Izrael, rritet kontrolli mbi eksportet e sistemeve kibernetike pas skandalit “Pegasus”

Izraeli ka rritur kontrollin e eksporteve të sistemit të tij të sigurisë kibernetike, pas skandalit ndërkombëtar të gjurmimit-përgjimit të telefonave që u përhap në vend për shkak të spyware-it të quajtur “Pegasus”, të prodhuar nga NSO Group, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate me shkrim nga qeveria izraelite, Agjencia e Kontrollit të Eksportit të Mbrojtjes, e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes, njoftoi se inspektimet u forcuan duke përditësuar kushtet e “deklarimit të përdoruesit të fundit”.

Në deklaratë thuhet se shtetet që dëshirojnë të blejnë sisteme kibernetike ose inteligjente duhet të nënshkruajnë “deklaratën e përdoruesit të fundit” për të marrë lejet e eksportit.

Gjithashtu thuhet se kontrolli i mëparshëm i Izraelit në eksportin e sistemeve kibernetike është përditësuar dhe se sistemet kibernetike u shiteshin “vetëm qeverive dhe veçanërisht për kërkime, hetime, parandalimin e terrorizmit dhe krimit”.

Gjatë përcaktimit të terrorizmit, në deklaratën e përditësuar thuhet se aspektet në të cilat sistemet kibernetike nuk mund të përdoren janë të përcaktuara qartë dhe se sistemi mund të kufizohet ose ndalohet plotësisht nëse deklarata nuk respektohet.

– Spyware Pegasus i NSO Group

Në hulumtimin e kryer nga 17 organizata mediatike dhe në bashkëpunim me Amnesty International dhe konsorciumin ndërkombëtar të gazetarëve Forbidden Stories, thuhet se spyware Pegasus, që i përket grupit NSO me bazë në Izrael, përdorej për qëllime keqdashëse në mbarë botën.

Më tej thuhet se qeveritë e të paktën 10 vendeve nga Afrika në Evropë ishin klientët e NSO Group dhe se spyware u shitej qeverive për të synuar aktivistët, gazetarët, avokatët dhe politikanët.

Thuhet se më shumë se 50.000 numra telefoni në mbarë botën janë monitoruar nga ky spyware.

NSO Group, nga ana tjetër, mohon të gjitha akuzat, duke pretenduar se “u ofron shërbime teknologjike vendeve ose agjencive të zbatimit të ligjit për t’i ndihmuar ata të luftojnë terrorizmin dhe krimin e rëndë”.

Rrjeti i rrjeteve sociale WhatsApp ngriti gjithashtu një padi kundër NSO Group, duke pretenduar se kompania përdori shërbimin e saj të mesazheve për spiunazh të gjerë, duke gjurmuar më shumë se 1.400 njerëz, duke përfshirë 100 gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, në 20 vende të botës.

Me këtë softuer spiun, i cili mund ta kthejë celularin në një pajisje “mbikëqyrjeje”, shumë aplikacione si mikrofoni, kamera, mesazhet dhe regjistrimet e zërit mund të aksesohen pa dijeninë dhe pëlqimin e përdoruesit.

– SHBA futi në listën e zezë NSO, kurse Apple paditi NSO

Më 3 nëntor, administrata amerikane futi në listën e zezë 4 kompani, duke përfshirë kompanitë e teknologjisë me bazë në Izrael, NSO Group dhe Candiru, me arsyetimin se po u shisnin spyware vendeve të huaja.

Kurse më 24 nëntor Apple ngriti padi kundër Pegasus dhe njoftoi se kishte ndërmarrë veprime për të ndaluar përdorimin e softuerit, shërbimeve dhe mjeteve të Apple, si dhe nisjen e një lufte ligjore kundër Grupit NSO, i cili synonte përdoruesit me spyware-in “Pegasus” që ajo zhvilloi.