Godinen e shembi vetë teatri

Nga Redi Shehu

Pandemia e Covid 19, ishte ndër të paktat ngjarje që bënë lajm më shumë se sa tre ditë. Ajo arriti të mbivendosej mbi çdo lajm, por jo vetëm, ajo arriti të mbivendosej mbi çdo sëmundje tjetër duke ndërtuar të gjithë hegjemoninë e saj mbi realitetin, aq sa gjykimi ynë për çdo gjë bëhej nga premisa e virusit. Jeta publike u ndal, frymëmarrja vazhdoi vetëm brënda shtëpive dhe ballkoneve, ndërkohë që krimi, aksidentet si dhe politika thjesht dolën jashtë loje. Por, menjëherë pasi fuqia e karantinës ra, dhe virusi filloi të rehatohej brënda ndërgjegjeve tona, pasi jeta publike filloi të gjallohej përsëri, e para ngjarje e cila to prishte hegjemoninë e virusit, padyshim ishte politika. Kësaj radhe ajo duhej të vinte me një rrobë të re publike e ngarkuar me mungesën e gjatë të protagonizmit. Kjo rrobë e re duhej të godiste me bujën e saj si dhe me efektin magjepës mbi mendjen e fjetura të pandemisë.
E ku ka më mirë se sa teatri! Një ngjarje perfekte, në një kohë perfekte, brënda një frike perfekte pandemike, për një fiksim perfekt psikologjik të Kryeministrit për një institucion që daton hershëm në kujtesë. Me ardhjen e fundit të mandatit të dytë, teatri ngjante me të vetmen kala te papushtuar të Kryeministrit, për të cilin ishte e papranueshme ekzistenca e një simboli pavarësie dhe shenjë e dobësisë kryeministrore. Prandaj, duhej vetëm goditja finale. Them goditja finale se goditjet e njëpasnjëshme dhënë teatrit kishin kohë që kishin filluar. Suksesi më i madh i politikave qeverisëse ishte pikërisht ndarja e godinës nga vetë teatri. Zakonisht në institucione të tilla, të cilat përfaqësojnë ajkën e kulturës së një kombi, godina dhe softi i saj, janë të unifikuara në atë që quhet “Teatri Kombëtar”. Ndërtesa dhe thelbi i saj i përmbledhur në aktorët, në frymën e brëndëshme të saj, në frymëmarrjen artistike, shkrihen në një entitet dhe e konsiderojnë veten të pandashme me njëra- tjetrën duke krijuar një koncept unik. Është pikërisht kjo pandashmëri e cila u sulmua nga establishmeti i politikës sonë.
Si çdo gjë tek ne, edhe teatri, i cili nuk përfaqësohet me godinën por me produktin artistik të tij, u përça në skalione politike. Pjesa më e madhe e artistëve të vjetër, u veçuan politikisht pro prishjes së godinës së tij dhe një pjesë tjetër që mbeti e bashkuar me shoqëri civile të ngarkuar po ashtu politikisht, përfaqësoi pjesën e cila me këmbëngulje pengonin prishjen e godinës historike të tij. Pra, koncepti unik i teatrit u fragmentarizua, duke prodhuar një qasje partiake e cila u mbivendos me prepotence mbi qasjen, artistike, kulturore, historike dhe mbi gjitha ligjore. Interpretimi i ndryshëm i realitetit, i cili prodhon shumë fytyra të rreme ndaj një të vërtete të vetme, është e vetmja politikë reale në Shqipëri. Nëse ka një produkt të qënësishëm të politikës shqiptare është relativizim i të vërtetës dhe zhdukja e çdo mundësie alternative për ta brëndësuar atë jashtë fronteve partiake. Ky virus, nuk kishte sesi i të mos infektonte edhe Teatrin Kombëtar duke e çuar atë në një intubim të pashmangshëm dhe në një vdekje jo të godinës, por të vetë konceptit unik që teatri ka. Thënë thjesht, virusi partiak, pandemia e dy partive ndau godinën nga teatri dhe bëri që vetë teatri (aktorët) ta shembin strukturën e saj. Nëse do ruhej pandashmëria e saj, koncepti unik i teatrit, uniteti i aktorëve dhe fryma e përbashkët artistike, sot do të kishim po atë refuzim dhe po atë sukses që ata patën ndaj Ramës si Ministër i Kulturës i asaj kohe.
Godina ra se gjeti fryme për të rënë. Godina u prish sepse teatri në fakt u ngrit kundra teatrit. Atehere, mos të presim që Kryeministri dhe shpura e tij të bëjnë sehir. Godinën, prej kohësh e kemi shembur të gjithë nga pak. Që me indiferencën e qeverive ndaj kulturës, që me braktisjen dhe lënien mënjanë të aktivitetit artistik, që me prishjen e diversitetit të produkteve artistike duke u fokusuar vetëm në disa vepra, që me lënien e aktorëve dhe regjizorëve nën prepotencën apo arrogancën e donatorëve, e shumë kokëçarjeve të tjera të cilat e bjerrën imazhin triumfalist që një teatër kombëtar ka. Teatri kishte kohë që kishte rënë, godina ra e fundit.
E tani, kërkohet që të ngrihet një godinë e re, por pa një teatër të ri, pa një teatër të unifikuar, pa një trupë aktorësh që të paktën për artin e këtij vendi të kenë një konsensus. Por edhe po të ndodhë kështu, nëse arti nuk sfidon partinë, atëhere ajo që do rrëzohet do jetë thjesht godina e radhës. Një teatër nuk ka nevojë për godinë, ai mund të ekzistojë edhe në rrugë, ndërsa një godinë pa teatër edhe nëse nuk e shembin do të bijë vetë brënda.