Dita Botërore e Librit/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Universiteti i Tiranës, angazhohen për rijetëzimin e klubeve të leximit në shkolla

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një tryezë diskutimi me botues, shkrimtarë, përkthyes, profesorë, me në fokus librin. “Sfida e shoqërive sot, është leximi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një tryezë diskutimi me botues, shkrimtarë, përkthyes, profesorë, me në fokus librin. “Sfida e shoqërive sot, është leximi.

Në këtë sfidë, përtej institucioneve që merren me librin, botuesve, shkrimtarëve, familja dhe shkolla luajnë një rol tepër të rëndësishëm në kultivimin e lexuesve të së ardhmes. Ne mund të shkojmë te shoqëritë e lira vetëm nëse kemi individë të rritur me librin, e në këtë sfidë, ne duhet të bëhemi bashkë”, tha drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli.

Bashkë me zv/dekanen e Fakultetit të Letërsisë, Elsa Skënderi, profesorin e njohur, Shezai Rrokaj, nga Universiteti i Tiranës, në prani të studentëve të letërsisë ata lançuan nismën “Studentët dhe klubet e leximit”. Kjo nismë ka në thelb rijetëzimin e klubeve letrare në shkolla.foto galeri Liderë të këtyre klubeve do të jenë studentët e letërsisë. Harta e shkollave që do të përfshihen në këtë projekt nuk është vetëm Tirana, por shkollat në të gjithë Shqipërinë.

“Edukimi është një proces i rëndësishëm në ngjizjen e dashurisë për librin. Përmes këtij projekti synojmë të kthejmë dashurinë për librin në shkolla”, tha Skënderi.

Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i pranishëm në këtë tryezë, u shpreh se duhet bërë më shumë për pasurimin e bibliotekave të shkollave, pasi, prej vitesh, ato vuajnë mungesën e librave.

Dita e Librit u kremtua me aktivitete në të gjithë Shqipërinë nga QKLL-ja. Aktivitetet kulmuan në qytetin e Durrësit, i cili është shpallur simbolikisht edhe kryeqyteti i librit për 2021-in.foto galeri