E keqja më e vogël që nuk mbaron kurrë


Nga Redi Shehu
Impostimi i zhvillimeve tona politike të këtyre dekadave demokratike, është bërë në situata ku përfaqësia politike luhatet mes të këqiash që duhen përmirësuar, por kjo me anën e zgjedhjes së të keqes më të vogël. Tani, këtu ka një problem, sepse nuk ekziton një konsensus për të keqen më të madhe dhe të keqen më të vogël, për të cilat duhet bërë një zgjedhje në bllok. Fakti është që popujt tanë janë të ndarë mes dy konceptesh për të keqen më të vogël. Ajo që për popullin e majtë është e keqja më e vogël nuk është për popullin e djathtë dhe anasjelltas. Kjo e komplikon zgjidhjen e dilemës, sepse secili popull do t’i referohet zgjidhjes së problemit, duke hequr të keqen më të madhe që ai mendon, që në fakt përbën të keqen më të vogël të popullit tjetër elektoral.
Humbja e konsensusit për të mirën dhe të keqen, ka qenë një zanat i vjetër në këtë Shqipërinë tonë “me krye në hi”, që tashmë është kthyer në një profesion profesionistësh të cilët kanë siguruar jetëgjatësinë e karrierës së tyre, pikërisht në sajë të tretjes së kritereve vlerësuese, në sajë të kotësimit të kufinjve ndarës mes asaj që shoqërisht duhej konsideruar si virtyt dhe në sajë të relativizmit të konceptit të së moralshmes. Ndryshimi ynë me elektoratet e tjera të vendeve të standartizuara, është se ato janë përpjekur prej kohësh të dalin nga situatat e emergjencës politike dhe përballjen e ndërtojnë mbi premisën e asaj çka është kombëtarisht më pozitive dhe dobiprurëse se tjetra, jashtë qerthullit të të këqijave. Ndërsa tek popujt tanë elektoralë, të ndarë që në strukturën identitare, përzgjedhja e të keqes më të vogël prej kohësh ka prodhuar një të keqe më të madhe për t’u luftuar me anën e të keqes më të vogël të radhës. Partia Socialiste dhe z. Rama, thonë se për të hequr të keqen më të madhe, Saliun, duhet bërë gjithçka dhe i konsiderojnë lëvizjet amorale politike, si të keqen më të vogël. Z.Berisha dhe partia e tij, e kanë shpallur tashmë si sfidë zhdukjen e z. Rama nga politika si e keqja më e madhe, e për këtë çfarëdolloj metode, përbën të keqen më të vogël. Në këtë mënyrë u artikulua politikisht asokohe edhe z.Nano për z. Berisha, z. Basha per z. Rama, z. Berisha per z. Basha dhe anasjelltas.
Kështu, situata e emergjencës politike i kaloi caqet e të arsyeshmes dhe tashmë është kthyer në një sistem, në sistemin e “të këqiave më të vogla” kundrejt “të këqijave më të mëdha” të kahëve të kundërt. Mirëpo, kjo formë e ekzistencës së identiteve të dyfishta politike dhe kufinjve të dyfishtë të ndarjes morale, në fakt ka prodhuar në formë ciklike të këqija dhe tani pas më shumë se tre dekadash jemi përsëri në të njëjtën situatë. Nëse do të vazhdohet kështu, pjelloria në botën e të këqijave dhe të të këqinjve, do të vazhdojë të jetë e lartë dhe përsëri përplasja nuk do të zgjidhë asgjë, veçse shpërfytyrim të elektoratit dhe dëmtim të strukturës morale të shoqërisë.
Në këtë gjëndje, zgjidhja do të ishte lindja e një amortizatori politik, i cili të mbështetej i barazlarguar nga të dy krahët duke u distancuar nga ciklika e të keqes dhe duke paraqitur krejtësisht një ofertë politike bazuar mbi parimet më të mira që konsensualisht ekzistojnë në të gjithë elektoratin. Kështu, ndershmëria, antikorrupsioni, drejtësia, mirëqënia, punësimi, moraliteti, familja etj. janë vlera të përbashkëta për të dy popujt elektoralë në Shqipëri. Ndryshimi me politikën aktuale do të ishte, gjallimi i këtyre vlerave jo vetëm në retorikë, ashtu siç bën politika sot, por materializimin dhe zbritjen e tyre nga bota ideale në institucione funksionale. Për të ndodhur kjo, duhen njerëz të cilët nuk janë produkt i këtij sistemi të ndotur politik. Por fakti është se të gjithë ato forca për të cilat u shpresua se do ta luanin rolin e amortizimit politik, që nga LSI, AK, FRD, levizja e z. Torpalli etj, janë produkte të kësaj strukture të kompromentuar, janë thjesht zgjatime të tyre, të cilat inciativën e bazuan jo në një ideal dhe ofertë të re politike, por si hakmarrje e inateve politike ndaj padronëve të vjetër. Pra, asgjë të re, veçse disa detonatorëve shtesë për të hedhur në erë të këqiat më të mëdha aktuale në emër të këqiave më të vogla.
Problemi tjetër aspak i vogël është se struktura e mbyllur e të dy grupimeve më të mëdha politike, struktura e kodit të ri zgjedhor, hartimi i listave si dhe teknologjia e rekrutimit të prurjeve të reja në partitë politike, e bën të pamundur ardhjen e individualiteteve apo grupimeve me integritet, vlera dhe pavarësi konceptuale, të cilat mund të ndërronin qasjet konfliktuale. Përkundrazi, çdo hap politik i të gjitha niveleve, ndërmerret në bazë të një kriteri i cili rreptësisht sanksionon përfundimisht kultin e individit, kultin e liderit edhe nëse ai ndodhet në gabim nga mëngjesi deri në darkë. Kështu, ja ku ndodhemi në qarkun e mbyllur ku për të dalë nga ciklika e të këqijave je i dënuar së pari të futesh në xhirizin e të keqes me shpresë që ta pastrosh atë.
E vetmja mënyrë për të ndryshuar këtë sistem përzgjedhjeje mes të këqijash, është rivendosja e qënësishme dhe në formë të vërtetë të vlerave që i përmendëm më lart si arsye publike të shoqërisë. Që ndershmëria, drejtësia, mirëqënia, antikorrupsioni, morali, familja të kthehen në arsye publike, duhen grupime njerëzish që i kanë ideale jetësore ato dhe jo sllogane sociale, të mund t’i formulojnë ato në ofertë politike e cila duhet mbështetur mbi besueshmërinë dhe këmbënguljen. Është e pamundur që një ofertë e tillë politike, që të bind për thjeshtësinë dhe qëndrueshmërinë e saj, të mos marrë mbështetje popullore. E nëse e kalon edhe sprovën e të qënurit në pozitë dhe besueshmëria e qëndrueshmëria nuk luhaten, atëhere mund të projektohet si forcë e cila synon drejt lidershipit politik. Mendoj se grupime të tilla në shoqërinë shqiptare ekzistojnë me shumicë edhe pse ndodhen të shtypura nga presioni i lidershipit aktual. Ata duhen vetëm zbuluar e pastruar, ngjashëm me diamantet që qëndrojnë në heshtje në thellësi të tokës.