Facebook u bën thirrje partive shqiptare të jenë transparente në reklama

Zgjedhjet në Shqipëri gjithmonë janë kontestuar dhe në to janë shënuar parregullsi, duke përfshirë supozimet për blerje të votave dhe manipulime në procesin e numërimit. 

Gjiganti teknologjik Facebook ka thënë se partitë politike në Shqipëri duhet të jenë më transparente se si financojnë reklamat e tyre politike nëpër faqet që kanë, para zgjedhjeve të muajit të ardhshëm.

Në një deklaratë të Facebook-ut është thënë se duke nisur nga dita e enjte “të gjitha reklamat zgjedhore dhe ato politike në Shqipëri duhet të bëhen nga reklamues të autorizuar dhe të kenë mbishkrimin ‘paguar nga’”, shkruan REL.

Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 25 prill.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata zgjedhore pritet të zhvillohet shumë nëpër rrjetet sociale.

Ky vend është duke zbatuar masa të rrepta kundër pandemisë, përfshirë orën policore gjatë natës, vendosjen e detyrueshme të maskave dhe ndalimin e organizimeve me më shumë se 10 persona.

Prej qershorit të vitit 2019, Facebook i ka funksionalizuar mundësitë për transparencë në gjithë botën, çka u ka mundësuar reklamuesve që të autorizohen në mënyrë që të krijojnë reklama.

Zgjedhjet në Shqipëri gjithmonë janë kontestuar dhe në to janë shënuar parregullsi, duke përfshirë supozimet për blerje të votave dhe manipulime në procesin e numërimit.