Droga “sheshit” në Tiranë/ Nga aplikacionet online tek cepat e shkollave, metodat e shpërndarjes së hashashit

Uniformat blu kanë etiketuar disa zona në kryeqytet ku dyshojnë se veprojnë grupe të vogla të cilët merren me shpërndarjen e lëndës narkotike.

Në Tiranë të gjesh drogë është e lehtë. Mjafton të pyesësh në çdo lagje të saj.

Referuar shifrave në 10 ditët e fundit në pranga kanë rënë 8 persona mes tyre dhe të mitur. Edhe pse policia prej kohësh realizon operacione për të goditur rastet e shpërndarjes së lëndëve narkotike, shumë zona në kryeqytet janë jashtë kontrollit të saj.

Shpërndarësit vendosen në afërsi të lokaleve, por edhe në dyert e shkollave. Për të mos rënë në gjurmët e policisë, ato përdorin minorenë, por edhe disa aplikacione.

Uniformat blu kanë etiketuar disa zona në kryeqytet ku dyshojnë se veprojnë grupe të vogla të cilët merren me shpërndarjen e lëndës narkotike.

“Shpërndarësit përdorin këto qese farmaceutike për të shitur lëndën narkotike. Çmimet variojnë nga 5 mijë deri  në 10 mijë lekë.”

Ish Parku i Autobusëve dhe ish stacioni i Trenit janë cilësuar si pozicione të nxehta për policinë.  Janë  identifikuar rreth 3-4 grupe personash të cilët shesin hashash.

Zona problematike janë edhe periferitë:  Lapraka, Astiri e Kombinati. Po ashtu Qyteti Studenti e më tej Sauku po kthehen në një kërcënim serioz.

Në të shumtën e rasteve arrestimet e këtyre personave bëhen në flagrancë. Të proceduar penalisht janë edhe klientët e tyre.

Mesazhet sensibilizuese kundër drogës  në rrugët e Tiranës mungojnë dhe po ashtu fushatat e aktivistëve të organizatave joqeveritare. Një gjë e tillë sipas ekspertëve do të ulte përdorimin e substancave narkotike. /oranews