Injoranca e shenjtë e terroristit

Nga Redi Shehu

Ngjarja e fundit ku një terrorist i supremacisë së bardhe hyri ne dy xhami ne Zelandën e Re duke vrarë 50 veta dhe plagosur 42 prej tyre, shënoi edhe momentin më të rëndë jo vetëm për këtë vend, por për gjithë globin në këto kohët e fundit. Një akt i tmerrshëm terrorist i cili ngërtheu në vetvete edhe barbarinë edhe perversitetin, ku në transmetim live, pamë se si absurdi njerëzor dhe iblisologjia, u materializua në marrjen e jetës së të pafajshmëve teksa adhuronin Zotin e tyre.

Për fatin tonë të keq, kohët e fundit po ndodh ajo që Oliver Roy e quante, shenjtërim të injorancës. Vërtet, injoranca është kthyer në religjion ku disa grupe e shenjtërojnë atë, deri duke i dhënë atributet e mesazheve të shenjta dhe pastaj në emër të besimit ndaj saj, vrasin e presin në të katër anët. Në emër të kësaj injorance,  janë bërë krime më monstruoze ndaj qënies njerëzore. Prandaj lufta e secilit prej nesh, nuk është me njëri-tjetrin por ka qenë dhe vazhdon te jetë kundra injorancës dhe shenjtërimit të saj.

Në të vërtetë, ky sulm ndaj besimtarëve myslimanë, ishte një mesazh ndaj tyre, nga ato struktura të cilat qëndrojnë në pjesën më të padukshme të ajsbergut, për t’i thënë se ju nuk jeni të mirëpritur në asnjë nga vendet e njeriut të bardhë, dhe se rreziku ndaj jush do të jetë i përhershëm. Për ta bërë këtë, këto grupe perverse, që filmojnë teksa edhe vrasin, kanë një ngjashmëri të frikshme ndërmjet tyre. Terroristët e bardhë ngjajnë me ata të DAESH në mënyrat dhe metodat të cilat i ekzekutojnë viktimat e tyre. Radikalizimi i të dyja ekstremeve si DAESH ashtu edhe terroristët e bardhë realizohet on-line. Të dyja palët që shenjtërojnë injorancën, janë të paarsimuara dhe me njohuri të pakta mbi realitetin dhe fenë të cilën ata besojnë. Të dyja palët kanë si qëllimi ndërtimin e konstruksionit dhe atmosferës së frikës për të imponuar ligjet e tyre të veprimit. Po ashtu, të dyja palët përdorin filmimet on-line të ekzekutimeve për ta përforcuar këtë atmosferë frike. Por ama, në ndryshim nga DAESH, e cila ishte një strukturë e imponuar nga sipër vendeve ku shkonte, duke ua vrarë elitat fetare dhe politike, dhe që nuk ishte produkt i vetëdijes së brendshme të njerëzve, “supremacistët e bardhë”, së bashku me artikulimet e tyre, i kemi parë të jenë produkt i vulgut që rëndom e sheh tek njerëzit dhe votuesit në Perëndim. Nëse “supremacistët e bardhë” mbrojnë të ashtuquajturin civilizim të tyrin dhe urrejnë atë të vendeve myslimane, DAESH, në ndryshim nga këta, urren si civilizimin perëndimor si atë të muslimanëve.

Fjalët dhe përmbajtja e Manifestit të Tarrant, janë të dëgjuara dhe familjare nga të gjithë ne, kur establishmentet politike gjatë fushatave elektorale si ne Evropë dhe në Sh.B.A, shpreheshin hapur kundra muslimanvë, emigrantëve në format më raciste të mundshme. I kemi parë këto shprehje që nga Presidenti amerikan, tek senatorët Ted Cruz, Marco Rubio, Lindesy Graham. E kemi parë edhe tek ish këshilltari i Presidentit aktual amerikan, Steve Banon i cili thoshte se po rrezikojmë ta kthejmë këtë vend  nga Unted States Of America në Islamic States of America.

E kemi parë në media po ashtu ku gazetarë me emër dhe prezantues të TV Show siç është edhe rasti i Bill Maher i cili e quante Islamin një “mafia”. Të tilla qenë edhe masat e marra nga administrata e re amerikane sapo erdhi në pushtet, duke ndaluar hyrjen e njerëzve nga shtatë vende myslimane në territorin e SH.B.A. Për të mos folur pastaj për mënyrën se si vendet Evropiane trajtuan emigrantë e ardhur nga lufta në Siri.

Ajo që të shqetëson më së shumti, është shfaqja pothuaj hapur e ndjenjave etno-nacionaliste në shumë prej vendeve evropiane të cilat të bëjnë të kujtojnë të kaluarën e errët të saj, që është fashizmi dhe ideologjia e tij. Gjuha populiste e cila tashmë është bërë e rëndomtë në këto anë, po rrëshqet ngadalë  drejt fashizmit në mendim, fjalë dhe më vonë mund edhe të shfaqet në vepra. Dhuna nuk ekziston vetvetiu në vakum, ajo ka nevojë që të ushqehet së pari me injorancë, pastaj me ideologji për ta justifikuar dhe legjitimuar veten. Kjo bëhet akoma më e rrezikshme, kur mendon se sot helmimi me ide të tilla bëhet më toksik për shkak të tre faktorëve. Njëri është polarizimi politik, pastaj vjen ndjenja anti-emigrante dhe së fundmi e gjitha përfshihet në platformat e teknologjisë moderne duke i dhënë asaj përhapje marramendëse në të katër cepat e globit.

Ajo që konstatohet është se mediatikisht ka gjithashtu një hipokrizi kur është fjala për akte të kësaj natyre. Nëse sulmi bëhet apo realizohet nga një person që rastis të ketë përkatësinë muslimane, raca dhe feja janë të parat që shfaqen në shiritin e lajmeve duke ekzaltuar përkatësinë rracore dhe fetare te autorit. Shembuj të tillë si “arabi terrorist”, “terroristi islamik” janë të rëndomtë në të gjitha mediat botërore. Ndërsa kur është fjalë për terroristë si Brewik, apo Tarrant apo edhe dhjetëra të tjerë, raca dhe feja nuk përmenden, ato thjesht portretizohen si individë vetëm me emër pa përkatësi race dhe feje. Nuk titullohen si “terrorist i bardhë”, apo “terrorist kristian”. Për më tepër ashtu siç edhe e pamë në lajmet e “Daily Mirror”, Tarrant u shfaq në një foto kur ishte i vogël në krahët e të atit dhe në titullin e gazetës quhej “angelic boy”, një “djalë engjëllor”. Tallje më të madhe me viktimat e shkaktuar nga ai, nuk mund të kishte. Është kjo hipokrizi dhe pabarazi në trajtimin e ngjarjeve të tilla e cila shkakton zemërim dhe ushqen grupet ekstreme të vazhdojnë veprimet e mëtejshme të dhunës. E gjitha ngjan me një “luftë psikologjike” për të humanizuar, normalizuar dhe minimizuar çdo efekt negativ që vjen nga njeriu i bardhë, simbol i civilizimit dhe e emancipimit, paçka se veprimet e tija pak ose aspak ndryshojnë me ato të keqbërësve të tjerë.