Lidhja ime me Turqinë dhe raportet e mia me Erdoganin!

Njerëzit vazhdimisht më pyesin për luftën në Ukrainë, sikur më parë për Lindje të Mesme e për Turqinë. Interesohen shumë edhe për Erdoganin. Më kritikojnë pse merrem ‘palidhje’ me politikë(!) e nuk shkruaj për tema siç bëja vite më parë. Ndoshta kanë të drejtë. Gjithsesi, interesimi i tyre për ta njohur atë pjesë të botës është diçka e mirë sikur që ndjehem i nderuar për vlerësimin që i bëjnë shkrimeve të mia. Këtë nder unë i’a atribuojë babait tim i cili më ka inkurajuar të lexoj vazhdimisht e t’i prezantoj lexuesve shqiptarë përvojat e dobishme nga popujt me të cilët kam jetuar plotë 27 vite. Edhe sot e kësaj dite unë konsulltohem me abejën për temat që i trajtoj. “Fat i madh ta kesh babain e arsimuar dhe me diapazon të gjerë njohurish. Që e kupton jetën dhe di si të inkurajojë kah leximi e punët tjera të hajrit”, i kam thënë disa herë miqëve të mi.

Shkruan: Dr. Mustafë Bajrami

Historia e shqiptarëve është e lidhur ngushtë me turqit dhe Turqinë. Për shekuj me radhë kemi jetuar së bashku e kemi bashkëqeverisur në Perandorinë Osmane. Pak kombe kanë pasur një fat kaq të mëshiruar sikur shqiptarët me turqit. Shqiptarët edhe sot janë të dashur e shumë të respektuar në Turqi. Një numër i madh i tyre kanë prekur majat e suksesit dhe janë bërë emra të njohur në fusha e pozita shoqërore, politike, ushtarake, kulturore e sportive. Shqiptarët e Turqisë përbëjnë një thesar të çmueshëm për kombin shqiptar. Ata janë potencial për të ardhmen e kombit. Ani pse deri më sot të lënë në harresë, sikur edhe Sanxhaku këndej, “aktivizimi” e tyre në të mirën tonë të përgjithshme do të ishte punë e mençur me përfitime të mëdha strategjike. Të mos harrojmë, roli i Turqisë ishte i pazëvendësueshëm si para luftës, si përgjatë saj e deri në ditët tona. Ajo ka ndihmuar shumë popullin e Kosovës dhe vazhdon ta mbështes Kosovën në rrafshe të ndryshme të jetës. Jam dëshmitar i gjallë i ngjarjeve, takimeve e raporteve specifike që krijoja midis krerëve të UÇK-së, politikës kosovare dhe personaliteteve të larta në Turqi. Si organizator i evinementeve të ndryshme shqiptare në Izmir e gjetiu, kam pas rastin të jap kontributin tim për të mirën e vendit. Përveç tjerash, për disa vite rresht organizonim kremtimin e 28 nëntorit ku tubonim njerëz nga e gjithë Turqia. Ato festime i bënim në ambiente prestigjioze si dhe në godina shtetërore të Turqisë. Edhe tubimin madhështor në sheshin e Izmirit e patëm organizuar për të senzibilizuar shqiptarët e atjeshëm për luftën do të bëhej në Kosovë. Së bashku me shqiptarët në atë tubim morën pjesë edhe mijëra turq të cilët ndanin dhimbjen me ne për gjendjen në Kosovë. Çuditem se si politikanët shqiptarë nga Kosova që i ftonim në Turqi, thuajse asnjëherë nuk kanë folur për ato takime e organizime që i bëja atëbotë. Ato ngjarje kanë qenë shumë të rëndësishme. Disa prej tyre mund t’i gjeni të ekspozuara gjithandej nëpër rrjete sociale si dhe të arkivuara aty ku duhet arkivuar. Raporti im me Turqinë nuk përkufizohet vetëm në këto përmasa. Ai është pjesë e pandashme në rrugëtimin e formësimit të personalitetit tim intelektual, fetar, kombëtar e njerëzor. Periudha e Turqisë është ndër më rëndësishmet e këtij rrugëtimi.

E konsideroj plotësisht të arsyeshme kërkesën e shqiptarëve që të shkruaj vazhdimisht për Turqinë dhe Lindjen e Mesme. Kërkesat e tilla tregojnë lidhjen shpirtërore të shqiptarëve me atë pjesë të botës. Historia jonë është e pasuruar me ndodhi, emra, personalitete e aktivitete shqiptare në Turqi e Lindje të Mesme. Shqiptarët i duan ato vende, sa për shkak pasionit të tyre të mësojnë edhe më shumë, aq edhe për shkak të fesë islame që e kemi të përbashkët me kombet e atyre vendeve. E kjo e fundit, feja islame, pra, është aryeja kryesore pse një kategori e shqiptarëve shajnë, kritikojnë e shpifin kundër meje pse shkruaj për Turqinë. Si miopë që janë, ata më quajnë turkofil e erdoganist. Natyrisht, duke menduar se më ofendojnë me këto epitete. Ata nuk e dinë se unë krenohem nëse vërtetë kam arritur ta dua Turqinë sa duhet, e të shkruaj për Erdoganin sa ka nevojë. Turqit janë vëllerëz të shqiptarëve. E këtë vëllazëri e obligon feja dhe historia jonë e përbashkët. Ndërsa Erdogani është lider që bëri vendin e tij fuqi botërore. Turqinë, vendin mik të shqiptarëve. Ai është lider nga i cili mund të mësohet shumë. Atëherë, si mos të shkruaj pra për Turqinë?! Si mos të shkruaj për Erdoganin siç kam bërë ndonjëherë edhe për përesidentët tjerë para tij?

***

Është momenti t’ua rikujtoj shqiptarëve dy fakte të pamohueshme. 1) Lindja e Mesme është djepi i civilizimeve. Aty kanë zbritur fetë qiellore dhe aty kanë jetuar shumica e profetëve të njerëzimit. Natyrisht, edhe Muhamedi a.s. Edhe pse nga të gjitha fetë e mëdha botërore vetëm Krishterimi e zhvendosi qendrën e origjinës nga Lindja e Mesme në Romë, duke simbolizuar kështu perëndimizimin e Krishterimit, kjo fe është me prejardhje nga Lindja e Mesme. Atje e ka burimin, atje ka historinë e vetë dhe nga atje fillon të përhapet nëpër botë. Është gabim dhe bëhet padrejtësi ndaj saj të cilësohet si perëndimore. Lindja e Mesme është nukleusi i zgjidhjes së problemeve në arenën ndërkombëtare. Ngjarjet e mëdha aty lindin dhe aty përfundojnë. Të gjitha perandoritë e kaluara janë forcuar ose kanë rënë për shkak të Lindjes së Mesme. Edhe Evropa e shekujve të fundit, sikur edhe SHBA-ja e shekullit 20 e tutje janë fuqizuar nëpërmes prezencës dhe marrjes me Lindjen e Mesme. E ardhmja e fuqive botërore ka qenë dhe vazhdon të jetë e varur shumë nga raportet që i krijojnë me Lindjen e Mesme. Edhe shqiptarët një pjesë të historisë së tyre e kanë të lidhur dhe të pasuruar me Lindjen e Mesme. 2) Turqia, niashtu si më parë, edhe sot është pika strategjike rreth së cilës rrotullohen akrepat e historisë. Ndërsa Stambolli, si Jerusalemi për fetë dhe historinë e fuqive botërore, është shkaku dhe burimi i ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur e që do të ndodhin në historinë e njerëzimit. Për Stambollin është shkruar se është sahat i kurdisur, ndërsa Napoleon Bonaparta e përshkruan me këto fjalë: “Po të ishte bota një shtet i vetëm, Stambolli do të duhej të ishte kryeqyteti i saj”.

***

Bota sot është duke u ballafaquar me kërkesën për ndryshime kolosale si rrallë herë më parë. As njohësit më të shkëlqyer të rrethanave globale nuk po arrijnë dot të parashikojnë se si do të jetë e nesërmja e botës. Harta të reja politike, ekonomike, kombëtare e strategjike janë duke u vizatuar. Turqia është një prej “tryezave” në të cilën do të “vizatohen” shumë harta. Për shkak të pozicionit të saj, për shkak të rrethanave të krijuara së fundmi dhe për shkak të fuqisë së saj. Epilogu i luftës në Ukrainë gjithashtu varet nga pozicionimi i Turqisë. Pa Turqinë aleate e Perëndimit, Rusia bëhet edhe më e papërshtatshme për botën, e me Turqinë krah Rusisë, Perëndimi do të ballafaqohet me rreziqe edhe më të mëdha.

Turqia e sotme dosido i përngjet Turqisë së kohës së Luftës së Ftohtë. Ndoshta edhe më shumë. Në atë kohë ajo kishte rolin kryesor në parandalimin e shtrirjes së komunizmit rus kah vendet e nxehta islamike e deri në Indi. Ishte penda para së cilës ndalej e keqja e madhe që kishte kapluar botën. Ultra-nacionalistët turq të Arpaslan Turkeshit bënin punë të madhe kundër ekspansionit ruso-komunist. Fillimisht në Turqi e pastaj edhe në vendet turke në Kaukaz dhe në Azinë Qendore. Militantët e kësaj lëvizje gjindeshin kudo për t’i çmontuar strategjitë komuniste të programuara kundër muslimanëve dhe që paraqisnin rrezik permanent edhe për interesat e botës perëndimore. Me Turqinë Perëndimi ishte më i fuqishëm në rajon, sepse ajo ishte pengesa kryesore e komunizmit famëkeq. Këtë fat të murmë apo të bardhë, Turqia e ka bartur mbi supet e saj përgjatë një shekulli.

Sa herë që është neglizhuar roli, fuqia dhe pozicioni i Turqisë, Perëndimi ka hasur në probleme të mëdha. Kur SHBA-të prishen marrëdhëniet me Turqinë për shkak të ndërhyrjes së saj në Qipro (1974), dhe më pas i vunë embargo të papërballueshme (1978-1979), Turqia e detyruar ndryshoi qëndrimin e saj karshi Perëndimit. Për pasojë, vetëm një vit më vonë, Bashkimi Sovjetik pushton Afganistanin dhe vë në rrezik aleancat perëndimore me vendet përreth Afganistanit. Në pyetje ishte një ndarje e re e botës me përmasa katastrofike. Bota harxhoi me qindra miliarda dollarë për t’i larguar rusët nga Afganistani. U vranë miliona njerëz të pafajshëm. Edhe pasi rusët u detyruan të tërhiqen nga aty, problemet e mëdha nuk heshtën. Rrezatimi i rrezikshëm afgan preku çdo cep të botës ndërsa New Yorkun e goditi më së keqi. Edhe sot e kësaj dite çështja afgane është problem serioz për Perëndimin, sikur që, edhe sot flitet për gabimin e madh që u bë me prishjen e marrëdhënieve turko-perëndimore.

Sëkëndjemi, tani kur Rusia e fuqizuar po kërcënon nga të katër anët, Perëndimi sërish i ka kthyer sytë kah Turqia. Atë po e sheh si faktor edhe më të rëndësishëm se më parë. Për rrjedhojë, vendet perëndmore kanë ndryshuar qasje ndaj Ankarasë zyrtare. Niashtu siç po bënë Putin duke joshur Turqinë me oferta të majme dhe tepër fitimprurëse, edhe SHBA-të bënë ndryshime serioze në politikat e saj karshi vendit të Erdoganit.

Erdogan, këtë rol e këtë pozicion të ri të Turqisë e di shumë mirë. Ai është i vetëdijshëm për mundësitë e reja që mund t’i shtiej në dorë. Për dy dekada e më tepër bëri përgatitjet e duhura. Tani Erdogan e ka kohën t’ia kthej Evropës atë që i’a bëri Evropa Turqisë në 25 vjetët e fundit. Që nga dita kur erdhi në pushtet nëpërmes zgjedhjeve demokratike, Erdogan ishte target i sulmeve të ashpra nga politikëbërësit evropianë. Kundër tij ngritën akuza të shumta; po ushqen ekstremizmin islamik, është diktator, po zhvillon politika anti-perëndimore, dëshiron sheriatin dhe po punon të kthejë sistemin politik të sulltanatit. Këto janë vetëm disa nga akuzat evropiane që i bëheshin Erdoganit. Erdogan natyrisht se nuk i ka harruar as premtimet e parealizueshme të Evropës. Në pyetje janë miliardat e eurove që i ishin premtuar Turqisë për të parandaluar fluksin e refugjatëve sirianë që donin të shkonin drejt Evropës. Shkruarja eventuale e miliona sirianëve, për Evropën do të ishte katastrofë e vërtetë. Si përfundim, mbi 5 milionë refugjatë mbetën në Turqi, ndërsa Turqia nuk mori asnjë metelik nga Evropa. Për më tepër, Evropa kishte “autorizuar” Francën t’i rrijë karshi Turqisë së Erdoganit. Franca punoi shumë në ndaljen e zhvillimit ekonomik të Turqisë. Ajo tentoi gjithashtu ta hidhte Turqinë jashtë lojërave të mëdha në ujërat e Mediteranit dhe në vende tjera të botës. Macron u bë zëri kumbues kundër presidentin turk dhe punoi shumë ta diskreditonte atë në të gjitha mënyrat. Edhe pse dështoi thuajse në të gjitha tentativat e tij, ai vazhdonte ta nxiste Greqinë kundër Turqisë, mbështeti Egjiptin në “betejën” e El-Sisit kundër Erdoganit, ndërhyri në Mali dhe Liban dhe u mundua të tregojë forcë edhe në Libi. Në të gjitha këto pika, Franca dështoi karshi Turqisë njëjtë sikur Macron që dështoi karshi Erdoganit.

Në anën tjetër, edhe SHBA-të herë-herë u treguan skeptik ndaj politikave turke. Megjithëqë raportet turko-amerikane kanë një histori bashkëpunimi të gjatë e të thellë, sidomos pas luftës së Koresë, Washingtoni zyrtarë disa herë kishte hidhëruar rëndë palën turke. Jo vetëm me rastin “Gylen”, por edhe shitblejrja e avionëve luftarakë F-35 ishin bërë mollë sherri midis dy vendeve. Përtej kësaj, presidenti Trump i vuri produkteve turke tarifa doganore të papërballueshme dhe dëmtoi ekonominë e Turqisë në dhjetëra miliarda dollarë.

Me gjithë këto qasje perëndimore ndaj Erdogan, Perëndimi është i vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm të Turqisë në rrjedhën e luftës në Ukrainë. Turqia po shndërrohet në një hambar i mallrave ruse, ukrainase dhe kaukaze. Aty do të deponohet nafta, gazi natyror, gruri e shumë produkte tjera dhe nga aty pastaj do të shiten në tregjet evropiane. Sadoqë SHBA-të kundërshtojnë ashpër brerjen e gazit rus nga ana e evropianëve, në Turqi veç kanë filluar përgatitjet për ndërtimin e “depove” më të mëdha në botë të gazit. Kanali i Stambollit është edhe një indikator më shumë i pozicionit të ri të Turqisë në arenën ndërkombëtare. Rrugët trans-kontinentale të transportimit të miliarda tonelatave mallra do të kalojnë nëpërmes tokave turke. Kufiri lindor i saj puçet me Armeninë, vend ky me predispozita ekstreme orthodokse. Në jug-lindje ka Republikën Islamike të Iranit që konsiderohet rrezik permanent për interesat perëndimore në Lindje, ndërsa në veri është Deti i Zi në brigjet e të cilit Turqia ka zbuluar rezerva të paimagjinueshme të Gazit. Gjithashtu, kah ana perëndimore Turqia ka në dorë grykat e Bsofroit dhe Dardaneleve ndërsa në jug-perëndim shtrihet kah ujërat e Mesdheut. Përtej kësaj, Turqia sot shihet si alternativa e vetme për zevendësimin e Kinës dhe Rusisë në tregjet botërore. Si e tillë që është, ajo do të jetë pjesëmarrëse serioze në ndryshimin e ri të raporteve dhe kostelacioneve midis kontinenteve dhe vendeve të fuqishme. Erdogan këtë e di shumë mirë dhe në këtë drejtim është duke e udhëhequr vendin e tij; Turqinë dhe popullin turk me një histori mijëravjeçare.

Njohja reale e Turqisë si dhe kuptimi i drejtë i presidentit të saj, sot është bërë nevojë kohe. Për aq sa Erdogan e di këtë rol e pozicion të vendit të tij, po aq edhe bota perëndimore ka filluar ta lexojë atë si duhet. Këtë rrugëtim të botës së re mund ta ndryshojë vetëm rastësia. E historia e njerëzimit na mëson se ngjarjet e mëdha kurrë nuk kanë ndodhur nga rastësia.

Kështu unë e njoh Turqinë dhe kështu e lexoj presidentin e saj. Si përfundim, kjo është lidhja ime me Turqinë e ky është raporti im me Erdoganin…!!