Çelen negociatat, Brukseli: Shqipëria të zbatojë të gjitha reformat

Nis sot zyrtarisht çelja e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

16 vite më para Shqipëria firmosi marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, ndërsa në qershor të vitit 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE. Në marsin e vitit 2020 Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në union. Sot (19 korrik) me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare nis zyrtarisht çelja e negociatave. Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u mor ditën e shtunë, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë.

Në konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE, në fjalën e tij Jan Lipavský, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, vlerësoi së Shqipëria mbështet politikën e jashtme të BE, ndërsa bëri me dije hapat në të cilat duhet të kalojë procesi i negociatave për hapjen e kapitujve për anëtarësimin në BE.

“Zgjerimi i Ballkanit perëndimor ka qene prioritet kryesorë për republikën Çeke, hapja e negociatave vjen në një kohë pas dëshmimit të solidaritetit të të gjithë partnerëve të Ballkanit perëndimor gjatë pandemisë si dhe pas agresioni rus në Ukrainën që po sjell një ndikim në mbarë kontinentin.

Vendet e Ballkanit perëndimor priten të zotohen ndaj vlerave evropiane si anëtare të ardhshëm të BE.

Mirëpresim vendosmërinë e Shqipërisë për kryerjen e reformave, është partner i ngushtë i BE dhe pjesë e MSA. MSA është në zbatim prej 2009 dhe është bazë e bashkëpunimit në shumë fusha. Të mirat për të dyja palët janë të qarta, në biznes apo investimet e huaja. Udhëtimi drejt BE është bërë më i lirë. Pas tërmetit BE mori një rol udhëheqës sa I takon rindërtimit. Shqipëria mori pjesë në një sërë programesh. Shqipëria është një vëzhguese për të drejtat themelore të njeriut. Solidariteti u demostrua edhe gjatë pandemisë, ku BE qëndroi pranë Shqipërisë.

Shqipëria ka ofruar staf mjekësor, agresioni rus ka ndikim të madh, BE dhe Ballkani janë bërë bashkë në mbështetje të Ukrainës. Mirëpresim përputhshmërinë e Shqipërisë me politikën e jashtme.

Këshilli mirëpriti vendosmërinë e Shqipërisë për të cua para axhendën dhe ka dhënë efekte të prekshme. Këshilli mbetet I zotuar për të cuar përpara procesin e zgjerimit, që procesi të jetë më i besueshëm më dinamik. Mbështetur mbi kriteret, BE i vendos shumë vëmendje zotimit të angazhimeve. Secili vend vlerësohet vec dhe sipas meritave. Këshilli miratoi më 18 qershor 2022 kuadrin e përgjithshëm si edhe konkluzione të tjera. Shqipëria duhet të zbatojë të gjitha reformat në fushën e zbatimit të ligjit, në gjyqësor, reformën në administratën publike si edhe kriteret ekonomike. Grupet përkatëse do të jenë baza e negociatave.

Raportimet do të japin udhëzim të qartë për detyrat që duhet të kryhen. Shqipëria ka adresuar 5 prioritet kryesore. Këshilli apelon Shqipërinë të cojë më tej progresin e arritur. Zgjerimi i kapaciteteve gjyqësore dhe administrative është pjesë e grupeve. Shqipëria duhet të vijojë të angazhohet në bashkëpunimin rajonal. Mirëpresim faktin që Shqipëria është në përputhshmëri të plotë me politikat e BE dhe urojmë të vijoni kështu. Do të mbetet në dorë të vendeve të BE për të vlerësuar nëse janë përmbushur kushtet më pas. Negociatat do të jenë strikte dhe rigoroze, shpresojmë të arrijmë në mbyllje të suksesshme. Mezi presim t’ju kemi si anëtar me të drejta të plota.” -u shpreh ai.

Varhelyi: Negociatat do të transformojnë Shqipërinë 

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi tha se negociatat e Shqipërisë me BE-në do të kenë një natyrë transformuese që do të ndikojnë në jetën e përditshme të shqiptarëve.

“Jam krenar dhe u lumtur që jam sot këtu për të festuar hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke vijuar vendimin e Këshillit Evropian të vitit 2020. Dua të falënderoj të gjitha presidencat për punën që kanë bërë. Ky vendim historik i dërgon një sinjal të fortë drejt Ballkanit Perëndimor dhe më tej. 8 vite nga statusi kandidat sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të ri. Mesazhi im ndaj qytetarëve të Shqipërisë është shumë i thjeshtë: ne duam që të jeni pjesë e Bashkimit Evropan.

Nga sot e tutje do të injektojmë në negociata një dinamizëm të ri. Shqipëria mund të mbështetet te Komisioni dhe ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të përgatitet sa më shpejt për tu bërë anëtare e BE. Sot pasdite nisim ‘screening’, që është hapi i parë i negociatave. Na duhet konsensus mbarëkombëtar, në këtë rrugëtim na duhet të tërë në Shqipëri. Jo vetëm negociata gjithëpërfshirëse por edhe shteruese. Negociatat kanë një natyrë transformuese. Do të ketë një ndikim madhor, pozitiv tek popullsia, tek ekonomia. Ne duam që të gjithë të jenë pjesë e saj dhe të punojnë për të. Rruga e Shqipërisë për tu bërë anëtarë sapo ka nisur dhe ne jemi gati të jemi të gatshëm të punojmë sa më shpejt ta zhvillojmë në proces”.

Çfarë nënkupton çelja zyrtare e negociatave?

-Hapja zyrtare e negociatave nënkupton miratimin e ligjit të vendosur të BE-së (acquis), përgatitjet për zbatimin e tij dhe zbatimin e reformave ligjore, politike, administrative, ekonomike dhe reformave të tjera të nevojshme që vendi të përmbushë kushtet për anëtarësim.

Kriteret dhe kushtet për pranim janë të njohura ndryshe si Kriteret e Kopenhagës, të cilat ndahen në kritere politike, ekonomike dhe ato të përafrimit legjislativ (acquis communautaire).

Për t’u anëtarësuar, është e nevojshme pranimi i detyrimeve dhe synimeve të BE-së, qofshin ato politike, ekonomike por edhe monetare. Pjesë e këtyre detyrimeve janë pikërisht krijimi i kushteve të përshtatshme dhe të favorshme për harmonizimin strukturës kombëtare adminstrative me standardet evropiane dhe mekanizmat e administratës publike të BE-së. Negociatat e anëtarësimit hapen atëherë kur të gjitha qeveritë e BE-së të bien dakord, në formën e një vendimi unanim. Negociatat zhvillohen ndërmjet ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet konferencë ndërqeveritare.

-Konferenca e parë Ndërqeveritare është më e rëndësishmja politikisht duke qenë se përcakton kuadrin e përgjithshëm për negociatat, si dhe hapjen zyrtare të tyre. Këtu shkëmbehen qëndrimet e përgjithshme negociuese mes BE-së dhe vendit kandidat dhe prezantohen grupet negociatore.

-Gjatë procesit të negociatave, vendi kandidat negocion mbi transpozimin e zbatimin të legjislacionit të BE-së (acquis) duke bërë një vlerësimin analitik të përafrimit të legjislacionit me acquis, i njohur ndryshe si screening. Ky proces në vetvete ndahet në dy faza: takimet shpjeguese dhe takimet dypalëshe. Gjatë takimeve shpjeguese Komisioni Evropian shpjegon acquis e BE-së për vendin kandidat, ndërsa në takimet dypalëshe vendi kandidat prezanton nivelin e tij të përafrimit me acquis dhe paraqet gatishmërinë për përafrimin të mëtejshëm në të ardhmen.

-Më pas komisioni përgatit raportin e screeningut në të cilin paraqitet niveli i përgatitjes së vendit kandidat për çdo kapitull të veçantë negociues.

Ky raport iu paraqitet vendeve anëtare së bashku me konkluzionet nëse rekomandohet hapja e drejtpërdrejtë e negociatave apo nëse duhet të përmbushën kushte të tjera për hapjen e tyre.

Ritmi i negociatave varet më pas nga shpejtësia e zbatimit të reformave dhe përafrimit me ligjet e BE-së nga vendi kandidat.

-Mbyllja e kapitujve bëhet vetëm atëherë kur çdo qeveri e BE-së është e kënaqur me përparimin e vendit kandidat si dhe me plotësimin e piketave përfundimtare për çdo kapitull negociues.

I gjithë procesi i negociatave përfundon vetëm pasi të jetë mbyllur çdo kapitull. Pjesë e mbylljen së negociatave është traktati i anëtarësimit, i cili është dokumenti që çimenton anëtarësimin e vendit në BE. Ai përmban termat dhe kushtet e detajuara të anëtarësimit, të gjitha marrëveshjet dhe afatet kalimtare, si dhe detajet e marrëveshjeve financiare dhe çdo klauzolë mbrojtëse.

Ai bëhet përfundimtar dhe i detyrueshëm kur: fiton mbështetjen e Këshillit të BE-së, Komisionit dhe Parlamentit Evropian, nënshkruhet nga vendi kandidat dhe përfaqësues të të gjitha vendeve ekzistuese të BE-së dhe ratifikohet nga vendi kandidat dhe çdo vend individual i BE-së, sipas rregullave të tyre kushtetuese (votim parlamentar, referendum, etj.).

-Pas nënshkrimit të traktatit, vendi kandidat fiton statusin e vendit aderues dhe pritet të bëhet një anëtar i plotë i BE-së në datën e përcaktuar në traktat, me kusht që traktati të jetë ratifikuar. Ndërkohë, si i tillë, përfiton nga rregullime të veçanta, si mundësia për të komentuar projekt propozimet, komunikimet, rekomandimet ose iniciativat e BE-së dhe ka “statusin e vëzhguesit aktiv” në organet dhe agjencitë e BE-së (ka të drejtë të flasë, por jo të votojë).