Goditja nga pandemia, skemë mbështetëse 30 mln lekë për nxitjen e produkteve turistike

Projektet për të cilat kërkohet një financim që kalon 50% të fondit buxhetor vjetor të parashikuar në buxhetin e shtetit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Një shumë prej 30 milionë lekësh është vënë në dispozicion nga Ministria e Turizmit për të mbështetur produktet turistike në mbarë vendin në kuadër të zbutjes së efekteve që ka krijuar pandemia Covid-19.

Sipas thirrjes së shpallur në Qendrën e Botimeve Zyrtare nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit aplikimet janë të hapura deri me 10 tetor 2020.

Qëllimi kryesor i mbështetjes financiare është të forcojë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri, nisur edhe nga situata në të cilën ndodhet industria e turizmit, për shkak të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19.

Për të përballuar krizën nevojitet fokusim në promovimin e destinacioneve turistike e të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore vendase, si dhe duke diversifikuar me modele inovative produktet turistike, duke zhvilluar modele të reja të funksionimit të aktiviteteve detare dhe të menaxhimit të vijës bregdetare.

Duke pasur parasysh këto objektiva kryesorë, thirrja e këtij viti është e ndarë në dy tematika.

Së pari promovimin e destinacioneve turistike e të vlerave të veçanta të produkteve dhe të atraksioneve turistike. Nën këtë tematikë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të bashkëfinancojë projekte që do të synojnë:

-Zgjerimin e aktiviteteve dhe të ofertave turistike, duke synuar forcimin apo krijimin e produkteve të reja turistike, që shkojnë për zhvillimin e vendit dhe përfitimet e mundshme për popullsinë lokale të rajoneve të ndryshme.

-Përfshirjen gjithnjë e më shumë në sektorin e turizmit të komuniteteve lokale, studentëve në promovimin përmes produkti.

Së dyti në krijimin, zhvillimin dhe përmirësimin e produkteve turistike specifike, në përputhje me kërkesën gjithnjë në rritje për paketa inovative, që ofrojnë përvoja të pazakonta me surpriza dhe ide stimuluese, përveç shërbimeve bazë standarde.

Për realizimin e projekteve konkurruese turistike, skema e financimit do të mbulojë deri në 50% të kostove të pranuara e të miratuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Projektet për të cilat kërkohet një financim që kalon 50% të fondit buxhetor vjetor të parashikuar në buxhetin e shtetit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Financimi nga Buxheti i shtetit nuk mund të jepet më tepër se një herë në vit për të njëjtin subjekt konkurrues. /monitor