Kosovë, themelohet koalicioni “Bëhu Zëri Im” për fuqizimin e viktimave seksuale të luftës

Feride Rushiti, drejtoresha e QKRMT-së, tha se përmes kësaj platforme do të ngrisin çështjen e viktimave seksuale në nivel ndërkombëtar...

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Medica Gjakova dhe Medica Kosova kanë themeluar koalicionin “Bëhu Zëri Im” me qëllim të bashkëpunimit për fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Platforma “Bëhu Zëri Im” ka për qëllim të shërbejë si pikë referente në përfaqësimin e interesave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në proceset e adresimit të çështjeve që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale, statusin, të drejtat dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë dhe nivel ndërkombëtar.

Të gjithë këto organizata kanë një përvojë të ngjeshur me verifikimin e viktimave të dhunës seksuale në vend, ndërsa ato janë po ashtu organizata të licencuara për të mbështetur procesin e aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Feride Rushiti, drejtoresha e QKRMT-së e cila në Kosovë është organizata e parë që merret me çështjet e viktimave të dhunës seksuale, tha se përmes kësaj platforme do të ngrisin çështjen e viktimave seksuale në nivel ndërkombëtar, e po ashtu kauza të jetë zë i fuqishëm edhe në dialogun Kosovë-Serbi.

“Përtej që do të avokojmë për ndryshime ligjore të cilat i prekin interesat e viktimave, të dokumentojmë krimet e dhunës seksuale, të jemi zë i fuqishëm në çdo iniciativë institucionale ku ka iniciativa në kuadër të drejtësisë tranzicionale, të krijojmë një bazë të mirë për të bashkëpunuar me organizata të cilat kanë dëshirë dhe kanë shprehur dëshirë t’i bashkëngjiten iniciativës sonë”, theksoi Rushiti.

Drejtoresha e Medica Kosova, Veprore Shehu tha se është dashur kohë e gjatë që të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë të shprehen. Si drejtuese e një organizate që merret me këtë kategori, ajo tha se kanë pasur vështirësi të shumta në identifikimin e tyre, e po kështu edhe vështirësi emocionale.

“Menjëherë pas luftës, përballja ime me një 17 vjeçare që kishte lindur fëmijë si pasojë e dhunimit ka qenë përvoja ime e parë, fatkeqësisht përvoja e ditëve të para të punës në Medica Modiale Kosova në atë kohë, pastaj jemi shndërruar në Medica Kosova, me të vërtetë tregon se sa sfiduese, por mbi të gjitha sa shumë emocione dhe mund kemi investuar për të qenë afër tyre”, theksoi Shehu.

Një nga viktimat e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman tha se viktimat nuk kanë derë tjetër pos të shkojnë në shoqata dhe të rrëfejnë historinë e tyre.

Ajo inkurajoji këtë kategori të flasin dhe ta thyejnë stigmën.

“Fillimisht ne duhet të punojmë shumë me familjet e tyre, sepse familja është ajo që po i mban ato të mbyllura dhe të heshtura. Kështu që ju dëshiroj suksese dhe do ta keni përkrahjen time, si në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, për çdo gjë”, theksoi Krasniqi-Goodman.

Sipas deklaratave të udhëheqësve të institucioneve të larta, në Kosovë janë mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Në vitin 2017, është themeluar Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ku deri më tani rreth 900 personave u është njohur ky status.