Lindita Nikolla përshëndet veprimtarinë “Shqipëria n’Kuvendim”: Bashkë me publikun dhe qytetarët mund të bëjmë gjithçka

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti në veprimtarinë “Shqipëria n’Kuvendim”, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetsim, në Hotel Tirana International.

Gjatë kësaj veprimtarie, rreth 120 qytetarë nga i gjithë vendi janë mbledhur së bashku për t’u bërë pjesë e ushtrimit të demokracisë debatuese “Shqipëria n’Kuvendim”.

Ky debat nxjerr në pah ndryshimet e perceptimeve të qytetarëve për çështje të zhvillimit të demokracisë dhe nxit debatin konstruktiv. Pjesëmarrësit, kryesisht të rinj, do të diskutojnë mbi çështje të ndryshme të tilla si pjesëmarrja e qytetarëve në sistsemin demokratik, mbikëqyrja parlamentare, demokracia e brendshme e partive politike, reforma e sistemit zgjedhor etj.

Në përshëndetjen e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vuri në dukje se “Pjesëmarrja e qytetarëve në procesin demokratik është thelbësore dhe jetike për sistemin demokratik. Për këtë arsye, në Kuvendin e Shqipërisë është duke u ngritur Punishtja e Demokracisë, si një qendër e kulturës dhe debatit demokratik të vajzave e djemve të rinj dhe përgatitjes së tyre për të kontribuar në sistemin demokratik.

Kuvendi i Shqipërisë është në sesionin e parë të legjislaturës së re. Një ndër risitë e kësaj legjislature, për të cilën unë dhe kolegët e mi parlamentarë jemi investuar fort është rritja e transparencës dhe e aksesit të publikut, qytetarëve dhe medias në jetën dhe veprimtarinë parlamentare. Bashkë me publikun dhe qytetarët mund të bëjmë gjithshka. Pa publikun dhe qytetarët, nuk mund të arrijmë asgjë.”.

Më poshtë fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, në ceremoninë e hapjes së veprimtarisë “Shqipëria n’Kuvendim”

Të nderuar organizatorë,
Të nderuar pjesëmarrës,

Ju falenderoj për ftesën dhe mundesinë që të bëhem pjesë e kësaj veprimtarie të bukur, por edhe të dobishme dhe edukuese të vlerave qytetare dhe denokratike.
Unë jam këtu jo vetëm se kjo veprimtari organizohet nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim, për të cilën falenderoj zotin Hroni, dhe mbështetet nga partnerë të respektuar të Kuvendit të Shqipërisë, si Instituti Kombëtar Demokrat Amerikan dhe Ambasada e Zvicrës. Ju përgezoj të gjithëve që jeni sot këtu.
Aktiviteti që nis sot dhe që ju e keni quajtur “Shqipëria n’kuvendim”, është një ushtrim demokracie.
Prandaj unë jam këtu edhe për një arsye tjetër: sepse e konsideroj këtë ushtrim edhe një agorà të demokracisë shqiptare, ku qindra vajza e djem do të kenë mundësinë të shprehin pikëpamjet, qëndrimet, shprehitë dhe argumentet dhe kundërargumentet e tyre, duke kontribuar në konsolidimin e kulturës demokratike në Shqipëri.

Kontributi i profesorëve, James Fishkin dhe Alice Sui, nga Qendra për Demokraci Deliberative e Universitetit prestigjioz të Stanford, i jep kësaj punishteje demokratike më shumë vlera teorike dhe dobi praktike.
Dhe meqë jemi në kontekstin e Silicon Valley, dëshiroj të nënvizoj se kjo veprimtari konsolidon një aspekt të rëndësishëm të Demokracisë, dimension të cilin një tjetër profesor i shquar i Stanford, Larry Diamond e ka quajtur: Pjesëmarrja aktive e njerëzve, si qytetarë në jetën politike dhe shoqërore.
Sadoqë është një koncept modern, demokracia deliberative i ka rrënjët në perceptimet e demokracisë prej mendimtarëve të hershëm politikë. Për shembull, forma ideale e demokracisë sokratike është kur të gjithë qytetarëve u krijohet mundësia të marrin pjesë në qeverisje.

Pra, demokracia është një sinergji midis procesit dhe produktit. Edhe pse Demokracia Deliberative krijon përshtypjen sikur mbivlerëson procesin, ky ushtrim i fuqishëm demokracie nuk mund të mos japë produktin e vet në formën e institucioneve demokratike të konsoliduara dhe qeverisjes së mirë.
Pjesëmarrja e qytetarëve në procesin demokratik është thelbësore dhe jetike për sistemin demokratik.
Për këtë arsye, në Kuvendin e Shqipërisë është duke u ngritur Punishtja e Demokracisë, si një qendër e kulturës dhe debatit demokratik të vajzave e djemve të rinj dhe përgatitjes, së tyre për të kontribuar në sistemin demokratik.

Sot bota po përjeton valën e tretë të fuqishme të demokratizimit. Ky proces është pa kthim.
Demokracia ka sot mjaft aleatë, kundërshtarë, pengesa apo edhe armiq.
Aleati më i fuqishëm i demokracisë janë qytetarët. Prandaj edhe nxitja e pjesëmarrjes së qytetarëve është jetike ëpr demokracinë.

Demokratizimi i jetës shoqërore dhe i vetë institucioneve demokratike po shoqërohet nga një dukuri paralele: demokratizimi i medias. Media e lirë dhe demokratike është gjithashtu një shtyllë e demokracisë dhe aleate e institucioneve demokratike.
Demokratizimi i teknologjisë është sa një avantazh, aq edhe një sfidë e procesit të demokratizimit. Prandaj unë do të këshilloja vajzat dhe djemtë e Shqipërisë, të apasionuar pas teknologjive dhe rrjeteve sociale, që, krahas lundrimit në botën e mrekullueshmë virtuale të internetit, të mos harrojnë se vendit, shoqërisë, demokracisë, madje edhe vetvetes, u shërbehet edhe duke bërë përditë gjëra e shërbime të vogla, por jetësore, në botën reale.
Siç përmenda, demokracia, ka edhe kundërshtarë, madje edhe armiq. Demokratizimi i dhunës është njëri prej tyre. Prandaj, mbrojtja nga dhuna, nga shkelja e të drejtave, sidomos e grupeve më nevojtarë e më të rrezikuar të popullsisë, nuk është vetëm një akt humanizmi, por edhe një akt demokracie.

Të nderuar miq,

Kuvendi i Shqipërisë është në sesionin e parë të legjislaturës së re. Një ndër risitë e kësaj legjislature, për të cilën unë dhe kolegët e mi parlamentarë jemi investuar fort është rritja e transparencës dhe e aksesit të publikut, qytetarëve dhe medias në jetën dhe veprimtarinë parlamentare. Bashkë me publikun dhe qytetarët mund të bëjmë gjithshka. Pa publikun dhe qytetarët, nuk mund të arrijmë asgjë.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë.