Karantinokracia, armiku dhe bombat

Në këtë rend të ri, i cili shpresohet të mos zgjasë gjatë, por që politikanët e të gjithë globit kujdesen të na përgatisin se mund të zgjasë edhe më shumë se gjatë, ka filluar të modelojë praktikat e sjelljeve tona të konsoliduara të së shkuarës, drejt praktikave të reja të një realiteti të ri. Realitet i cili në thelb të vetin më shumë se sa frymëmarrjen ka distancën.

Covid-19  për shqiptarët tashmë po shndërrohet nga një presupozim që ishte  pak javë më parë, në një realitet të ri. Sa më shumë që ky realitet i ri zgjat, aq më shumë e kuptojmë që nuk ndodhemi më brenda një ëndrre, por një sprove të re e cila me gjithë kompleksitetin e vet gëzon stresin që e panjohura ka. Sa më shumë që ditët kalojnë, aq më shumë shkëputemi nga supozimi drejt realitetit të ri. Sa më shumë që koha kalon mbyllur në shtëpitë tona, aq më shumë e kuptojmë se po spostohemi nga demokracia në “karantinokraci”, nga rendi social i popullit drejt rendit social të karantinës së popullit. Një vetizolim i shtrirë në kohë dhe në hapësirë si kurrë më parë duke përfshirë pothuaj të gjithë planetin. Një situatë ku rendi i ri botëror, tashmë nuk i përket lirisë por i përket izolimit. Një karantinokraci për individin, e cila në thelb të vetin ka filozofinë, “reduktim i dendësisë dhe maksimalizim i distancës”.

Në këtë rend të ri, i cili shpresohet të mos zgjasë gjatë, por që politikanët e të gjithë globit kujdesen të na përgatisin se mund të zgjasë edhe më shumë se gjatë, ka filluar të modelojë praktikat e sjelljeve tona të konsoliduara të së shkuarës, drejt praktikave të reja të një realiteti të ri. Realitet i cili në thelb të vetin më shumë se sa frymëmarrjen ka distancën. Një rendi ri, të cilin politikanët e të gjithë globit kujdesen ta quajnë luftë, virusin një armik, pandeminë një sulm me bomba. Nuk jam dakord me termin lufte. Ne sajojmë terma të paqena për t’u vetmobilizuar dhe për t’u bërë më agresivë. Kjo nuk është një lufte, ashtu siç edhe ky virus nuk është një armik. Kjo është një sprovë, një test. Një luftë luftohet në front dhe jo nga shtëpia e ballkone. Në një luftë, e cila mund të zgjasë gjatë, jeta civile, aktivitetit tregtar dhe shumë fusha të tjera të jetës mund të vazhdojnë të gjallojnë. Ndërsa karantinokracia jonë, ka paralizuar çdo gjallim. Ajo i ngjan një situate të ngrirjes së thellë, ku çdo gjë është e kyçur. Njerëzit në ballkone duket se janë të ngecur nën një sipërfaqe stërmadhe xhelatine transparente e cila ua shfaq fytyrat por që ua lidh gjymtyrët.

Thelbi i kësaj që po ndodh tek ne, varet nga zgjidhja qe vjen prej dy elementëve kryesorë; transparenca dhe përgjegjshmëria. Asnjë nga këto ilaçe shëruese të kësaj pandemie nuk mund të përdoren në një lufte as edhe janë tipar i saj. Nëse në një luftë përdor transparencën e aq më tepër përgjegjshmërinë, atëherë në rastin e parë je i mbaruar, ndërsa në rastine dytë nuk ka luftë. Kjo nuk është një luftë për sa kohë nuk ka një agresor që e ka nisur këtë lufte.

Virusi, është një krijesë mikroskopike  cila ndodhet në të tashmen e vet, ashtu si qindra krijesa virusale në të gjithë globin. Covid-19,  ndodhej tek kafshët në tregun e Wuhan-it  në Kinë. Ishim ne që shkuam tek ai duke shkelur në territore që nuk na takojnë, ishim ne që përziem te papërzieshmen. Kafshë e shpendë që nuk janë programuar për ngrënie, u bënë recetat tona kulinare, aq shumë shkelëm kufijtë sa filluam edhe të krenohemi haptas me to. Ishim ne që u futëm në botën e virusit dhe i thame “hajde!”. Për çfarë lufte po bëjmë fjalë? Është tipike e dështimeve tona. Projektojmë luftëra aty ku nuk ka, dhe nuk guxojmë të luftojmë aty ku është lufta e vërtete. Gjejmë armiq aty ku nuk ka, dhe bëjmë miq armiqtë e vërtetë. Kjo sprovë duhet kaluar me solidaritet dhe qytetari, me transparencë dhe përgjegjshmëri. Kjo sprovë mbi të gjitha duhet kaluar përmes një procesi vetreflektimi dhe rikonfigurimi total.

Lufta e vërtetë është kundra armikut të më madh që kemi pasur gjithmonë.  Është lufta kundra vetes tonë e cila përbën edhe betejën më të madhe dhe më të vështirë për ta fituar. Është beteja kundra lakmisë dhe epshit pa fre, kundra grykësisë e babëzisë e cila ka arritur majat e papara ndonjëherë. Kur të mos thyejmë kufinjtë, kur të mos ua grabisim të tjerëve çastin që u takon, kur të mos shkatërrojmë dinjitetin, pronën dhe jetën e tjetrit, kur të mos futemi aty ku nuk nuk duhet me prepotencë dhe arrogancë, atëhere nuk do të ketë virus që do na sulmojë. Kjo, është një sprovë, gati e domosdoshme do të thoja unë. Sprovat janë pastrime për shoqëritë në kuptimin e shkundjes morale e psikologjike. Sprovat janë pastrime të shoqërive nga smërçi dhe kalçifikimet e ndotura që e rrethojne etapë pas etapash. Eshtë pikërisht në sprovë që një shoqëri e mat veten se sa dhe si i ka bërë gabim gjërat.

Është pikërisht në karantinokraci që ne kemi të gjithë kohën që duam të masim e përllogarisim veten dhe të shkuarën tonë. Virusi përveçse na tronditi, na tregoi se si mundet brënda një kohe fare të shkurtër të mund të rafshohen hierarkitë fallse të shoqërisë njerëzore. Në këtë sprovë fatkeqe, ne filluam të kuptojmë vërtet se çdo të thotë të jesh i barabartë jashtë diferencave të sforcuara. Jemi të barbabartë në frikë, në vuajtje e sëmundje, në karantinë, në spital, në kufizime e në shpresë. Është pikërisht në këtë karantinokraci në të cilën ne po kuptojmë shijen e vërtetë të lirisë dhe shpërdorimin e pafre që i kemi bërë asaj.

Vetëm në këtë kufizim, me mjete të blinduara dhe mitraloza që shëtisin rrugëve tona, arrijmë të kuptojmë se sa e bukur na paska qenë rutina. Ajo praktikë e përditshme ndaj së cilës shpesh turfullonim e ankoheshim, tani është e kërkuara jonë më e madhe. Pikërisht në këtë burg të madh on-line ku i gjithë globi është spostuar në virtuale, arrin të kuptosh vlerën e kontaktit fizik, të një palë syve plot shprehje e emocione që të thonin “Mirëdita!”

Ky virus arriti të na bindë mbi rënien e mitit të racios njerëzore, të kapacitetit të saj për të ndërtuar civilizime por që në thelb është e paaftë të parashikojë, luftojë e mbrohet nga një krijesë e papërfillshme në përmasa. Ka një ironi brenda gjithë kësaj që po ndodh, se si një çikërrimë si Covid-19 gjunjëzon gjigandët e gjithë globit. Kaq mjafton për të kuptuar se inteligjenca njerëzore nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë kontrollin total mbi atë që na rrethon. Kështu që, nëse këtë sprovë arrijmë ta lexojmë ashtu siç duhet, nëse “armikun” dhe fajet e tij i kuptojmë drejt, nëse izolimin tonë arrijmë ta kthejmë në proces vetpërmirësimi, atëherë ka shumë të ngjarë që “bombat” e “armikut” të kthehen në fishekzjarrë shprese për të ardhmen.