Festa e papërjetuar si shpirti i mjeruar

Mëngjesi i asaj dite s’mori asnjë ngjyrim emocional për të, pasi orët e mesditës u dukën sikur trokitën vonë në shtratin e tij dhe në atë përgjumje që s’dëshironte të çelej edhe për shumë më gjatë.

Nga Evans Drishti

S’është se kishte rënë vonë atë mbrëmje, e megjithatë një gjumë i thellë e kishte mbuluar një natë të gjatë, ku ëndrrat sorollateshin e vërtiteshin duke endur madje edhe në orët e vona të mëngjesit.

Me t’u ngritur në mëngjes i hodhi një sy orës, vetëm kur vuri re se ishte akoma herët, dhe për më tepër që ajo ditë ishte “ditë pushimi”, iu kthye sërish rehatisë që i kishte ofruar deri në atë çast gjumi, por këtë herë i sigurtë se nuk do të merakosej fare për kalimin e orëve nxitimthi.

Mëngjesi i asaj dite s’mori asnjë ngjyrim emocional për të, pasi orët e mesditës u dukën sikur trokitën vonë në shtratin e tij dhe në atë përgjumje që s’dëshironte të çelej edhe për shumë më gjatë.

Përse të zgjohem herët? Ç’të bëj? Ku të shkoj? Ç’më duhet festa? Festime? Ç’më interesojnë? Ç’do të më japin? Ç’përfitesë kam prej tyre? … Të tilla pyetje e rrokullisnin mendjen e tij naïve, që natyrshëm dukej se s’kishte asnjë lloj pritshmërie prej një të tillë dite të gëzueshme dhe plot hare.

Djaloshi i ri s’kishte asnjë objektiv që ti kish vënë vetes për të tilla raste, s’kishte asnjë qëllim në vetvete që do të mund të realizonte, s’kishte asnjë dëshirë dhe pasion që të mund ta gjallëronte pasi ishte mësuar që “ditët e pushimit” ti kalonte në përgjumje të plotë dhe të thellë, të rrokej e të përqafonte gjumin e tij që s’vlente për tjetër gjë vetëm të zbrazte shpirtin e tij dhe ta hidhte tutje në mjerim…

….

Me ëndje kujtohen ato kohë… Kur nënat tona, gjyshet tona ngriheshin ditë më parë para se të afronte koha e festës së Bajramit dhe hapnin me aq përkujdesje petët e bakllavave, të cilat padyshim kundërmonin një aromë tejet të shijshme. E të mos harrojmë se ruheshin me po aq përkujdesje deri ditën e festës së Bajramit, veçanërisht për mysafirët që do të urdhëronin në shtëpi…

Me ëndje kujtohen ato kohë… Kur vishnim rrobat më të bukura, të përgatitura me aq rigorozitet dhe hijeshi posaçërisht vetëm për këtë festë dhe së bashku me familjarët shkonim për vizita tek të afërmit tanë, qofshin ata të brezit të ri apo edhe të brezave më të largët…

Me ëndje kujtohen ato kohë… Kur buzëqeshjet e njerëzve s’mungonin asnjëherë, edhe pse varfëria, pse jo edhe skamja ishin mbizotëruese, kur çiltërsia ishte përherë evidente, kur ngrohtësia shpirtërore të përfshinte kudo që të ishe, kur gatishmëria për të ofruar një ndihmesë apo një shërbim sado të vogël ishte e menjëhershme… Kjo pasi njerëzit kishin përfituar së tepërmi nga mirësitë e një muaji të tërë begatish që kishte ofruar Ramazani duke kultivuar në ta etikën e shëndetshme.

Me endje kujtohen ato kohë… Kur njerëzit ngriheshin që herët për përgatitjet e faljes së namazit të Bajramit, kur lodrat s’reshtnin pa përcjellur tingujt e magjishëm të një atmosfere të shumëpritur, kur rrugicat gumëzhinin nga hareja e vogëlushëve me lodrat e tyre, që për atë kohë ishin tejet të pakta, kur njerëzit vlerësonin njëri-tjetrin jo për nga paraqitja, por nga fisnikëria dhe njerëzillëku që shfaqnin…

Me ëndje kujtohen ato kohë… Kur vogëlushët vraponin të përqafonin gjyshërit e tyre duke u mbushur me mallin që të fal shpirti rrezatues, kur të rriturit u gëzoheshin mundimeve dhe sakrifivace pa fund, kur të rinjtë bashkoheshin në oborret e shtëpive duke shpalosur ëndrrat e tyre vigjilente…

Me ëndje kujtohen ato kohë… Kur familjet ishin më të bashkuara se kurrë më parë, kur në sofrat tona uleshim së bashku dhe shijonim mirësitë dhe begatitë që na ishin ofruar në ato ditë festimesh, edhe pse varfëria lodhte shpirtrat njerëzorë….

Me ëndje kujtohen ato kohë… Kur shtëpitë s’pushonin së prituri mysafirë të ndryshëm që shprehnin urimet më të sinqerta dhe të përzemërta për ditët që përjetonim si: “Për shumë mot gëzuar!”, kur të vegjlit njiheshin më nga afër me të afërmit e tyre e kështu forcoheshin edhe më shumë lidhjet farefisnore…

Me endje kujtohen ato kohë… Kur në raste eventesh të ndryshme institucionet arsimore dhe jo vetëm organizonin programe të larmishme tejet argëtuese, edhe pse në kushte dhe rrethana aspak të volitshme, ku çdo fëmijë përfshihej në botën e magjishme të një dite dhe një date të shënuar dhe si e tillë të tilla evente skaliteshin në memorien e tij duke formuar rrjetin e gjerë të historisë njerëzore…

Po sot?…

Edhe pse në kushte të një pandemie kaq të padëshirueshme, sërish kemi mundësi të gjallërojmë veten, familjet tona dhe të tjerët në këto ditë Bajrami …Natyrshëm edhe në ditë të festave të ndryshme…

Mos harroni t’u bëni një telefonatë njerëzve tuaj të afërt a të largët apo edhe një mesazh, por kujdes, jo nga ato shabllonet “false” të një “urimi” të përtharë, por mesazhe të sinqerta dhe plot domethënie… Mos hezitoni t’u telefononi, sidomos me pamje që të shiheni dhe të kuptoheni edhe më mirë, reflektoni mirësi dhe urtësi, shpalosni fjalë zemre dhe të sinqerta dhe jo fjalë boshe dhe pa vend…

Mos harroni të zgjoheni herët ju të rinj dhe ti gëzoheni kësaj dite apo edhe këtyre ditëve të bukura dhe plot hijeshi, lëreni mënjanë orën e trishtueshme të gjumit përvëlues dhe gjallërohuni, krijoni sa më shumë ura lidhëse me njerëzit që ju rrethojnë, me të afërmit tuaj, me dajallarët, tezet, hallat apo xhaxhallarët, me bashkëmoshatarët tuaj… Kuptojeni dhe përjetojeni domethënien që mbart kjo festë e Bajramit të madh që të kultivoni tek vetja sublimen dhe atë që ju bën të quheni “Njeri!”… Kuptoni se ç’domethënie mbartin festat e ndryshme në ditët e të cilave ju është mundësuar të qëndronin “pushim”…

Mos harroni ju të rinj t’u shprehni urime të sinqerta dhe të përzemërta mësuesve dhe edukatorëve, pavarësisht se nuk është 7 marsi i zakonshëm, që shpenzuan dhe po shpenzojnë kaq shumë nga koha dhe shpirti i tyre që t’u japin shpresën e së ardhmes tuaj, lërini mënjanë mëritë që mund të kini dhe tregohuni dashamirës dhe respektues ndaj identitetit tuaj dhe personalitetit të tyre, vlerësojeni mundin dhe sakrificën e tyre jo vetëm për këto ditë festash, por gjithnjë…

Mos harroni ju të nderuar prindër, afrojini fëmijët tuaj sa më shumë dhe demonstroni që jeni përherë përkrah tyre, bashkohuni me ta, me shpirtin e tyre, lërini mënjanë qortimet dhe vesveset e juaja, por përpiquni t’i kuptoni dhe t’i harmonizoni, pasi të tilla raste nguliten përherë në kujtesën e tyre dhe në këtë mënyrë lini gjurmë tejet të mahnitshme për një të ardhme sa më harmonizuese familjare… Mos harroni t’u shpjegoni fëmijëve tuaj rëndësinë që ka kjo festë e veçantë dhe përjetimet që sjell tek secili, mos hezitoni t’u shpjegoni ç’kuptim kanë festat e ndryshme gjatë një viti 365 ditor, t’u tregoni cilat janë të veçantat e tyre dhe ç’duhet bërë apo si duhet vepruar në të tilla evente…

 

Mos harroni, bëni diçka të bukur së bashku, organizohuni në një piknik të këndshëm buzë lumit, liqenit apo detit, e veçanërisht në shijim të madhështisë që të ofron bukuria natyrore… Dilni me biçikleta apo edhe në këmbë për të shijuar ëmbëlsinë që të japin rrezatimet diellore dhe puhizat e këndshme…

Mos harroni, kujtoni njerëzit që keni humbur së afërmi apo edhe kohë më parë, bashkëbisedoni për veprat e tyre të mira, përpiquni që të vijoni punët e tyre me vlerë…

Mos harroni, përpipuqni që të zbuloni vende të reja dhe ti vizitoni ato, kështu harmonizoheni edhe më shumë me veten dhe vendin tuaj…

Mos harroni, kthehuni së shkuarës suaj dhe të familjes suaj që të kuptoni më mirë se kush jeni, hidhni një sy albumeve të mëparshme dhe rifreskoni kujtesën që të gjallëroni të tashmen tuaj si një përgatitje për të ardhmen… Mos harroni, hulumtoni bashkë me fëminë tuaj rreth historikut të kësaj dite të Bajramit apo edhe të datave të tjera të shënuara, vizitoni sipas mundësive vëndet ku mund të përjetoni emocione të veçanta që dhurojnë të tilla festa tradicionale…

Mos harroni të shfletoni ndonjë libër interesant dhe tërheqës, qoftë ky roman apo edhe ndonjë tregim i shkurtër, paqësohuni me leximin origjinal që të shijoni më mirë subjektin e dhënë dhe realitetet përkatëse…

Mos harroni, ndalojeni kohën për pak çaste dhe meditoni… Heshtni për pak çaste dhe meditoni… Hiqeni telefonin nga duart për pak çaste dhe meditoni… Lëreni impenjimin tuaj për pak çaste dhe meditoni… Çdo meditim sjell një reflektim dhe çdo reflektim është një mundësi e mirë për një bashkëbisedim me veten…

Mos harroni, shpalosni përpara vetes ato që keni arritur deri tani … Kuptoni ç’keni bërë dhe ç’ju duhet më të realizoni… Llogarisni pakëz kohën që keni kaluar dhe vërini në balancë…

Mos harroni festa e papërjetuar është si shpirti i mjeruar… Cili prej jush dëshiron të jetojë në mjerim?!…