“Fuqia e cilësdo shoqëri në botë është diversiteti”

Drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini tha se ka nevojë për përkrahje nga secili për të arritur një shoqëri gjithëpërfshirëse

Në organizim të Forumit për Lidership dhe Diplomaci sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë është mbajtur debati “Si ta ndërtojmë një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse” në kuadër të projektit “Akademia – Ngritja e pjesëmarrjes së grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane në qeverisje dhe ekonomi në Kosovë”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Fuqia e cilësdo shoqëri në botë është diversiteti”, u tha nga të pranishmit në debat.

Drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini tha se ka nevojë për përkrahje nga secili për të arritur një shoqëri gjithëpërfshirëse. Ajo tha se ideja e debatit është të mësohet nga përvoja e njëri-tjetrit dhe të ndihmohen kategoritë e shtypura.

“Jo rastësisht sot e kemi titulluar debatin si ta ndërtojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të barabartë ku përgjegjësi për ta arritur atë kemi të gjithë. Jo sepse kemi tentuar që t’i ikim përgjegjësisë por se na duhet ndihma e çdonjërës për të arritur aty ku e kemi synimin final: një shoqëri ku afrohet barazia gjinore dhe arritja e përmbushjes së barazisë si mundësi për të gjithë në Kosovë”, theksoi Emini.

Koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha se diversiteti e bën një vend më të fortë. Ajo theksoi se secili individ duhet të dijë cilat janë të drejtat e tij dhe t’i kërkojë ato, por kjo ndodhë vetëm edhe me përkrahjen e Qeverisë.

“Qeveria, liderët politikë duhet të jenë të sigurt se ligjet dhe politikat e tyre krijojnë një vend që secili të ketë mundësi të barabarta. Gratë-burrat, vajzat-djemtë, shumica-minoriteti, të rinjtë-të moshuarit, jetesa në zona rurale apo në qytet, të varfër apo të pasur, duhet të kenë ligje dhe politika që u japin atyre mundësi të barabarta”, tha Richardson.

Arjeta Shala nga Fushë Kosova e cila është nga komuniteti ashkali thotë se në Kosovë për të është dyfish vështirësi, ngase është vajzë dhe vjen nga komunitetet.

Ajo u bën thirrje komunitetit të saj ta ngrisin zërin për më shumë drejtësi.

“Pa e pasur përkrahjen e prindërve nuk do të ishim në këtë lloj diskutimi ose këtu. Familja është ajo që pikë së pari të edukon pastaj ti vazhdon hapat tjerë të karrierës. Andaj, ju them që të bashkuar mund t’ia dalim. Duke punuar ashtu më së shumti dhe pse jo nesër ne si komunitet ta ngrisim zërin dhe të tjerët të dinë se ku si t’i qasen problemeve që ne i kemi si komunitet pastaj dhe si vajza që, për ne është dyfishi i vështirësisë pse jemi vajza e në të njëjtën kohë jemi të komuniteteve”, theksoi Shala.

Gjithashtu edhe Hamide Hyseni nga Mitrovica që i përket komunitetit rom tha se shoqëria kosovare duhet të jetë në përkrahje të diversitetit kulturor e etnik si dhe t’u dalin në ndihmë njëri-tjetrit pa dallime.