Kosovë, publikohet raporti për “mangësitë e aktakuzave në veprat penale korruptive”

“Në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë analizuar gjithsej 5 aktakuza në të cilat janë vërejtur disa mangësi në elementet e domosdoshme të tyre”, thuhet në raport

Në aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës si dhe disa aktakuza të prokurorive themelore në Kosovë janë hasur mangësi të mëdha në kuadër të elementeve përmbajtësore dhe mënyrës së përpilimit të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu është bërë e ditur në një raport analizues të organizatës joqeveritare “Drejtësia Sot” me titull “Mangësitë e Aktakuzave në Veprat Penale Korruptive”, ku janë analizuar aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe disa prokurorive themelore në komunat e vendit.

Duke prezantuar gjetjet e kësaj analize, Rreze Hoxha-Zhuja, përfaqësuese e platformës “Drejtësia Sot” vuri në dukje disa nga elementet e domosdoshme që kanë munguar në aktakuzat e analizuara.

“Në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë analizuar gjithsej 5 aktakuza në të cilat janë vërejtur disa mangësi në elementet e domosdoshme të tyre. Këto mangësi kryesisht kanë të bëjnë me mospërcaktimin e saktë të vlerës së dëmit, pra mungesës së ekspertizës financiare. Pastaj, mungesa e precizimit të palës së dëmtuar si dhe paqartësi në paraqitjen e saktë të veprimeve inkriminuese të të akuzuarve”, theksoi Hoxha-Zhuja.

Sipas raportit, në aktakuzat e analizuara është vënë re edhe mungesa e kualifikimit të saktë të veprës penale, gjë e cila “mund të shkaktojë paqartësi dhe huti juridike në aspektin e saktësisë së veprës penale korruptive”.

“Nga analizimi i këtyre, ‘Drejtësia Sot’ ka gjetur se në tri nga aktakuzat e analizuara vërehet mungesa e kualifikimit të saktë të veprës penale. Një problem i tillë vlerësohet të shkaktojë paqartësi dhe huti juridike në aspektin e saktësisë së veprës penale, për të cilën akuzohen të akuzuarit dhe ndërlidhjes së saj me veprimet që dyshohet të jenë veprime kriminale. Së dyti, në katër nga aktakuzat e analizuara vërehet mungesa e përcaktimit të palës së dëmtuar dhe dëmit të shkaktuar”, theksoi ajo.

Punimi i raport/analizës së publikuar nga “Drejtësia Sot” është bazuar në metodat analitike dhe krahasimore ndërsa raporti synon përmirësimin e përpilimit të aktakuzave në sistemin e drejtësisë në të ardhmen.

Në disa prej rekomandimeve të dhëna për institucionet shtetërore të drejtësisë, “Drejtësia Sot” ka nënvizuar se prokurorët me rastin e ngritjes së aktakuzave për raste korruptive duhet të përcaktojnë saktë gjendjen faktike; të bëjnë precizimin e dëmit në bazë të ekspertizave financiare; por edhe “precizimin e palës së dëmtuar me rastin e ngritjes së aktakuzave të tilla “në mënyrë që të dihet saktë se kush është palë e dëmtuar”.