Ekspozita “Fotografët e Periudhës Osmane” hap dyert në qytetin e Shkodrës

Pas një periudhe të gjatë me mungesë evenimentesh kulturore, Shkodra këtë herë ka ofruar për artdashësit pamje të rralla nga Muzeu i Marubit ku ka hapur dyert ekspozita e titulluar “Fotografët e Periudhës Osmane”. Ajo që e bën të veçantë këtë natë ishin bashkëpunëtorët e kësaj ekspozite, Ambasada e Turqisë në Tiranë, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Universiteti Yıldız Teknik, si dhe Qendra e Aplikimit dhe Kërkimit Sultan Abdulhamiti II pranë Universitetit Stamboll.

Ministrja Elva Margariti, e pranishme në këtë aktivitet, u shpreh se kur kanë zbuluar se fotografitë e Marubit ishin pjesë e një koleksioni tepër të rëndësishëm kanë kuptuar akoma më tepër që imazhet e këtij patriarku të fotografisë shqiptare kishin gjetur hapësirën e tyre të artë edhe në hapësira të tjera territoriale, ku ishin vlerësuar ashtu siç është vlerësuar tashmë këtu në këtë hapësirë kaq të posaçme në Shkodër.

– TIKA partner i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

“Prezenca e TIKA-s që ka qenë një partner i vazhdueshëm për ne në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, vjen kësaj radhe si një partner akoma edhe më i veçantë sepse ka bërë të mundur falë edhe bashkëpunimit të mirë që kemi pasur me Ambasadën e Turqisë që gjithmonë ka mbështetur marrëdhëniet e mira midis dy shteteve, sjelljen e kësaj ekspozite sidomos të këtij katalogu si një vlerë e shtuar e të gjithë raportit që ne kemi pasur ndër shekuj dhe tashmë i mirë përcaktuar edhe në një hapësirë që lidhet ngushtësisht me artin, kulturën, pro ngushtësisht me memorien.” Ministri Margariti në vijim tha se është hera e parë që do të ekspozohen koleksionet e fotografëve të Periudhës Osmane në arkivën e Sulltan Abdulhamitit të II-të në Stamboll.

– TIKA prej një çerekshekulli e pranishme në Shqipëri

Zv Presidenti i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik, i pranishëm në këtë aktivitet si organizator, foli për praninë e kësaj agjencie në Shqipëri duke nënvizuar se prej një çerekshekulli operojnë me zyrën e tyre në Shqipëri.

“Gjatë gjithë shërbimit tonë në Shqipëri me kontributin tonë nuk synojmë vetëm ngritjen nga ana ekonomike, por gjithashtu edhe nga ana kulturore dhe artistike”, tha ai ndër të tjera ndërsa në vijim theksoi se me këtë mbështetje synojnë fuqizimin e të gjithë elementëve kulturorë.


Në vijim të fjalës së tij Çevik tha: “Në këtë gjeografi, në këtë territor kemi bashkëjetuar për një kohë shumë të gjatë dhe gjatë kësaj periudhe kemi kultivuar poetë, muzikantë dhe artistë tonë të përbashkët. Në mbështetjen e kësaj ekspozite me kontributin e çmuar nuk patëm asnjëherë asnjë ngurrim. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë sërish për të rikthyer kujtesën tonë të bashkëjetesës dhe të kulturës së përbashkët.’

– Shqipëria dhe shqiptarët zënë vend të veçantë në zemrën e kombit turk

Në një fjalim të mbajtur gjatë ceremonisë, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük tha se i kanë dedikuar më shumë se 6 muaj përgatitjes së kësaj ekspozite.
“Shqipëria dhe shqiptarët zënë një vend të veçantë në zemrën e kombit tonë”, tha Ambasadori Yörük në vijim të fjalës së tij teksa nënvizoi se viti 2021 është vit i rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve.


“Sulltan Abdulhamiti i II-të, i cili gjithashtu posedonte një vëmendje personale për artin e fotografisë dhe fotografimin ka mbështetur fotografë të rajoneve të ndryshme të Shtetit Osman” tha ai dhe më pas shtoi se ai ka punësuar dhe fotografë për të fotografuar ngjarjet historike të shtetit.

Yörük ndër të tjera tha gjithashtu: “Këto fotografi nuk duhet të shikohen vetëm si fotografi portretesh apo peizazhesh. Në fakt ato hedhin dritë mbi pikat e përbashkëta të jetëve të njerëzve të dy qyteteve të pozicionuar rreth një mijë kilometra larg njëri-tjetrit. Hedhin dritë mbi kulturat e përbashkëta të kombeve turke dhe shqiptare.”
Ekspozita e organizuar nga Muzeu Marubi në Shkodër është mbështetur nga Ministria shqiptare e Kulturës, Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, TIKA dhe Ambasada e Turqisë në Tiranë.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi TIKA gjithashtu ka mundësuar edhe publikimin e albumit të rrallë me foto nga periudha e Abdulhamitit të II-të që i përkisnin Galerisë Marubi./FREKUENCA.NET