Hajdari tregon si ndodhën takimet dhe a u përjashtua: Sot mësova se nuk ka marrëveshje mes tyre

Rudina Hajdari ka hedhur poshtë lajmin se nuk është përfshirë në takimet e kolegëve të saj me diplomatin amerikan, ndërsa tha se ka qenë pjesë e tryzës.

Në fakt, siç u raportua, deputetja pranoi edhe vetë se ka pasur një takim mes përfaqësuesit të ambasadës amerikane, Damian Gjiknurit, Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit pavarësisht se për këtë të fundit tha se “bëri thjeshtë një xhiro”.

Gjithashtu ajo tha se, sot ka zbuluar se nuk ka një marrëveshje mes partive të mëdha por që po vijojnë lojën.

“Përfaqësuesi i ambasadës u takua me Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin, u takua me mua pastaj me të katërt, Petriti shkoi dhe bëri thjeshtë një xhiro atje. Ata nuk ranë dakort pavarësisht se ndërkombëtarët ishin të investuar. Kishin thënë dje dhe sot gjithë ditën që do të bien dakort. Se ku e kanë hallin nuk e di.

Ambasada amerikane nuk vjen këtu kot këtu, por vjen që kjo reformë të ketë bekimin e qytetarëve shqiptarë, dhe këta nuk e pranuan se nuk e duan këtë. Duhet ndryshimi i sistemi zgjedhor. Nëse nuk hapim listat, nëse nuk hapim sistemin këtu do të mbetemi siç jemi. Tani loja është e hapur akoma nga ana e tyre, nuk kemi ndryshim sistemi por një investim tjetër që ne do vazhdojmë dhe të qëndrojmë në lojën e tyre. Këta nuk pranuan asgjë, mësova sot se nuk kanë as marrëveshje mes tyre se nuk duan mbështetjen e ambasadës amerikane, por të vijojnë ta lënë vendin në këtë gjendje”, tha Hajdari