Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagon për Reformën Zgjedhore

Komiteti Shqiptar i Helsinkit për Reformën Zgjedhore: Ndryshimet, jo monopol i partive politike

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar mbi Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore për të cilin thotë se nuk ka ndjekur një praktikë të drejtë, pavarësisht qëllimit për ta përmbyllur sa më shpejt.

“KShH vëren se praktika e ndjekur nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore nuk ka qenë një praktikë e drejtë, pavarësisht nga qëllimet e mira që Reforma Zgjedhore të përfundonte sa më shpejt“, thuhet në reagim, raporton Top Channel.

Më tej thuhet se ky Këshill ka shmangur çdo konsultim me shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit për çështjen e reformës.

“KShH konstaton me keqardhje se me krijimin e Këshillit Politik, pavarësisht rëndësisë që ky Këshill mbart në drejtim të dialogut dhe konsensusit sa më të gjerë politik, u shmang çdo konsultim me shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit. Në fakt u veprua në mënyrë të mbyllur, me përjashtim të deklaratave verbale të bëra në media, nga përfaqësues të këtij Këshilli”, thekson KSHH.

NJOFTIMI I PLOTË

Reforma Zgjedhore në Këshillin Politik – Jo monopol i partive politike

Siç dihet, ushtrimi i së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur përbën një të drejtë themelore të sanksionuar në Kushtetutë dhe në aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë.

Kjo është edhe arsyeja që Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në përmbushje të misionit të tij, është angazhuar vazhdimisht në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare dhe të qeverisjes vendore, prej vitit 1996.

Monitorimi i zgjedhjeve ka qenë gjithashtu objekt i veprimtarisë së organizatave të tjera jofitimprurëse të njohura në vendin tonë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka ndjekur me anë të medias, ecurinë e disa prej zhvillimeve të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. KShH shpreson se përfaqësuesit e këtij Këshilli në radhët e mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj joparlamentare, nëpërmjet dialogut dhe konsensusit konstruktiv, do të arrijnë në rezultate konkrete që do të garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të standardeve që kërkohen në përputhje me aktet ndërkombëtare, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

KShH, edhe më herët ka vlerësuar se reforma zgjedhore kërkon konsensus dhe dialog të gjerë politik, transparencë dhe gjithëpërfshirje. Është e nevojshme të merren në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të pasqyruara në raportet e katër proceseve zgjedhore të fundit, përfshi edhe të dt.30 Qershor 2019. Rekomandim kyç është ai për depolitizimin e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet, i cili edhe në zgjedhjet e fundit vendore nuk u përmbush.

KShH ka shprehur gjithashtu shqetësimin se pavarësisht nevojës për dialog dhe konsensus të gjerë midis forcave të ndryshme politike, ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk duhet të jenë monopol i partive politike.

KShH ka bërë thirrje për të shmangur konsultimin formal dhe për të dëgjuar efektivisht mendimin e grupeve të interesit, ekspertëve, si dhe organizatave dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Deri në fund të shkurtit të këtij viti, KShH dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile, janë njohur me draftet e dërguara nga ekspertët teknikë të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, për të cilat kemi parashtruar verbalisht dhe me shkrim disa sugjerime, në përputhje me kohën dhe afatet e konsultimit publik, të cilat kanë qenë relativisht të ngushta.

KShH konstaton me keqardhje se me krijimin e Këshillit Politik, pavarësisht rëndësisë që ky Këshill mbart në drejtim të dialogut dhe konsensusit sa më të gjerë politik, u shmang çdo konsultim me shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit. Në fakt u veprua në mënyrë të mbyllur, me përjashtim të deklaratave verbale të bëra në media, nga përfaqësues të këtij Këshilli.

Në parim, pjesëmarrja në procese vendimmarrëse do të thotë mundësi për qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, median, biznesin, universitetet dhe palët e tjera të interesuara për të kontribuar në zhvillimin e politikave dhe ligjeve, nga të cilat ata preken në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Pjesëmarrja e qytetarëve nëpërmjet konsultimit publik pasqyron nivelin e demokratizimit të një vendi. Një sërë organizmash ndërkombëtarë sikurse janë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës apo Bashkimi Evropian, i kanë dhënë rëndësi të veçantë pjesëmarrjes së publikut në proceset vendimmarrëse, nëpërmjet hartimit të dokumenteve përkatës, të cilat jo vetëm që paraqesin parimet e përgjithshme rregullatore, por ngrenë edhe instrumente të cilat bëjnë të detyrueshme respektimin e këtyre parimeve.

KShH vëren se praktika e ndjekur nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore nuk ka qenë një praktikë e drejtë, pavarësisht nga qëllimet e mira që Reforma Zgjedhore të përfundonte sa më shpejt. Gjithëpërfshirja dhe konsultimi, si parime të rëndësishme në një demokraci funksionale, janë të domosdoshme dhe përbëjnë shtyllë të rëndësishme për një reformë zgjedhore të plotë, të gjithëanshme dhe në përputhje me standartet.