Fushatë që nuk prodhon estetikë politike por konfliktualitet politik

Nga Redi Shehu

A është fushata elektorale në Shqipëri një përjetim intelektual përveçse një aksion politik? A është fushata një proçes ngopjeje, një akt përplotesues në të cilin arrin të kuptosh esencën e demokracisë? A përbën fushata për zgjedhjet parlamentare tek ne, ashtu siç rëndom thuhet, një festë e demokracisë ? Që të festosh duhet që ta posedosh atë për të cilën t’i feston, që të jetë festë demokracia në Shqiëpri do të thotë që ne duhet ta posedojmë realisht atë. Problemi është se, sa herë që tek ne afron fushata zyrtare, sepse ajo jozyrtarja nuk ka fare ndërprerje, për të mos thënë që ne qeverisjen e kemi fushatë dhe fushatën qeverisje, gjatë mandateve tona bëjmë fushatë për të treguar se si është Shqipëria që do të duhej të ishte, ndërkohë që kur fushata zyrtare vjen, fillojme e realisht të qeverisim duke bërë ndonjë punë, duke rritur rrogat, pensionet, ujësjellësat, kanalizimet, hipotekimet, linçensimet, ndërtimet dhe prokurimet.

Mirëpo, më e bukura është se më të kënaqurit me këtë gjendje duket se janë vetë politikanët, të cilët politikën nuk e konsiderojnë art, por punësim dhe biznes. Për këtë arsye, për ta mbajtur ndërgjegjen të qetë duke u ndjerë të punësuar, e vetmja formë e kësaj ndjesie duket se është fushata e përhershme. Koha e artë e qeverisjes reale është një muaj në katër vite ku motori i pushtetit dhe ingranazhet e shërbimit publik janë më të lubrifikuara se kurrë. A është fushata e zgjedhjeve të 25 Prillit një përjashtim nga rregulli ? Që të ishte përjashtim do të thotë se diçka jashtë rregullit ka ndodhur. E vetmja gjë që ka ndodhur kësaj radhe e cila e bën të posaçme këtë fushatë, është kriza humanitare e përmbledhur në tërmetin dhe pandeminë. Pra, për here të parë në adoleshencën tonë demokratike, ne provojmë të organizojmë zgjedhje në mesin e kësaj situate. Si kornizë e saj vërtitet edhe preçedenti i mandit të tretë, që ashtu si tërmeti dhe pandemia do të tregojë se sa përjashtim nga rregulli këto zgjedhje do të jenë.

Ajo që po ndodh në këtë fushatë është teprimi me imazh. Të gjithë e dimë se imazhi është diktatori më i madh i modernizmit. Përmes tij, shoqëritë moderne kanë filluar të mos kuptojnë shoqërinë ku jetojnë dhe në fund kanë përfunduar të mos kuptojnë edhe veten. Duke qenë se imazhi është mjeti më efikas dhe sipërfaqësor në ndikimin e ambientit social, ai përdoret dhunshëm nga politika. E ajo që vërejmë është pikërisht fokusim të politikanëve tanë posaçërisht tek imazhi, tek individët, tek veshja, tek gjesti, tek pozicionimi, larg thelbit, larg substancës. Kjo duket se është perfekt për një elektorat si i yni ku të qënurit trendy konceptohet si arritje politike dhe ku gjelatina mbulon për bukuri gafat dhe dështimet personale.

Po t’i heqësh këtyre zgjedhjeve këto faktorë që sapo përmendëm, fushata elektorale do të ishte një vazhdimësi e rëndomtë e të bërit politikë tek ne. Pa fantazi dhe pa rrugëzgjidhje, plot konfliktualitet, me kriminalizim, me tarafllëk, do të përbënte një hallkë të shëmtuar në gjerdanin e zverdhur të zgjedhjeve shqiptare. Me qëllim për të arritur tek fitorja më e madhe e politikës shqiptare, e cila konsiston në ndërtimin e “kujtesës afatshkurtër” tek zgjedhësit. Ky i fundit duhet të shqetësoshet vetëm për të gjetur mënyrat dhe ofertat më të mira politike që përpiqen të bindin, dhe në asnjë mënyrë ofertat politike që të kënaqin. Sot, përmes industrisë së bindjes publike, mund të bindësh tjetrin se dhimbjet që ndjen, në fakt nuk janë gjë tjetër vetëm se kënaqësi. Prandaj, gjen sot pafundësi zgjedhësish që brohorasin në disa dhjetra mijëra të bindur se dhimbja që ndjejnë, është vetëm kënaqësi, vetëm ekstazë. Kjo marijuanë politike, cila tymosjen kolektive e kulmon në javët e fushatës, luan me ndjenjat dhe përceptimet e gjakosura të zgjedhësve në pritje të rezultatit final.

Në rastin e fushatës tonë fuqia e imazhit u përcoll ndjeshëm duke u përpjekur për të krijuar një estetikë politike si shembull dhe burim i cili do të gjeneronte mirëmbajtjen dhe forcimin e identiteteve politike në subkoshiencën e votuesve shqiptarë. Ajo që shihet gjatë fushatës, është përdorimi i ikonografisë politike në kostumin e liderëvë të saj, duke njesuar ikonën e liderit politik me ideologjinë përkatëse dhe fuqinë imazhit në formën e ideografisë apo edhe në formën e retorikës vizuale, përdoret për të legjitimuar aksionin politik. Por ama, shpesh legjitimiteti i veprimit politik përmes retorikës vizuale (spoteve negativiste) sjell edhe legjitimitetin e dhunës elektorale e cila manifesohet rëndom gjatë ditës së zgjedhjeve dhe më pas. Në këtë rast atëhere, retorika vizuale nuk prodhon estetikë politike por konfliktualitet politik.

E nëse ne duam të gjejmë shkaqet e dhunës elektorale apo edhe dhunës psikologjike, përmes zgjatjeve të proçeseve elektorale, si numërimi apo shpallja e rezultatit , duhet ta fillojë dhe ta analizojmë që në momentin e konceptimit të gjuhës dhe ideografisë e cila përdoret më vonë si mjeti përcaktues në shëndetin e ndërgjegjes qytetare.