Arrestohet me urdhër të SPAK “Reqi i Korçës”, dyshohet se do të korruptonte të penduarin e drejtësisë Luftar Reçi

Arrestohet me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Elton Goskova, njeriu i përfolur për disa ngjarje kriminale në Korçë, ose siç njihet ndryshe “Reqi i Korçës”. Forcat e policisë mësohet të kenë kryer ndërhyrjen mbrëmjen e së premtes, por është mbajtur i fshehur për shkak se vijon operacioni për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.

Sipas burimeve, Elton Goskova është arrestuar pas dyshimeve se ka tentuar të korruptojë dhe manipulojë, dëshmitarin e prokurorisë, Luftar Reçi, i cili ka dëshmuar kundër Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit, Plaurent Dervishit, Viktor Imerit, Indrit Taullaut dhe Indrit Rusi, si autorë të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe Klodian Salit, ngjarje këto të ndodhura në muajin shkurt 2005.

“Reqi i Korçës”, i cili dyshohet se u ka marë përsipër disa prej familjarëve të personave të arrestuar, se do ndikonte tek familja e bashkëpuntorit të drejtësisë Luftar Reçi, me qëllim që ai të manipulohej dhe të tërhiqej nga dëshmia e tij, dhënë kundër personave të arrestuar.
Në dijeni të këtij plani janë vënë dhe prokurorët e posaçëm, të cilët vendosën që të mbajnë në monitorim, Elton Goskovën, duke çuar deri në momentin e arrestimit të tij.

Elton Goskova, është proceduar disa herë nga prokuroria e Korçës, për vepra të ndryshme penale.

Elton Goskova nuk është një emër i panjohur edhe për policinë. Goskova është i njohur për një sërë ngjarjesh kriminale dhe është ish-anëtar i bandës famëkeqe ‘5 dyqane’ më 1997 në qytetin e Korçës. Po ashtu Elton Goskova është arrestuar në Itali, vite më parë për shfrytëzim prostitucioni.