Kurti në Bruksel, takim me Escobar, Stoltenberg e Vuçiç

Një ditë para takimit me shefin e politikës së jashtme të BE Josep Borrel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiç do të priten sot pasdite në Bruksel nga shefi i NATO-s Jens Stoltenberg. Por përpara takimit me Stoltenberg, Kurti do të takojë të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar. Ndërsa…

Një ditë para takimit me shefin e politikës së jashtme të BE Josep Borrel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiç do të priten sot pasdite në Bruksel nga shefi i NATO-s Jens Stoltenberg.

Por përpara takimit me Stoltenberg, Kurti do të takojë të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Ndërsa nuk dihet nëse do të ketë një takim të zyrtari të lartë amerikan edhe me Vuçiç.

Takimi i sotëm në Bruksel vjen në një kohë kur zyrtarët e të dyja vendeve kanë ashpërsuar retorikën, pas ngritjes së barrikadave në veri tri javë më parë.

Fillimisht, shefi i NATO-s Stoltenberg do të zhvillojë takim me Vuçiç në orën 15:30, ndërkaq takimi me Kurtin do të zhvillohet në orën 17:00.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti për targat dhe dokumentet identifikuese.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 korrik tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti.Qëndrim të njëjtë shprehu edhe Stoltenberg gjatë një bisede telefonike me Vuçiç-in më 3 gusht.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë”, kishte thënë Stoltenberg në Twitter pas bisedës me Vuçiç.

Kryeministri Kurti deklaroi për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht se ka pasur rrezik që tensionet në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur. Ai ka fajësuar Beogradin për rritjen e tensioneve.