Kosovë, ekspozitë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi luftën kundër dhunës në familje

"Shpresojmë që me këtë ekspozitë të rrisim ndërgjegjësimin tek të gjithë ne për luftën kundër dhunës në familje, duke siguruar mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe tolerancë zero ndaj dhunës në familje", tha një organizatore e ekspozitës

Është hapur sot në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës ekspozita me fotografi “Dhuna nuk fshihet brenda mureve”, nën organizim të shoqatës joqeveritare Rrejti i Grave të Kosovës (RrGK), raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspozita njëditore synon rritjen e vetëdijes së qytetarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje

Ekspozita thekson rëndësinë e reagimit të fqinjëve në rast se dëgjojnë dhunë dhe të mos e neglizhojnë atë duke thënë “Çfarë bëjnë ata brenda shtëpisë së tyre, është punë për ta”.

Sipas të dhënave të paraqitura në këtë ekspozitë, 62 për qind e kosovarëve kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës së tyre. Vetëm në vitin 2014, 256 mijë gra dhe 124 mijë burra përjetuan dhunë.

Adelina Berisha, zëdhënëse e Rrjetit të Grave të Kosovës, tha për mediat se gjatë karantinës, në periudhën mars-qershor, në Kosovë ka pasur rreth 40 për qind më shumë raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës, krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Ajo deklaroi se mesatarisht pesë deri në gjashtë gra vriten nga dhuna në familje në Kosovë, çdo vit.

“Shpresojmë që me këtë ekspozitë të rrisim ndërgjegjësimin tek të gjithë ne për luftën kundër dhunës në familje, duke siguruar mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe tolerancë zero ndaj dhunës në familje”, tha Berisha.

Ajo theksoi se ekspozita paraqet një mjedis shtëpiak në të cilin ndodh dhuna në familje, edhe pse do të duhej që çdo anëtar i familjes të ndihej i sigurt dhe shtëpia të mos kthehet në një mjedis ku “fatkeqësisht jeta e tyre rrezikohet, veçanërisht për gratë dhe vajzat”.

“Pas nesh janë shtyllat që përfaqësojnë çdo institucion që ka një detyrim ligjor për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të përdorin mekanizmat që shteti ynë ka vendosur për ne dhe të kontaktojnë në Rrjetin e Grave të Kosovës në rastet kur shohin se këto të drejta po shkelen, në mënyrë që të shohim se si të adresojmë ankesat e tyre “, tha Berisha.

Ekspozita gjithashtu paraqet një listë me numra të telefonit të strehimoreve të tyre për viktimat e dhunës në familje, të cilat janë në dispozicion në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë Jugore dhe Veriore dhe Novobërdë, dhe gjithashtu ka qendra të kujdesit ditor për viktimat.