Dietologia Suhejla Abazi: Vitamina D a është hormon apo vitaminë?

Diskutimi për vitaminën D a është hormon apo vitaminë ende vazhdon

Shkruan: Suhejla Abazi, dietologe

  • Vitamina D a është hormon apo vitaminë ?

Diskutimi për vitaminën D a është hormon apo vitaminë ende vazhdon. Megjithëse ne e pranojmë si një vitaminë, ajo ka aftësi që të sintetizohet në trup dhe sinteza e saj zvogëlohet – rritet sipas nivelit të saj në gjak. Kjo tregon se ka tipare edhe të hormonit. Pavarësisht nëse është hormon ose vitaminë, ka një vlerë të madhe për trupin tonë dhe mungesa e saj mund të shkaktojë shumë probleme shëndetësore. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të matni nivelin e vitaminës D dhe të merrni suplemente nëse është e nevojshme.

  • Kush mund të ketë mungesë të vitaminës D?

Mungesa e kësaj vitamine më së shumti paraqitet tek personat me lëkurë të errët, te personat që nuk i ekspozohen mjaftueshëm diellit, obezët dhe ata të cilët kanë sëmundje të sistemit tretës (sëmundja e Celiakisë, Crohn etj.)

  • Cili është niveli normal i vitaminës D në gjak?

< 29 ng /ml                           – mangësi

> 30 ng /ml                           – mjaftueshëm

> 150 ng /ml                         –  toksike

  • Cilat janë simptomat e mungesës së vitaminës D?

Dhimbje të kockave dhe muskujve, vështirësi në ecje, ç’ekuilibrim dhe fraktura të shpeshta, lodhje, mungesë disponimi, rënie të flokëve etj…

  • Çka shkakton mungesa e vitaminës D?

Hulumtimet e fundit tregojnë se mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë shumë sëmundje. Skizofrenia, depresioni, astma, diabeti i tipit 1, osteoartriti, osteomalazia, rakitizmi dhe shumë lloje të kancerit mund të jenë të lidhura me vitaminën D.

  • Cila është rëndësia e vitaminës D?

Kjo vitaminë është një vitaminë e nevojshme për thithjen e kalciumit dhe fosforit. Falë vitaminës D, këto minerale hyjnë në kocka dhe dhëmbë. Kështu, veçanërisht kockat bëhen më të forta dhe rreziqet e thyerjes eliminohen. Ndihmon gjithashtu që sistemi imunitar të funksionojë siç duhet, dhe trupi ynë bëhet më rezistent ndaj llojeve të caktuara të sëmundjeve.

  • Cilat ushqime përmbajnë vitaminë D?

Peshku, vezët, kërpudhat, produktet e qumështit.

  • Sa vitaminë D duhet të marrim?

Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon 400-800 IU / ditë vitaminë D tek të rriturit, pavarësisht nga niveli i vitaminës D në gjak. Në rast të mungesës doza mund të rritet nën kontrollin e mjekut. (IU = International Unit)

Fondacioni Ndërkombëtar i Osteoporozës, për gratë mbi moshën 50 vjeç ose në menopauzë, rekomandon 1000 mg kalcium dhe 800 IU të vitaminës D në ditë për të parandaluar problemet e kockave.

  • Sa vitaminë D duhet te marrin të porsalindurit?

Të porsalindurve duhet t’u jepet 400 IU vitaminë D në ditë. Qumështi i gjirit gjithashtu përmban vitaminë D, por nuk është i mjaftueshëm. Edhe nëse vitamina D është e mjaftueshme tek nëna, rreziku i mungesës së saj rritet, përveç nëse foshnjat i ekspozohen rrezeve të diellit. Nëse foshnja nuk merr shtesa të vitaminës D dhe ushqehet vetëm me qumësht gjiri, nevoja e nënës për vitaminë D mund të arrijë deri në 4,000 – 6,000 IU.

Mungesa e vitaminës D, gjatë shtatëzanisë mund të rrisë rrezikun e hipertensionit, dhe lindjes cezariane. Gratë shtatzëna dhe ato qe ushqejnë me gji duhet të marrin të paktën 1000 IU shtesa të vitaminës D çdo ditë.