ALSAR risjell për lexuesit në një botim anastatik revistën ‘Përpjekja Shqiptare’

Fondacioni “ALSAR”, në vijimësi të përpjekjeve të tij modeste për pasurimin kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare, si dhe për lënien e një trashëgimie të rëndësishme për brezat që do të vijnë, risjell sot për lexuesit botimin anastatik të revistës “Përpjekja Shqiptare”.

Fondacioni “ALSAR”, në vijimësi të përpjekjeve të tij modeste për pasurimin kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare, si dhe për lënien e një trashëgimie të rëndësishme për brezat që do të vijnë, risjell sot për lexuesit botimin anastatik të revistës “Përpjekja Shqiptare”.

Kjo vepër është një tjetër gur i çmuar që i shtohet kurorëssë veprimtarisë sonë botuese në të cilën tashmë renditen 202 tituj librash të botuar gjatë 14 viteve, ndër të cilat 10 prej tyre janë botime anastatike.

NJË REVISTË QË NA DUHET

Revista “Përpjekja Shqiptare” (vitet 36-39) e Branko Merxhanit (1894-1981), është vlerë e veçantë e sistemit tonë kulturor. Shkrimet që janë botuar në këtë revistë i duhen edhe botës së sotme shqiptare, ku, mjerisht, ndjehet mungesa e ndjenjës për jetën e përbashkët dhe lodhja morale, që sipas Merxhanit janë fillimi i dekompozimit të një populli dhe të një shoqërie.
“Përpjekja Shqiptare” është revistë e mirëmenduar dhe e përgatitur me përkushtim e kompetencë. Është nga “revistat që na duhen” dhe jo nga “revistat që shkojnë”. Është ndër më të mirat në fondin e revistave shqiptare, ku janë botuar studime filozofike, letrare, sociale e politike, polemika, por edhe përkthime të shumta.

“Përpjekja shqiptare” është revistë që u përgatit nga një mendje e bukur, nga Branko Merxhani, i cili erdhi në Shqipëri në fund të viteve 20 dhe u bë i njohur nëpërmjet shkrimeve që i botoi në revistat: “Demokratia”, “Neoshqiptarizma”, “Përpjekja Shqiptare”, “Minerva” dhe “Ilyria”.

Po kush është Branko Merxhani, i cili emrin e kishte Aleksandër. Përse është aq e errët biografia e këtij mendimtari erudit, i cili nuk fliste për diplomat e tij universitare; që bënte jetë asketi; që kur erdhi në Shqipëri nuk e njihte mirë as gjuhën shqipe; që e kalonte ditën në kafene “Kurtsal” të Tiranës, duke lexuar, përkthyer, shkruar e redaktuar tekste për revistën e tij “Përpjekja shqiptare”? Në fakt, a është e errët biografia e tij apo është e pastudiuar? Përse edhe sot duket sikur ai ka rënë prej qielli, sikur erdhi nga asgjëja për ta shpalosur një ideologji specifike siç është “Neo-shqiptarisma”?

Deri sot ende nuk është shfaqur biografi i vërtetë i këtij utopisti misterioz. Biografi i ardhshëm do të ketë shumë telashe për t’i nxjerrë në dritë të dhënat e reja për të.

Kur mbreti Zog përpiqej që ta krijonte një elite mendore, e cila do ta emanci¬ponte kulturalisht shoqërinë shqiptare, publicisti Nebil Çika i kishte sugjeruar dy emra: Vangjel Koçën dhe Branko Merxhanin. Dy mendje analitike, erudite, që ba¬shkërisht kishin botuar një numër të revistës “Neo-shqiptarizma”. Dhe pati të drejtë.

Branko Merxhani u angazhua për krijimin e një shoqërie perëndimore dhe de¬mokratike; për një shtet të së drejtës, të çliruar nga mendësitë e vjetra. Ai dha njërin ndër përkufizimet më mbresëlënës për kulturën. Ishte njohës i raporteve ndërmjet oksidentit dhe orientit. Në shkrimin “Pse nuk jam marksist?“i parashikoi pasojat shkatërrimtare po qe se në pushtet do të vinin “vagabondët e historisë”, siç i quante komunistët, që u dëshmua si parashikim i saktë.

Besonte ai se shqiptarët do të afroheshin me Evropën vetëm kur do t’i flaknin fantazitë e së kaluarës; kur jeta politike nuk do të përcaktohej nëpërmjet roman¬tizmit dhe fantazive, por nëpërmjet shkencës, veçanërisht asaj sociologjike.

“Që të bëhemi evropianë nuk mjaftojnë as gjuha, as mjetet ekonomike, as edhe sistemet pedagogjike të Evropës. Duhet të lind ndër ne brenda ndjenja kolektive e evropianizmës”, shkruante ai.

Besonte Branko Merxhani se në këtë proces më e rëndësishme ishte kultura, sepse, thoshte ai, me kulturë nis çdo lëvizje nacionaliste. Faza e dytë ishte politika, kurse faza e tretë ekonomia. Pa një ngritje kulturore nuk mund të kishte politikë. Pa politikë nuk mund të kishte ekonomi. Pa ekonomi të zhvilluar një komb nuk kishte të ardhme të sigurt.

Merxhani tentoi që t’i gjente shkaqet kryesore që kishin çuar deri tek anarkia shoqërore në botën shqiptare. Shkaqet, sipas tij, duhej që të ndriçoheshin me fene¬rin e shkencës së sociologjisë. Ai e shihte shpëtimin te shkenca sepse besonte se ajo ishte e vërteta, kurse një popull që e njihte të vërtetën i siguronte jetëgjatësinë vetes.

Si sociolog mendonte se shoqëria u nënshtrohet disa rregullave të caktua¬ra dhe harmonike, të cilat duhej të njiheshin mirë, me qëllim që të mos mbi¬zotëronte kaosi.

Nisej nga një thënie e Niçes: “Ta organizojmë kaosin” brenda nesh që të mund të rendim përpara.

Shkaqet e mjerimit shqiptar ai nuk i kërkoi jashtë shqiptarit, por brenda tij. Një popull arrinte të dëshmohej, thoshte ai, vetëm nëse e njihte dhe e organi¬zonte kaosin brenda vetes.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, iku nga atdheu. U mbyll në guacën e vetmisë. Vdiq në Turqi. Atje ka shkruar për disa gazeta dhe revista (“Tan”, “Hu¬riet”, “Yeni Gazete”, “Gunaydin”), por lexuesi shqiptar pothuajse nuk di gjë për këto shkrime. Dihet se përdori pseudonimet: Ali Pazar dhe Bana Ozler. Mbase edhe ndonjë tjetër.

Nga shkrimet që kemi lexuar deri tani mund ta themi vetëm një gjë me shu¬më siguri: ai është njëri nga mendjet më të ndritura të botës mendore shqiptare dhe kjo lëvdatë nuk thuhet për të si për çdokënd tjetër. Ai nuk është si shumëkush tjetër. Është i veçantë dhe i papërsëritshëm dhe ndër më të panjohurit në mesin e më të njohurve në botën shqiptare. I panjohur si qytetar dhe i njohur si men¬dimtar.

Ky adhurues i Dekartit dhe i kryefjalës së tij: “Mendoj, pra ekzistoj”; ky adhurues i vargut të Lukrecit: “Mendja e tund lëndën!”; punonte me metodë, du¬rim, sistem dhe idealizëm për një shtet modern shqiptar, i cili nuk do të merrej me andrallat e së kaluarës. Kombin dhe shtetin modern shqiptar, sipas tij, duhej ta formësonin njerëzit e dijes, të cilëve, fatkeqësisht, si atëherë edhe tani u mun¬gon ideali.

Në kohën e një varfërie mendore e ideologjike, atëherë kur Shqipëria, ajo e vitit 1934, siç thotë, nuk i kishte 10 mijë lexues, ai besonte se nëpërmjet kulturës mund të bëhej një shtet modern shqiptar, i cili do të ishte konkurrues në botën e qytetëruar evropiane.

Besonte Merxhani se revistat mund të luanin rol të madh, mbase vendimtar, për emancipimin kulturor, politik, shtetëror të shqiptarëve. Dhe sipas tij kishte dy lloj revistash: “revista që shkon“, pra magazinat që botonin gjithçka dhe “revista
që na duhen“. Përderisa revistat e para nuk kanë ideologji, të dytat janë revista që mbrojnë një ide dhe një kuptim. “Revistat që na duhen” duhej që të ishin organe të grupimeve (apo “pareje”, siç e quan ai), që grumbullohen rreth një ideologjie dhe përpiqen me sistem e trimëri për zotërimin e saj. Një revistë të këtillë mund ta bënin njerëz që kishin dije dhe jo njerëz që kishin diploma. Për Merxhanin nuk kishin vlerë diplomat e titujt, që për të ishin vetëm një salltanet evropian. Di¬plomat e titujt të mundësonin vetëm pozitë dhe rrogë më të majme, për sa kohë rrogëtarët me diploma kishin mungesë ideali. Ose prireshin vetëm nga dobitë e çastit, dobitë personale.

“I vetmi ideal ynë është të vëmë në dorë titull, rroga e ceremonia gëzimi, të të mirave materiale, të shkuarit mirë. Ky është ideali ynë sot: të mbushim barkun, të bërbëlitim, të dalim në diell – i vetmi kuptim ynë i sotmë!“.

Branko Merxhani u angazhua për një shoqëri me ideale, sepse, në të kundërt¬ën, ajo shkonte drejt dekompozimit. Një shoqëri mund të modernizohej vetëm kur në shpirtin e kombit do të krijoheshin ideale shoqërore, vlerat kombëtare dhe entuziazmi patriotik.
“Një Atdhe pa ideal e pa dije kurdoherë është i ekspozuar në rrezik”.

Në këtë mision kërkonte formimin e një inteligjencie të mirëfilltë shqiptare, me dije dhe kulturë, sepse “vetëm kështu do të ngritej një jetë e re mbi gërmadhat e së shkuarës”.

Elita intelektuale, sipas Merxhanit, e kishte për detyrë që të sillte formula morale, politike dhe shoqërore, me qëllim që të konkretizoheshin dëshirat e pa¬caktuara të turmave.

“Shtytjet popullore bëhen si aventurë, kur një inteligjencë drejtonjëse s’e ka caktuar fare udhën që duhet ndjekur. Po të lëshojmë një ide kjo do të ndjekë udhën e saj”.

Ngritja morale e shpirtërore e mund të bëhej vetëm nëpërmjet dijes, shkencës, artit, kulturës.

“Kultura është krijesa e lëvizjes së lirë të ideve. Fitimi që u realizua me pallë është më i paktë. Lufta e vërtetë është lufta për idetë”.

Mjerisht, sot kemi media “që shkojnë“, të cilat merren me buçimën e ditës dhe kënaqin turmën, por jo edhe media “që na duhen“, të cilat duhet të ofrojnë formula se si të dalim nga gropa ku gjendemi. Prioritete janë bërë ceremonirat e gëzimit, si ta mbushin barkun, si të bërbëlitin. Revista “Përpjekja Shqiptare” është model se si duhet të duken revistat që na duhen.

“Përpjekja shqiptare” do të kishte mbetur një kujtim i largët pa sipërmarrjen tepër të për gëzueshme të Fondacionit ALSAR për ta risjellë atë si një botim anastatik. Nuk është e papritur, as rastësi, diçka e tillë. Fondacioni ALSAR ka bërë tashmë emër me botimet e veta anastatike, mjeshtërore ngado që t’i shohësh. Revistat “Njeriu”, “Kultura islame”, “Diturija”, “Kalendari kombiar”, gazeta “Lirija”, “Liga e Prizrenit”, “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët” e Pashko Vasës, “Mevludi” i Hafiz Ali Ulqinakut, “Barbaritë greke në Shqipëri”, dhe, tani, revista “Përpjekja Shqiptare”, renditen në korpusin e punëve të ALSAR-it si botime anastatike.