Fshati i humbur shfaqet në liqenin italian

Liqeni i Resia, ose siç njihet në gjuhën gjermane Reschensee, ndodhet në Tirolin Jugor, rajoni alpin në kufi me Austrinë dhe Zvicrën.

Në 70 vitet e fundit, shenja e vetme e fshatit të humbur Curon ka qenë shfaqja kureshtare e kambanores së një kishe të shekullit XIV, në mes të një liqeni. Tani, për herë të parë në disa dekada, banorët e Liqenit Resia në Tirolin Jugor, në Itali, po ecin në rrënojat e fshatit të vjetër

Punimet për riparimin e një rezervuari hidrik në Itali zbuluan rrënojat e një fshati që ishte zhytur për dekada.
Liqeni i Resia, në veri të vendit, është më mirë i njohur për kambanoren e kishës që shfaqet nga ujërat e tij të akullta. Peizazhi mbresëlënës ka frymëzuar madje një libër dhe një seri televizive në Netflix.

Por me liqenin e tharë përkohësisht, banorët e vendit kanë mundur të shohin gjurmët e fundit të Curon, një fshat në të cilin njëherë e një kohë jetonin qindra banorë para se të zhytej nën ujë për të krijuar një hidrocentral në vitin 1950. Liqeni i Resia, ose siç njihet në gjuhën gjermane Reschensee, ndodhet në Tirolin Jugor, rajoni alpin në kufi me Austrinë dhe Zvicrën.

Foto: Luisa Azzolini

Në fotot e publikuara në rrjetet sociale shihen shkallët, kantinat dhe muret mbi atë që normalisht do të ishte shtrati i liqenit, pranë kambanores më të njohur të kishës të shekullit XIV.

Foto: Luisa Azzolini

Luisa Azzolini, banore në këtë rajon, shkroi në Twitter se ishte “një ndjesi e çuditshme” të ecje mes rrënojave të fshatit të dikurshëm.

Foto: Luisa Azzolini

Fshati Curon u mbulua nga uji në vitin 1950, kur autoritetet vendosën të ndërtonin një digë dhe të bashkonin dy liqene pranë, pavarësisht kundërshtimeve të banorëve të tij. Më shumë se 160 shtëpi u fundosën dhe popullsia e fshatit Curon u shpërngul – edhe pse disa vendosën të qëndrojnë në fshatin e ri të krijuar aty pranë.

Sot liqeni është i famshëm për turistët që bëjnë ekskursione në verë, kurse në dimër mund të ecin në sipërfaqen e akullt të liqenit për të shkuar te kambanorja.

Burimi: BBC