Ekonomia amerikane pëson tkurrjen më të madhe që prej Luftës II Botërore

Gjithashtu, ishte hera e parë që ekonomia amerikane kaloi në recesion që prej krizës së viteve 2007-2009.

Ekonomia amerikane pësoi tkurrjen më të madhe që prej fundit të Luftës II Botërore në vitin 2020, për shkak të frenimit të diktuar nga pandemia të industrive kryesore dhe humbjes së vendeve të punës nga miliona amerikanë.

Të dhënat e publikuara nga Departamenti i Tregtisë për tremujorin e katërt treguan se ringritja ishte ngadalësuar me shtimin e rasteve me koronavirus, pavarësisht shpërndarjes së rreth 3 trilionë dollarëve në fonde nga qeveria për njerëzit dhe bizneset.

Në shifra konkrete, ekonomia u tkurr me 3,5%, niveli më i madh prej vitit 1946. Rënia vjen pas një rritje prej vetëm 2,2% në vitin 2019. Gjithashtu, ishte hera e parë që ekonomia amerikane kaloi në recesion që prej krizës së viteve 2007-2009.

Situata mund të mos ndryshojë shumë në tremujorin e parë të vitit 2021, thotë CNN, duke cituar disa ekspertë të ekonomisë. Por, gjërat mund të përmirësohen me ardhjen e pranverës, për shkak se moti më i ngrohtë mund të lejojë njerëzit të kryejnë më shumë aktivitete, ndërkohë që plani për vaksinimin e popullsisë nga koronavirusi do të vijojë.

“Nëse efikasiteti i vaksinave do të lejojë një rikthim në normalitet dhe do të ketë më tepër stimuj financiar nga administrata Biden, mendojmë se GDP do të rritet 6,5% këtë vit”, tha Paul Ashworth, drejtues i ekonomisë te “Capital Economics”.