Greqia i shpëton mbikëqyrjes/ Mbyllet misioni i BE-së që zgjati 12 vite, për kontrollin fiskal

Me një mesazh televiziv kryeministri Kyriakos Mitsotakis i është drejtuar qytetarëve mesditën e së shtunës duke e quajtur 20 gushtin ditë historike për Greqinë dhe grekët, pasi vendi del edhe zyrtarisht nga regjimi i Mbikëqyrjes së Përforcuar Evropiane. Mbyllet një cikël dymbëdhjetëvjeçar -ka thënë- ai që solli dhimbje për qytetarët, stanjacion në ekonomi dhe ndarje…

Me një mesazh televiziv kryeministri Kyriakos Mitsotakis i është drejtuar qytetarëve mesditën e së shtunës duke e quajtur 20 gushtin ditë historike për Greqinë dhe grekët, pasi vendi del edhe zyrtarisht nga regjimi i Mbikëqyrjes së Përforcuar Evropiane.
Mbyllet një cikël dymbëdhjetëvjeçar -ka thënë- ai që solli dhimbje për qytetarët, stanjacion në ekonomi dhe ndarje në shoqëri.

“Zhvillimi i sotëm shënon fundin e Memorandumeve dhe gjithçka tjetër që u imponua në emër të tyre: taksa të papërballueshme dhe shkurtimet e pagave dhe pensioneve. Kontrollet bankare dhe hipotekimi i pronës publike. Degradimi i mbrojtjes kombëtare, arsimit publik dhe shëndetësisë. Por edhe margjinalizim i pozicionit të Greqisë në Evropë dhe në botë. Të gjitha këto për fat të mirë, i përkasin së kaluarës”, tha Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë.

Mitsotakis ka përshkruar edhe disa plagë të tjera sipas tij që karakterizuan shoqërinë greke në këtë vite pas krizës ekonomike si fanatizmi politik, dhuna, zjarret, mungesa e besimit ndaj institucioneve , Agimi i Artë, populizmi dhe një kosto ekonomike mbi 100 mld euro.

“Greqia sot është një Greqi tjetër. Ajo tregon rritje të lartë ekonomike dhe rënie të madhe të papunësisë, tashmë me 3 pikë në krahasim me vitin e kaluar dhe 5 nga viti 2019. Ndërkohë që, në të njëjtën kohë, qytetarët e saj tashmë janë liruar ose lehtësuar nga shumë taksa të vendosura në epokën e vështirë. Të gjithë paguajnë më pak kontribute dhe pothuajse të gjithë më pak taksë për pasurinë e paluajtshme. Paga minimale është rritur me 63 euro”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë.

Të gjitha këto ka thënë kreu i qeverisë mes një sërë sfidash: nga inkursionet e emigrantëve në Evrope dhe agresioni i përhershëm i fqinjëve deri te pandemia globale dhe kriza energjitike e inflacioni prej luftës në Ukrainë.

Dalja e Greqisë nga monitorimi ekonomik është përshëndetur edhe nga zyrtarët më të lartë të BE. Por fjalimit triumfator të tij partia opozitare Syriza i është përgjigjur duke e quajtur atë përfaqësues të forcave që falimentuan vendin, kryeministrin më të paskrupullt dhe vulgar të tranzicionit, pasi feston diçka që u vendos një vit para zgjedhjes së tij ne vitin 2018, ndërsa prej 15 ditësh fshihet për të mos dhënë përgjigje për skandalin e përgjimeve.

Partitë e tjera opozitare i kanë kujtuar kryeministrit Mitsotakis 45% të qytetarëve që nuk kanë paguar faturat e energjisë me vlerë mbi 1 mld euro dhe inflacionin mbi 11% dhe i kanë quajtur fjalët e tij të rreme, që thërrmohen përpara shtrenjtësisë, pagave të urisë, rritjeve të reja të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror.