BE, thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndalin retorikën nxitëse

Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dielën udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë t’u japin fund deklaratave të rrezikshme që rrisin retorikën nxitëse, duke iu referuar deklaratave për luftë dhe konflikt në Ballkanin Perëndimor. Në një komunikatë të publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme thuhet se “politikanët e lartë të dy palëve…

Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dielën udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë t’u japin fund deklaratave të rrezikshme që rrisin retorikën nxitëse, duke iu referuar deklaratave për luftë dhe konflikt në Ballkanin Perëndimor.
Në një komunikatë të publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme thuhet se “politikanët e lartë të dy palëve do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim që çon në rritjen e tensioneve dhe, potencialisht, dhunës në rajon”, duke u bërë thirrje të dyja palëve që t’i japin fund menjëherë armiqësive të ndërsjella dhe deklaratave të rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi.

Në komunikatë thuhet se të gjitha çështjet e hapura do të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian kërkon një klimë që kontribuon në rivendosjen e besimit, pajtimit dhe marrëdhënieve të mira, ku marrëveshjet e kaluara respektohen dhe zbatohen plotësisht, dhe ku veprimet dhe deklaratat që janë të papajtueshme me interesin e përgjithshëm dhe objektivat strategjike të rajonit nuk kanë vend”, thuhet në komunikatë duke nënvizuar se Bashkimi Evropian pret që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të diskutojnë për këto tema sfiduese në dialogun e ardhshëm të nivelit të lartë, më 18 gusht në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë përmendur javëve të fundit rrezikun e konfliktit ndërmjet dy vendeve pas rritjes së tensioneve dy javë më parë në veriun e Kosovës, ku serbët lokalë vendosen barrikada për shkak të masës së reciprocitetit të vendosur nga qeveria e Kosovës për dokumentet e identifikimit të Serbisë dhe konvertimit të targave të automjeteve që lëshohen nga Serbia në ato të Kosovës, RKS.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters “se do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej një sulm i Serbisë me gjithë këto politika agresive të Beogradit. Ai ka thënë se “mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja është e mundur.”

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar siç tha gjatë një konference për gazetarë në Beograd se “shqiptarët po përgatisin “likuidimin e pjesëtarëve të komunitetit serb”.

Të dy udhëheqësit ndërkaq kanë shprehur siç thonë përkushtimin për të diskutuar në raundin e ri të bisedimeve të organizuar nga Bashkimi Evropian.

Vëzhguesit thonë se takimi i radhës do të mund të krijonte një situatë të re që do të shmangte tensionet ndërmjet palëve si ato të 31 korrikut pas të cilave forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria.

Një ditë para raundit të ri të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të dy udhëheqësit do të priten në takime të ndara nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ditë më parë tha se palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë.

Tanimë janë mbushur 11 që kur palët janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve por përparimet janë të pakta. Serbia e mbështetur nga Moska kundërshton pavarësinë e Kosovës të cilën e njohin vendet kryesore perëndimore.