Kosovë/ Sot votohet qeveria e re, Osmani refuzon të udhëheq seancën

Seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë Hoti nuk do të udhëhiqet nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.

Osmani ka refuzuar të udhëheq këtë seancë duke e autorizuar bashkëpartiakun e saj, njëherësh nënkryetarin e Kuvendit, Kujtim Shala.

Kujtojmë se Osmani është deklaruar kundër Qeverisë Hoti dhe prishjes së koalicionit me LVV.

Një ditë para mbajtjes së seancës, mandatari për formim të qeverisë së re, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e re do të përballet me sfida të shumta, derisa ka veçuar, luftimin e pandemisë së koronavirusit të ri, problemet ekonomike dhe dialogun me Serbinë.

Por, jo më pak i rëndësishëm është dialogu me Serbinë. Ky proces, që është pezulluar nga viti 2018, konsiderohet tejet i rëndësishëm për rrugën evropiane të Kosovës.

Shkak për pezullim të dialogut ka qenë vendosja e taksës 100 për qind në mallrat serbe nga Qeveria e kaluar e Kosovës.