COVID 19, një rindërmjetësim i kuptimit mbi vdekjen

Nga Redi Shehu

Covid 19, tashmë është jo vetëm mes nesh, por edhe me shume se aq, ai është brenda nesh. Shumë e kanë kaluar dhe të tjerë presin ta kalojnë. Shumë janë të afërmit që i shtohen listës së dhimbjes dhe jo të paktë janë ata të cilët lanë këtë botë nga shkaku i kësaj pandemie. Sprova vazhdon dhe ajo që sa vjen e bëhet me vështirë, në një terren akoma më të papërcaktuar psikologjik, është se harta e sëmundjes nuk ndjek një rrugë logjike të përhapjes, jo, ajo sa vjen dhe ndërlikohet duke kaluar në kolaps jo vetëm ndërgjegjet e të sëmurëve të saj, por edhe të atyre të shëndetshmeve që gjallojnë mirë fizikisht. Shtimi i rasteve të vdekjeve në këto javët e fundit, na solli në vëmendjen tonë të harruar faktin se ne nuk jetojmë vetëm për të jetuar, por ne, në fakt, jetojmë edhe për të vdekur.

Covid 19 , pikërisht këtë po bën me të gjithë qenien njerëzore, po rindërmjetëson me ta konceptin e gabuar që ata kanë për jetën, por, mbi të gjitha, po rinegocion me ta konceptin e harruar që ata kanë për vdekjen. E gjitha kjo, për shkak se shoqëria moderne, ose moderniteti i vone siç Anthony Giddens parapëlqen ta quajë, është autorja kryesore e çshenjtërimit të jetës sonë sociale në emër të racios njerëzore dhe në gjithë këtë proces, ajo ka dështuar me sukses të zëvendësojë përfundimisht realitetet e vjetra sakrale me faktet e saja shkencore. Zhdukja e trupit në shoqëritë e sotme përfaqëson zhdukjen e të gjithë entitetit njerëzor, ngase trupi sot përfaqëson kufijtë e vetëm të njohjes së shoqërisë moderne. Ndërkohë që shkenca u ka dhënë njerëzve një kontroll më të shtuar mbi jetët e tyre, ajo nuk ka arritur “të pushtojë” vdekjen do të thoshte Max Weber, sepse ajo (vdekja) kërcënon stabilitetin mendor të njeriut të sotëm, i cili i rënë në kurthin e pavdekshmërisë, rinisë së përhershme, vet-realizimit, vet-zhvillimit apo vet-aktualizimit, e refuzon atë, e konsideron atë si një “çështje teknike”, si një ngjarje diku larg tej në brezin e vjetër, një panoramë spitalore dhe varreze që ndodhet diku në periferitë e jetës urbane.

Individualizimi i shoqërive moderne, jo vetëm që e ka lënë individin e vetmuar karshi jetës, por e ka lënë atë të vetmuar edhe karshi vdekjes. I terrorizuar në këtë vetmi, njeriu i sotëm gjendet brenda një “sekuestrimi modern të kuptimit mbi vdekjen (P.Mellor)”. Deri vonë, vdekja ka qenë një përjetim social, komunitar, religjioz, ritualistik, një procedurë publike e cila e rrethonte individin. Nga të gjitha anët vdekja përjetohej si një realitet komunitar, domethënës, me një shpjegim fetar dhe me një destinacion. Individi bëhej pjesë e procesit komunitar, ritualit si dhe domethënies, ku e gjithë shoqëria kthehej në një ngushëllim, në një të kuptuar të udhëtimit të njeriut drejt destinacionit të fundit. Kur identitet i një shoqërie identifikohet me shumë me grupin, se sa me njeriun, atëherë vdekja nuk kthehet në një kërcënim, përkundrazi ajo nënkupton se shoqëria ka humbur një pjesë të vetën dhe jo se një individ ka humbur shoqërinë.

Ndërsa sot, vdekja është individualizuar, subjektivizuar, është kthyer në një fenomen komunal, është spitalizuar dhe sanitarizuar brenda institucioneve të ftohta të autopsisë dhe mjekësisë. Kështu, ajo zhvishet nga bashkësia, religjioziteti, në një farë mënyre desakralizohet, ç’shenjtërohet, zhduket nga hapësira publike drejt periferive individale të secilit dhe humb kuptimin e saj të bashkësisë drejt izolimit individual, nga një fenomen social ajo është kthyer në një kërcënim individual. Edhe pse Shqipëria bën një përjashtim të vogël për shkak të inercisë kulturore të ruajtjes së sakralitetit dhe socializimit të kuptimit mbi vdekjen, në shoqëritë e tjera moderne apo të modernitetit të vonë, aty ku “Vdekja e Zotit” dhe sterilizimi i hapësirës publike nga e shenjta, i ka lënë individët e këtij realiteti, kulturalisht dhe psikologjiisht të zhveshur përballë vdekjes.

Peter Berger flet për zhdukjen e vdekjes si fenomen social nga hapësira publike, përmes heqjes së ndërmjetësimit të institucioneve të besimit në shoqëri, duke ia lënë vetëm individit dhe lidhjes së tij me besimin. Kjo është një formë e privatizimit të vdekjes, një privatizim i modernizmit dhe shoqërive të trupit dhe imanentes, karshi kuptimit religjioz dhe prezencës publike të saj. Sot,një njeri i zakonshëm vdes pa u vënë re, nuk lë shenjë publike dhe jeta vazhdon sikur nuk ka vdekur askush, për shkak se teknologjia dhe zhvillimi mjekësor e ka shtyrë vdekjen tej dhe i ka dhenë shpresa individit ta largojë vdekjen diku në skutat më të errëta të trurit të tij. Por, kur një njeri vdes ai e kthen vdekjen nga një fenomen imagjinar në një realitet, një realitet që tremb njerin modern, i cili është në kërkim të vazhdueshëm të një distance ndijore por edhe hapësinore me vdekjen. Sociologu Norbert Elias thoshte se kurrë njerëzit nuk kanë vdekur me kaq pak zhurmë dhe në formë kaq higjienike se sa në shoqëritë e sotme.

Kaq i privatizuar është koncepti për vdekjen sot, sa çdo vdekjeje i atribuohet një sëmundje, një emër. Bauman thoshte se vështirë të gjesh dikë sot që vdes nga vdekshmëria. Ky privatizim përmes shkaqeve, e bën njeriun që të gjejë dieta, apo të bëjë fitness dhe në tentativën e tij për t’i ikur vdekjes ai nuk e kupton se në fund e gjitha është një përpjekje e cila nuk të bën ta fitosh pavdekësinë.

Covid 19, vjen pikërisht në këtë kohë kur njerëzimi kuptimin mbi vdekjen e ka të vdekur, dhe përmes fataliteteve, sprovave, tenton ta nxjerrë vdekjen moderne nga individualizimi drejt kolektives dhe komunitares, nga vëmendja e harruar private drejt vëmendjes kolektive botërore, për të treguar se vdekja është pjesë e jetës dhe se jeta nuk është një vdekje e përhershme. Covid 19, tenton ta zhdukë privatizimin modern të vdekjes, sekuestrimin e kuptimit të saj nga shoqëritë e subjektivizuara, duke globalizuar këtë fenomen. Një rindërmjetësim i kuptimit të saj është i domosdoshëm, një kuptim i ri mbi vdekjen dhe fatkeqësinë është i nevojshëm, për t’i veshur atë me transhendenten, nga burimi ku ajo vjen dhe jo për ta sterilizuar atë, komunalizuar apo sanitarizuar larg familjes, shoqërisë bashkësisë apo fesë. Por mbi të gjitha, Covid 19 kërkon që përmes këtij fenomeni, njerëzit, të vlerësojmë më shumë jetën.