Kush do hapë rrugën e daljes nga rrethi vicioz?

Nga Redi Shehu

Po jetojmë në kohëra të çuditshme ku gjërat vërtet nuk janë ashtu siç duken dhe ku gjërat që duken janë vërtet ashtu siç i mendojmë. Jetojmë në kohëra të habitshme kur për tetë ditë mund të organizohen dy kuvende të të njëjtës parti dhe një referendum në shkallë republike. Jetojmë në kohëra të neveritshme kut ngjarjet burojnë nga një venie në skenë në 2013 dhe po si një vënie në skenë përfundojnë në 2021. Jetojmë në kohën kur spektakli quhet politikë dhe ku politika është shkolla më e mirë e prodhimit të njerëzve të spektaklit. Jetojmë në kohën e aksidenteve të mëdha me të njëjtat ngjarje, me të njëjtët njerëz dhe nga pothuaj nga të njëjtat shkaqe.

Ashtu siç edhe pritej me datë 18 Dhjetor u zhvillua kuvendi kombëtar i Partisë Demokratike, asaj zyrtares së cilës i është kundërvënë Paria Demokratike e foltores e cila zhvilloi kuvendin e saj ekzaktësisht një javë më parë. Të dy pjesët e ndara të PD-së praktiksisht jo vetëm që nuk e njohin njëra-tjetrën por edhe duan ta zhdukin ekzistencën e secilës palë. Në një abstraksion politik, ata vazhdojnë diskursin e mohimit të ekzistencës së palës tjeter edhe pse gjallimi dyjar i partisë është një realitet nga i cili është vështirë të iket. Kuvendi i datës 18 dhjetor shënoi edhe ekuivalencën e imazhit me atë të datës 11, edhe pse salla e Pallatit të Kongreseve nuk ngjante si stadium, përsëri partia zyrtare deklaroi 5004 delegatë pjesmarrës, disa dhjetra më shumë se kuvendi i organizuar nga z. Berisha. Them shënoi ekuivalencën e imazhit të shumicës, se shumica reale është çështje konsensusi. Është pikërisht konsensusi ai që nuk ekziston në tërë këto ngjarje, ku secila palë pretendon shumicën e saj, prandaj është e vështirë të gjendet shumica konsesuale.

Gjëja më e çuditshme është se pjesa berishiste e partisë, përkundret pjesës bashiste, (po përdorim këtë terminologji për ta pasur më të lehtëtë dallojmë palët) është në agresivitetit të plotë në mënyrën se si ajo mendon të shpërfaqë fytyrën e PD-së së rithemeluar prej tyre. Natyra e opozitarizmi të të dyja palëve është krejt e ndryshme si në mënyra po ashtu edhe në filozofi. Pjesa bashiste, i qëndron zyrtarizmit dhe theksit ligjor dhe proçedurial, ndërsa ajo berishiste i është kthyer mënyrës së vjetër të protestës.

Tani, pas 31 vjetësh është tërësisht dëshpëruese që zëri i z.Berisha buçet përsëri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke proklamuar rithemelimin e partisë dhe duke e filluar gjithçka nga zero. Them dëshpëruese, jo për z.Berisha, por për ne si shqiptarë të cilët nuk arrijmë të qarkullojmë elitat tona dhe duam të përballim kontekstet dhe sfidat e reja me metoda dhe njerëz të vjetër. A është z.Basha zgjidhja? Kështu pyesin hopthi të gjithë berishistët duke u futur zgjidhjen e problemit në një rreth vicioz. Çështja që shtrohet është se kush nga të dy, Berisha apo Basha, është më afër hapjes së rrugës për elitat e reja ? Në këtë pikëvështrim duhet parë i gjithë konflikti i sotëm. Kush është më i prirur për të hapur rrugë daljes nga rrethi vicioz?

Një pyetje e tillë do të ishte themeli i shqetësimit të gjithë kësaj që po ndodh në Partinë Demokratike. Në vend që partia të ndahet në dysh me militantë nga të dyja palët të cilët çimentojnë liderët e vjetër e bëjnë tifo për të ricikluar dhe jo rithemeluar partinë, ata duhet të ngrejnë shqetësimin se si do të jetë e ardhmja e PD-së. A mundet partia e tyre të lidhet me fatin e një individi përjetësisht? A duhet pas tre dekadash tranzicioni demokratik ne të evokojmë kultin e individit? A është koha që liderë të rinj me vlera dhe të panjollosur nga e shkuara e tyre të drejtojnë partinë më të madhe të së djathtës drejt fitores?

Nëse i gjithë konflikti që po ndodh në PD do të kishte buruar nga këto pyetje si dhe nga shqetësimi për të përmirësuar lidershipin politik shqiptar, atëherë për këtë konflikt vërtet ia vlente që të luftohej. Po nëse përplasja reduktohet në riciklimin e elitave të vjetra të politikës se tranzicionit, atëhere kjo nuk është një luftë për demokracinë, as për partinë, por është për shtëpinë e secilit prej palëve pretenduese.

Në këtë situatë cili prej të dyve, Berisha apo Basha, mund të jetë shkas për të kaluar më pas në qarkullimin e elitave? Nëse do të shohim z. Berisha, eksperienca e gjate e tij në pushtetin politik, dhe sidomos viti 2013 kur ai zyrtarisht deklaroi dorëheqjen nga kryetari i partisë, por faktikisht e ushtroi influencën dhe staturën e kryetarit në hije deri sot që flasim, ka shumë pak shanse që të jetë i prirur drejt qarkullimit të elitave. Dikush mund të thotë se ai promovoi z. Basha si një figurë e re. Në aparencë kjo qëndron, por në thelb kjo ishte një lëvizje, një “vënie në skenë” e demokracisë së brëndëshme të partisë për të kamufluar pikërisht gjoja dorëheqjen e Berishës. Ngjarjet që po ndodhin sot e vërtetojnë faktin që z. Berisha kurrë realisht nuk është tërhequr nga drejtimi i PD-së. Në këtë pikë, ky mentalitet i tipit “unë jam fillimi dhe fundi i çdo gjëje”, nuk mund të prodhojë elita të reja duke hapur krahun politik.

Nga ana tjetër z. Basha duke qenë më i ri, të jep përshtypjen e një mentaliteti të ri. Për hir të së vërtetës, ai ka provuar pothuajse të gjitha pushtetet politike, përveç atë të kryeministrit dhe njëkohësisht ka humbur katër deri në pesë zgjedhje politike. Pra, nuk mund të konsiderohet i ri në moshën politike. Gjithashtu, e shkuara e ka infektuar me sëmundjen më të vjetër të shqiptarëve, dashuaria për postin. Pra, në parim edhe z.Basha nuk është i prirur të hapë rrugë qarkullimit të elitave. Por ama, duke qenë se kontrollues të dy gjysmave të demokratëve janë këta dy persona, atëhere, përzgjedhen na duhet ta bëjmë në mesin e këtyre dy figurave.

Në ndryshim nga z. Berisha që është i stazhionuar në mentalitetin e tij të vjetër, z. Basha edhe pse ka pothuaj të njëjtat simptoma, ka shanse më shumë që të hapë rrugën e qarkullimit të elitave për faktin e thjeshtë se atij i ngelet vetëm një mundësi politike që janë zgjedhjet e radhës. Nëse edhe këto i humbet, ai pastaj nuk ka asnjë justifikim moral, politik dhe logjik që të qëndrojë në krye të partisë. Është pikërisht këtu që mund të fillojë dalja e dhe hapja për figurat e reja të demokratëve. Ndërsa z. Berisha edhe nëse nuk do të kandidonte vetë, edhe nëse do humbte përsëri, ai do të ripërsëriste metodën e vjetër të gjetjes së një “Bashe” tjetër që do t’i garantonte atij kontrollin e pafundëm të PD-së. Ngjarjet po zhvillohen interesante, le të shohim se sa ne si shqiptarë do të jemi aq të pjekur politikisht sa të mbyllim kapakun e një epoke tranzicioni në politikë dhe të hapim një sipar të një realiteti që flet me gjuhën e kohës.