Fitimet e operatorëve celularë, larg viteve të arta

Fitimet janë rikthyer në vitin 2019-2020 për dy shoqëritë më të mëdha të telekomunikacionit në vend, por ato mbeten larg periudhës së artë të një dekade më parë (në 2008, më i miri historik, fitimet e ish -Telekom Albania dhe Vodafone arritën në 200 milionë euro së bashku, me një normë fitimi para taksave prej përkatësisht 57.5% dhe 50.7%, sipas bilanceve zyrtare).

“Vodafone Albania”, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 12.6 miliardë lekësh në 2020-n (tkurrje 20%), sipas të dhënave të vetë kompanisë, ka raportuar dhe një rënie të fitimeve, në 311 milionë lekë (-83%).

Për “One Telecommunication”, ndryshimi i pronësisë në fillim të 2019-s ka rezultuar pozitiv. Pas dy vitesh me humbje të mëdha, që arritën në vitin 2018 në një rekord negativ prej 4.7 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave të atij viti), dhe rezultatit minimal pozitiv në 2019-n, operatori ka shënuar fitime të larta prej 1.1 miliardë lekësh, që e renditën atë ndër 10 më të mëdhatë në listën e këtij viti. Përmirësimi i rezultatit financiar erdhi si rrjedhojë e uljes së kostove, teksa të ardhurat ishin pothuajse të pandryshueshme në rreth 8.5 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit, 2020-a ka qenë një vit mjaft sfidues, me një ambient të pafavorshëm makroekonomik, si rezultat i pandemisë së COVID-19 dhe konkurrencës së ashpër. Efektet negative të tërmeteve që ndodhën në 2019-n në kombinim me konsolidimin e mjedisit me pakicë dhe një ngopje të tregut (depërtimi i SIM arriti në 117% të popullsisë) kanë përkeqësuar më tej mjedisin makroekonomik.

Por raporti thekson se përkundër mjedisit të pafavorshëm të jashtëm, i cili ka nxitur rënien e të ardhurave totale të sektorit, Shoqëria ka arritur të mbajë të njëjtin nivel të të ardhurave si në vitin 2019. One Telecommunication zgjeroi 37% bazën e klientëve, ndërsa siguroi një kthim të kënaqshëm të kapitalit dhe investimeve në krahasim me vitin paraprak.

Në fillim të 2019-s, Grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, “Deutsche Telecom” – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania” (sot One Telecommunication) e shiti kuotën e tij te sipërmarrja bullgare “Albania Telecom Invest AD”, për një shumë totale prej 50 milionë eurosh.

“Albania Telecom Invest AD” kontrollohet nga z. Elvin Guri, investitor shqiptaro-bullgar, me 54% të aksioneve, dhe pjesa tjetër zotërohet nga aksioneri, Atanas Dobrev, në Bullgari dhe në rajon. (Në shtator 2020, aksioneri kryesor i kompanisë në momentin që u bë blerja në Shqipëri, Spas Rusev, doli përfundimisht nga investimi në kompani, duke e shitur pjesën e tij të aksioneve te dy aksionerët ekzistues).

Burimi: AKEP, QKB

“Albtelecom”, me aktivitet në fushën e telefonisë fikse dhe celulare, ka raportuar humbje të larta prej gati 1.2 miliardë lekësh, dy herë më shumë se një vit më parë. Përkeqësimi i rezultatit financiar erdhi nga tkurrja e të ardhurave me 8.6%, në 7.2 miliardë lekë (e ndikuar kryesisht nga tkurrja e shitjeve nga shërbimi telefonik kombëtar mobile, ai ndërkombëtar dhe interkoneksioni ndaj operatorëve). Tkurrja e shpenzimeve, në anën tjetër, nuk arriti të amortizonte rënien e të ardhurave.

“Abcom”, një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet), që u ble nga “Vodafone” në 2019-n, operoi si e vetme edhe gjatë 2020-s. Fitimi para taksave ishte 56.4 milionë lekë, sipas burimeve nga kompania.

Më 30 dhjetor 2020 u miratua dhe bashkimi me përthithje i “Abcom”, nga “Vodafone”, ku u bë transferimi i aktiveve dhe pasiveve të “Abcom” “Vodafone”, bazuar në bilancet e audituara përkatëse, 2020.

“Info-Telecom”, me aktivitet shërbimet e faturimit të tranzitit kombëtar e ndërkombëtar, apo transmetimin e të dhënave, raportoi fitime para taksave prej 340 milionë lekësh në vitin 2019, me një normë minimale kthimi prej 1.3%, për shkak të natyrës së aktivitetit (kompania bazohet në shitblerjen me shumicë të minutave të telefonisë Voice, sms, roaming, data roaming midis operatorëve ndërkombëtarë).