën, zverkun, brinjët!”

 

“U shtrifshin në dhe!”

 

“U daltë kanceri në grykë!”

 

“U bëfshin kurbanë!”

 

“U bëfshin me hije e xhinde!”

 

“I shplaftë panukla!”

 

Të tilla e sa e sa të tjera me radhë vijnë në formë mallkimesh, veçanërisht nga të rriturit për fëmijët e tyre, me idenë e një shpërthimi të një çasti duke gjykuar se përdorin një metodë edukimi për ti nënshtruar dhe “gjoja” për ti vënë në rrugë të mbarë.  

 

Duhet të kuptohet këtu, se të tilla shprehje dhe fraza, studiohen edhe në aspektin gjuhësor për të nxjerrë në pah pasurinë dhe larminë e madhe të përdorimit të gjuhës dhe të stilit gjuhësor në veçanti, por arsyeja për të cilën i paraqesim në këtë shkrim është konteksti i një “etike komunikimi” që domosdoshmërisht duhet ruajtur që nga thelbi dhe bërthama e shoqërisë që është familja e deri në stadet më të larta të shoqërisë.

 

Në këtë drejtim, të shqyrtuara si “mallkime” apo “shprehi shpërthyese” të natyrës njerëzore del si nevojë energjente shmangja e të tilla shprehjeve pikësëpari nga familjarët, të cilët japin edhe filizat e parë të një edukimi thelbësor, e më pas edhe në ambiente të tjera qofshin këto arsimore, kulturore apo sociale.

 

Vihet re gjithashtu një prirje e prindërve të rinj për ti mësuar fëmijët e tyre, sidomos ato të moshave të vogla, përdorimin e shprehjeve të tilla, deri edhe në banalitet, me idenë për ti dhënë një kënaqësi më shumë botës së tyre fëmijërore, për të krijuar një atmosferë gazmore, për ti dhënë një shtysë fëmijës për një rritje sa më të shpejtë si dhe një ambientim me të tilla forma komunikimi.

 

Padiskutim që një metodikë e tillë s’mund të pranohet si “formë edukative” dhe në të tilla raste ky lloj “vulgariteti” i dëshiruar apo i padëshiruar s’mund ti sjellë fëmijës një “seriozitet” apo një “zotnillëk” në konceptin popullor, aq të dëshirueshëm edhe në kohët e sotme. S’e kuptojnë këta prindër se një formim i tillë sjell një degradim të shpejtë të karakterit të fëmijës, të mënyrës së gjykimit të tij, të perceptimit të gjërave, e për më tepër sjell humbjen tek fëmija të “së bukurës” dhe shijes që sjell “e bukura”, të “së mirës” dhe shijes që sjell “e mira”, të “së ëmblës” dhe shijes që sjell “e ëmbla”.

 

Të shkojmë më tutje…

 

Të rinjtë e sotëm, të zhytur thellësisht në botën e magjishme të internetit dhe “linkut” adoptohen pas një “arrogance” dhe “shprehive agresive” që transmeton kjo botë e paprecedentë, pasi kontaktet janë të pashkëputura.  Adoloshenti i sotëm i përfshirë në këtë botë akumulon një të tillë fjalor aspak etik, e pranon si të “pranueshëm” dhe “komod” për natyrën dhe karakterin që po ndërton, çdo segment të jetës tashmë e percepton sipas këtij ritmi duke e marrë “vulgaren” si “të natyrshme” dhe “efikase” dhe si një “mburojë” për mbrojtjen e identitetit të vet ndaj kthetrave të jashtme, që në fakt s’bëjnë gjë tjetër vetëm se arrijnë synimin e tyre për degradimin e një individualiteti.

 

Duke mos arrirë një “shkëputje” nga një botë e tillë intriguese dhe “vulgare” çalojnë deri në degradim edhe raportet me anëtarët e familjes, sidomos me bërthamën familjare që janë prindërit, madje edhe në ato momente shkëputjeje, si pasojë e humbjes së kontrollit, hasin vështirësi në komunikimet familjare duke zëvendësuar “komunikimin etik” me “vulgaritetin”.

 

Të gjitha këto sjellin: veprime të ashpra dhe të pakontrolluara, gjykime dhe mendime tepër të varfra dhe të papeshuara, arsyetime pa vend dhe pa baza, situata komike të banalizuara, të qeshura pa kriter dhe pa peshën e një qenieje solide që me kalimin e kohës çojnë edhe në çrregullime mendore dhe fizike… Të rinjtë pajtohen me të shpejtë më rrugëzgjdhjet më të shpejta në dukje, largohen nga leximet e rregullta duke anuar nga leximet ç’orientuese, humbasin përqëndrimet e tyre në mesazhet e panevojshme dhe aspak korrekte duke humbur durimin dhe përqëndrimin në punët e tyre më parësore, krijojnë fiksime të dëmshme pas fotove, videove apo elementeve të tjera që s’përmbajnë asnjë peshë për një formim sa më korrekt duke humbur logjikën e gjykimeve për gjërat akoma më të mëdha që do të përbëjnë edhe bazat e jetës së tyre…  

 

Prandaj,

 

Të nderuar prindër! Thirja pikësëpari është për ju!

 

Ju që jeni të maturuar dhe të ndërgjegjshëm, që keni arritur të nxirrni në jetë këtë qenie e cila padyshim ju ka sjellur gëzimin dhe harenë e shumëdëshiruar, ju që mundoheni me mish e me shpirt të zhvilloni fëmijën tuaj. Mos pranoni kurrsesi që fëmija juaj të mësohet me të tilla “shprehi arrogante”, mos pranoni kurrsesi që fëmija juaj të pranojë “vulgaritetin” si mënyrë komunikimi. Mos hezitoni të ngrini zërin tuaj në të tilla raste dhe të sillni reagimet e juaja prindërore dhe të matura duke kundërshtuar me forcë të tilla sjellje dhe veprime që nuk sjellin tjetër veç “degradim” të intelektualitetit dhe individualitetit që po përpiqeni të ndërtoni me aq mundim dhe sakrificë.

 

 

Të nderuar edukatorë! Thirja është edhe për ju!

 

Ju që jepni shpirtin dhe mëndjen tuaj për një edukim sa më të shëndetshëm të brezave të rinj! Mos hezitoni të jepni këshillat e juaja të vyera sa herë që haseni me të tilla situata. Mos pandehni se kryhet obligimi me “një të thënë”, përkundrazi edukimi dhe këshillimi nuk njohin “kohë” dhe “hapësirë” . Ato janë të vijueshme në çdo rrethanë, në çdo situatë, kudo të ndodhemi, pasi pesha juaj dhe aftësia juaj është dhe duhet të jetë e kudondodhur. Mos hezitoni të ngritni zërin dhe ti vini në dukje të tilla problematika edhe në instanca më të larta drejtuese pasi vetëm nëpërmjet një koordinimi të mirë arrihet edhe suksesi i shumëkërkuar.  

 

Të dashur të rinj! Thirrja është veçanërisht për ju!

 

Ju që, e thënë në mënyrë klasike, përbëni “të ardhmen e këtij vendi”. Jetojeni moshën jo mbi bazën e “vulgaritetit”, por mbi bazën e mirëkuptimit dhe solidaritetit, mbi bazën e respektit që duhet të kemi të gjithë së bashku ndaj normave të shoqërisë. Liria dhe demokracia nuk erdhën për të na “tjetërsuar”, por për të na ofruar një mundësi të artë dhe të volitshme, për t’u integruar me të shpejtë aty ku duam dhe ëndërrojmë. Çfarëdo lloj profesioni të ndiqni, kudo të ndodheni, çdo punë dhe veprim të bëni, mos harroni, normat e shoqërisë ju ndjekin nga pas dhe ngelen të pazëvendësueshme. Etika e sjelljes dhe e komunikimit ka qenë, është dhe do mbetet thelbi dhe formula kyçe e zhvillimit të një shoqërie. Mos hezitoni të ngritni zërin kur të përballeni me të tilla realitete, qoftë ky edhe shoku apo shoqja juaj, bashkëpunoni sa më shumë në shmangjen e të tilla situatave “vulgare” dhe mos u shfaqni indiferentë në ndryshimet e rrethanave. Mos harroni, fuqia juaj është sipërore në raste të tilla, mençuria juaj është arma më e fortë për zgjidhjen e shumë ngërçeve!

 

Kushdo që dëshiron “zotnillëkun”, e gjen atë menjëherë në karakterin dhe natyrën e tij, pasi kur erdhëm në këtë jetë, nuk lindëm si “të këqinj”, por si “qenie të përsosura”.