Aeroplani rrëshqet jashtë pistës së aeroportit në Stamboll, tre persona humbin jetën

Pas daljes nga pista, tha guvernatori i Stambollit, aeroplani lëvizi rreth 50 metra, duke shtuar se "pastaj ra nga një lartësi prej rreth 30 metrash në një rrugë lidhëse nga autostrada TEM për në autostradën E-5”

Si pasojë e rrëshqitjes së aeroplanit të pasagjerëve jashtë pistës në Aeroportin Ndërkombëtar “Sabiha Gökçen” në Stamboll, jetën e kanë humbur tre persona dhe 179 të tjerë janë lënduar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Cahit Turhan, tha se aeroplani “Pegasus Airlines” me numër fluturimi PC2193 po mbërrinte në Stamboll nga provinca turke Izmir kur gjatë uljes rrëshqiti jashtë pistës.

Ndërkaq, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, njoftoi se tre persona humbën jetën dhe 179 të tjerë u lënduan.

Pamjet televizive treguan hundën e aeroplanit pothuajse plotësisht të ndarë nga pjesa tjetër e trupit të aeroplanit i cili shpërtheu në flakë pas rrëzimit.

Pas daljes nga pista, tha guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, aeroplani lëvizi rreth 50 metra, duke shtuar se “pastaj ra nga një lartësi prej rreth 30 metrash në një rrugë lidhëse nga autostrada TEM për në autostradën E-5”.

Prokurorët në kryeqytetin Ankara filuan një hetim mbi incidentin, ndërsa aeroporti përkohësisht është mbyllur për trafikun ajror.

Turkish Airlines po ashtu njoftoi se ka ndaluar përkohësisht të gjitha fluturimet për në dhe nga aeroporti.