Hulusi Akar: Greqia shpall dhjetëra NAVTEX-e dhe fusha trajnimi pa i përdorur

"Fqinji ynë (Greqia) brenda tre muajve ka shpallur 46 NAVTEX-e, nga 1 tetori ka shpallur 22 fusha trajnimi në Egje dhe Mesdheun Lindor. Prej këtyre, ka përdorur vetëm dy", tha ministri turk i Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, kritikoi Greqinë për shpalljen e një numri të madh të NAVTEX-ëve dhe fushave të trajnimit për një kohe të shkurtër, përkundër shfrytëzimit të vetëm dyve prej tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Akar, së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralin Yaşar Güler, Komandantin e Forcave Tokësore, Gjeneralin Ümit Dündar, Komandantin e Forcave Detare, Admiral Adnan Özbal, dhe Komandantin e Forcave Ajrore, Gjeneralin Hasan Küçükakyüz, vizituan Komandën e Bazës Detare Aksaz për të ndjekur stërvitjen “Kthetra e Tigrit 2020”.

“Fqinji ynë (Greqia) brenda tre muajve ka shpallur 46 NAVTEX-e, nga 1 tetori ka shpallur 22 fusha trajnimi në Egje dhe Mesdheun Lindor. Prej këtyre, ka përdorur vetëm dy. Dua t’u rikujtoj atyre se këto gjëra janë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha Akar në një adresim para personelit ushtarak.

NAVTEX, ose “Navigational Telex”, është një sistem i komunikimit detar që lejon anijet të informojnë anije të tjera për praninë e tyre në një zonë, si dhe informacione të tjera.

“Fqinji ynë është maksimalisht i ngadalshëm dhe pa vullnet për sa u përket bisedimeve, por vazhdon t’i shtrembërojë faktet”, shtoi shefi i mbrojtjes turke.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe administratës Greke Qipriote, duke theksuar se këto pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe turqve qipriotë.

Ankaraja ka dërguar disa anije për stërvitje në muajt e fundit për të hulumtuar për burimet e energjisë në Mesdheun Lindor, duke mbrojtur të drejtat e saj në rajon si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore.

Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është për zgjidhjen e të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.

Ndërkohë, në lidhje me vendimin e SHBA-së për sanksione, Akar tha se ky vendim “do të ndikojë negativisht jo vetëm ndaj Turqisë, por ndaj aleancës së NATO-s dhe ndaj një sërë aktivitetesh të SHBA-së këtu”.

Ndryshe, më 14 dhjetor, SHBA vendosi sanksione ndaj Presidencës së Industrive të Mbrojtjes së Turqisë (SSB), përfshirë kreun e SSB-së, İsmail Demir, dhe tre zyrtarë të tjerë, për shkak të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Sanksionet erdhën nën Aktin e Kundërvënies së Armiqve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA).

Në prill të vitit 2017, kur përpjekjet e saj të zgjatura për të blerë sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore ishin të pafrytshme, Turqia nënshkroi një kontratë me Rusinë për të blerë mburojën S-400.

Zyrtarët amerikanë kanë kundërshtuar blerjen e sistemit rus nga Turqia, duke pretenduar se ata do të jenë të papajtueshëm me sistemet e NATO-s dhe do të ekspozojnë avionët F-35 ndaj manipulimit të mundshëm rus.

Megjithatë, Turqia theksoi se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbëjë asnjë kërcënim për aleancën ose armatimet e saj.

Zyrtarët turq në vazhdimësi kanë propozuar një grup pune për të shqyrtuar çështjen e pajtueshmërisë teknike.