Edhe një institucion tjetër publik në Francë shënjestron AA-në

Institucionet publike në Francë vazhdojnë të shënjestrojnë mediat ndërkombëtare dhe Anadolu Agency (AA) që në kuadër të lirisë së shtypit i transmetojnë publikut ndërkombëtar me lajme dhe opinione presionet ndaj muslimanëve dhe turqve.

Franca, në periudhën e fundit, në vend që të luftojë kundër islamofobisë dhe politikat diskriminuese në rritje, preferon të shënjestrojë mediat ndërkombëtare që raportojnë lidhur me këtë.

Qeveria në Francë veçanërisht në muajt e fundit nëpërmjet projekt-ligjit “separatist” dhe operacioneve të kryera nën pretekstin e luftës kundër terrorit ka hedhur hapa që do të vështirësojnë jetën e përditshme të muslimanëve dhe do të sigurojë një terren ligjor për anti-islamizmin.

AA, e cila ka përgatitur lajme lidhur me këto zhvillime në Francë, qoftë duke biseduar me viktimat qoftë nëpërmjet hapave konkrete që institucionet përkatëse kanë hedhur, u shënjestrua nga Qeveria e Parisit e cila në çdo platformë e mbron lirinë e shprehjes.

Së fundmi, Komiteti Ndërministror për Parandalimin e Krimit dhe Radikalizimit pranë Ministrisë së Shtetit Përgjegjës për Çështjet e Qytetarëve në Francë (CIPDR) në një deklaratë nga rrjetet sociale pretendon se AA në publikimet e saj “sulmon Francën”.

Por AA, si një agjenci ndërkombëtare e lajmeve, përkundër pretendimeve të CIPDR, në kuadër të lirisë së shprehjes dhe duke u bazuar në parimet objektive të publikimit, informon publikun ndërkombëtar.

Përveç kësaj, veçanërisht opinionet në lajmet dhe publikimet e AA-së lidhur me zbatimet në fjalë të Francës, theksohen edhe nga akademikë, gazetarë dhe ekspertë francezë.

Politikat diskriminuese të Francës ndaj muslimanëve shpeshherë janë raportuar edhe nga mediat ndërkombëtare. Gazeta amerikane New York Times, kishte publikuar një lajm kritikues për shoqërimin në polici dhe marrjes në pyetje me orë të tëra të 4 fëmijëve të moshës 10-vjeçare, pasi shtëpitë e tyre në qytetin Albertville të Francës u bastisën nga policia, me pretendimin se “kanë mbështetur terrorizmin”.

Gazeta britanike Financial Times, nga ana tjetër, bëri një lajm që kritikon qasjen e presidentit francez Emmanuel Macron ndaj Islamit dhe muslimanëve. Në lajm u theksua se Macron diskriminoi muslimanët e vendit për shkak të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022 dhe ka krijuar një klimë frike dhe dyshimi kundër tyre.

“Anadolu Agency ka përmbushur detyrën e saj për të informuar publikun në mënyrë të drejtë”

Kryetari i Bordit Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz, në deklaratën lidhur me çështjen tha se, AA do të vazhdojë publikimet e respektuara dhe efektive në platformat ndërkombëtare.

“Projekt-ligji ‘separatist’ që është në procesin e miratimit të Kuvendit Kombëtar në Francë dhe zbatimet që bëhen në emër të luftës kundër terrorit, janë ndjekur nga afër nga të gjitha mediat ndërkombëtare, jo vetëm nga AA dhe këto zbatime kanë qenë temë e lajmeve-opinioneve dhe kritikave. Në këtë drejtim, Anadolu Agency ka përmbushur në mënyrë të denjë detyrën e saj për të informuar publikun në mënyrë të drejtë”, vlerësoi Karagöz, duke shtuar se si çdo media edhe AA ka një platformë nën titullin “opinion” ku i mundëson autorit të komentojë lirshëm.

“Përmbajtja e AA-së lidhur me diskriminim dhe islamofobi mund t’i shqetësoj disa qeveri. Këto qeveri në vend që të na sulmojnë neve për shkak të publikimeve tona, duhet të bëjnë rregullore demokratike në lidhje me çështjet që marrin pjesë në përmbajtjet e lajmeve tona dhe të heqin dorë nga nxitja e diskriminimit dhe Islamofobisë”, tha më tej Karagöz.

“Është e pa pranueshme që të vihet në pikëpyetje, e për më tepër të tregohet si objektiv në opinionin e Francës gazetaria e Anadolu Agency e cila përmbush të drejtën e publikut për tu informuar”, tha Karagöz duke vazhduar më tej:

“Sulmet e tilla antidemokratike nuk janë sulme që bëhen ndaj Anadolu Agency por sulme të bëra ndaj lirisë së shtypit dhe demokracisë. Qeveria e Francës duhet sërish të përqafojë konceptet e ‘demokracisë, barazisë dhe vëllazërisë” që njihen si simbole të Francës, duhet të largohet nga kjo qasje diskriminuese dhe antidemokratike dhe të respektojë lirinë e shtypit. I konsideroj shqetësuese politikat antidemokratike dhe diskriminuese të Francës që janë në rritje në periudhën e fundit për sa i përket vlerave evropiane. Këto politika, janë politika që helmojnë shoqërinë evropiane, shkaktojnë institucionalizimin e racizmit dhe diskriminimit. Kjo qasje e qeverisë franceze mund të shkaktojë në kaos social në Evropë. Do të vazhdojmë t’i përcjellom botës zërin e milionave që jetojnë në Francë dhe diskriminohen nga qeveria dhe do të vazhdojmë të ushtrojmë vetëm gazetarinë”.

Edhe transmetuesi publik “France 5” kishte shënjestruar AA-në

Përveç CIPDR edhe transmetuesi publik “France 5” kishte shënjestruar AA-në. Në programin e titulluar “Sulltan Erdoğan që e sfidon Evropën” transmetuar më 23 mars në “France 5”, ishte pretenduar se AA-ja “prodhon lajme të rreme lidhur me Francën” dhe “bëhet gjithçka që Franca të pasqyrohet si islamofobike”.

CIPDR edhe më parë ka dhënë deklarata që shënjestron Marwan Muhammed, ish-drejtorin e përgjithshëm të Kolektivit Kundër Islamofobisë në Francë (CCIF) i shpërbërë nga qeveria e vendit.