Evropa tashmë ka një partner dinjitoz

Nga Redi Shehu

Mjaftoi vetëm një pakënaqësi e Kryeministrit Rama ndaj Bashkimit Evropian dhe Francës lidhur me vaksinat, dhe menjëherë çështja u bë e madhe. Thelbi i gjithë kësaj zamallahie ishte se Shqipëria politikisht po dilte kundër Bashkimit Evropian. Ajo që më shumë e furnizoi me karburant këtë ide, ishte fakti se Rama sapo qe kthyer nga nja vizitë historike mbresëlënëse në Ankara, në të cilën u firmosën një sërë marrëveshjesh politike dhe ekonomike. Pra, ngjyrimi duhej të ishte i tillë që, meqë kryeministri doli super i kënaqur nga një “plan marshall” turk, atëhere ai mundej fare lehte të bënte të fortin me BE-në.

Vetë kjo dilemë e ngritur nëse po sulmohet BE apo jo, pikërisht tani pas një marrëveshjeje shqiptaro-turke, tregon për dy gjëra. Ose injorancë e thellë në të kupturarit e marrëdhënieve gjeopolitike dhe interesave tona kombëtare, ose dashakeqësi dhe ksenofobi. Vërtet, kryeministri, duke folur me shpoti për premtimet e pambajtura të Bashkimit Evropian për vaksinat ndaj vendeve të Ballkanit, donte t’u çonte një mesazh të posaçëm, thelbi i të cilit tregonte se tanimë Shqipëria nuk do të jetë më ai vendi ku të gjitha fuqitë evropiane e trajtonin si një ibrik rezerve në bodrumin ballkanik. Kritika ndaj BE-së, donte të tregonte se një epokë e re në marrëdhëniet me Shqipërinë sapo ka filluar, një epokë ku servilizmi do marrë fund dhe evropianët duhet t’i trajtojnë shqiptarët as më shumë e as më pak sa serbët trajtohen nga BE.

Jo vetëm kaq, por ne si shqiptarë, duhet të dalim nga guacka e inferioritetit dhe të kemi edhe qasje kritike ndaj Evropës sidomos ku ajo nuk mban një standart apo një kurs në proçedurat e integrimit me vendet e rajonit. Kjo qasje kritike, nuk duhet të jetë qëllim në vetvete por një mjet për të kuptuar se si janë gjërat në realitet. Bashkimi Evropian duhet të jetë i sinqertë kur bëhet fjalë për proçedurat e integrimit, sepse fqinji ynë Serbia ka arritur deri në hapjen e gjysmës së kapitujve të negociatave për anëtarësim edhe pse korrupsioni, liria mediave si dhe gjykatat atje lënë shumë për të dëshiruar. Nërkohë që Shqipërisë dhe Kosovës, i renditen me dhjetra kushte të cilat ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme. Kësaj i thonë të ndryshosh jo vetëm rregullat e lojës, por vetë lojën, sidomos duke u bazuar në deklaratat e Francës se duhet jo një integrim, por një partneritet i posaçëm për disa vende të Ballkanit në raport me BE-në.

Sot, Bashkimi Evropian është më pak i integruar në vetvete se asnjëherë tjetër. Idealet e Jean Monnet dhe Robert Schuman si baballarët themelues të BE-së, janë më të pakuptueshme se asnjëherë tjetër. Një organizim, i cili nisi si një njësi ekonomike evropiane, vazhdoi si boshti më i madh politik i parë ndonjeherë në këtë kontinent, dhe tani nuk ka një kuptim të qartë për veten se çfarë përfaqëson, çfarë do bëjë dhe ku do shkojë? Kriza e emigrantëve si dhe kriza botërore e Covid 19, shfaqi problemet reale që ky organizëm ka në mënyrën e vendimarrjes dhe zgjidhjes së problemeve të veta. Mjafton të përmendim se si u trajtua Italia nga BE në momentin më të vështirë të historisë së saj moderne, apo bojkotet dhe bllokimet e aparaturave dhe medikamenteve që shtete të ndryshme evropiane i bënin njëra-tjetrës krejt në kundërshtim më botëkuptimin themelor që ajo u ngrit siç është humanizmi.

Marrëdhënia e Shqipërisë me Bashkimin Evropian këto tre dekada, ka qenë marrëdhënia e një shteti të vogël dhe të parëndësishëm me një superfuqi. Dëshira jonë e flaktë për integrim, ka qenë e bazuar kryesisht në shpresën se ky anëtarësim do të mund të na ndihmonte të bënim shtet dhe të zhvilloheshim ekonomikisht për të arritur standartet e mirëqënies dhe progresit tonë. Pra, thënë tjesht, BE përfaqëson mjetin për të arritur qëllimin final i cili qështë bërja e Shqipërisë. Integrimi në vetvete, nga mjet u kthye në qëllim kryesisht nga disa elita europeiste të cilat vini nga një trashëgueshmëri komuniste e marrëdhënieve ndëkombëtare, të cilat politikën e vetme të izolimit dhe padepërtueshmërisë në atë kohë, me ndryshimin e sistemit, e transformuan politikën e integrimit në të vetmen rrugë, duke e lënë Shqipërinë të paaftë për të ndërtuar marrëdhënie shumë planëshe me vende e fuqi të tjera.

Politikisht dhe ekonomikisht, Shqipëria, nuk do të thotë asgjë për Bashkimin Evropian. Ajo ka qenë gjithmonë në sytë e kësaj të fundit një shtet ballkanik tërësisht i parashikueshëm në gabimet dhe telashet e veta. Për këtë arsye, nuk ka ngjallur ndonjë kërshëri për evropianët as edhe frikë për ndonjë të papritur gjeopolitike, prandaj është lënë në vagonin e fundit të trenit të plakur evropian, me idenë se ndonjëherë fatorinoja do të dukej atje për të kërkuar biletën e hyrjes në të. Ndëkohë që Serbia ka ngjallur gjithmonë kërshërinë dhe interesin evropian, për skak të lojës së saj gjeopolitike, ku nga njëra anë vazhdonte proçedutrat e integrimit dhe nga ana tjetër zhvillonte marrëdhënie të forta tregëtare, politike dhe ushtarake me Rusinë dhe me Turqinë.

Prandaj, vizita e kryeministrit Rama në Ankara ishte e rëndësishme për Shqipërinë, sepse për here të parë ajo po dilte nga rutina e të qënurit pa fantazi dhe politikë të jashtme aktive, drejt një aksioni gjeopolitik që ngjall interes pse jo dhe konkurencë. Ja, pse kjo lëvizje e rëndësishme e marrëdhënieve ndërkombëtare e Shqipërisë, e çon atë drejt një faze të re ku marrëdhënia me BE-në nuk do jetë thjesht një proçedurë e bezdisshme vasaliteti, por një partneritet me dinjitet. Hapja e një porte të re të Shqipërisë drejt një vendi si Turqia e cila nuk mund të konsiderohet si Lindje, por një vend strategjik dhe superfuqi që ka marrëdhënie të ngushta me BE-në, është mënyra më e mirë për të treguar se Shqipëria nuk do jetë më një vend pa peshë, rëndësi dhe dinjitet. Shqetësimi mbi kritikat e kryeministrit Rama ndaj vaksinave evropiane, është një virus i vjetër që aktivizohet sa herë gjërat për Shqipërinë bëhen mbarë e mirë.