Make America Hate Again !  

Nga Redi Shehu

Herët, në Gushtin e vitit 1963, një det njerëzish me ngjyrë derdheshin rrugëve dhe bulevardeve të Washingtonit, për të luftur plagën e vjetër të urrejtjes racore që kishte rrënjë të forta brënda shoqërisë amerikane. Sakrifica e atyre njerëzve, i tejkaloi përmasat e një ngjarjeje të thjeshtë, ajo u shndërrua në momentin historik të evoluimit të vetëdijes së shoqërisë amerikane drejt të kuptuarit të tjetrit si një qënie njerëzore e cila mbart me vete të transhenduar vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Por, pas kaq kohe shpresash për një shoqëri post-raciste, ëndrra e Martin Luter King-ut për një komb pa urrejtje, fatkeqësisht po ngelet përsëri një ëndërr. Ajo çfarë po ndodh në të gjithë SHBA-në, është përsëritja e dhunshme e 1963-shit, tashmë jo në një marshim paqësor por e ekspozuar si një revoltë ku kaosi dhe dhuna janë kthyer në mjetet e vetme të komunikimit të turmave me institucionet. Ajo çfarë po ndodh në SHBA është vazhdim i revoltës, e cila në formë të përhershme pluskon në vetëditjen e qytetarëve amerikanë.

Në vitin 2014, kur President ishte Obama, i përmendur në mediat e asaj kohe si “Njeriu i zi në Shtëpinë e Bardhë”, një protestë gjigante e quajtur “Black Live Matters”, u shtri në të gjithë territorin federal të Amerikës. Protesta e asaj kohe nuk ndryshonte pothuaj asgjë me protestat e sotme. Sot, i vetmi ndryshim kohor pas gjashtë vitesh është se në zyrën ovale ndodhet një “Njeri biond në Shtëpinë e Bardhë”. Donald Trump përveç se u konfirmua si Presidenti i 45-të i Sh.B.A-ve, në të njëjtën kohë konfirmoi shterimin e shpresës për një shoqëri post-raciste amerikane. Kjo për faktin se në qëndër të të gjithë fushatës së tij, racizmi, ksenofobia, islamofobia, seksizmi dhe shumë prapësia të tjera sociale, morën për të parën herë statusin publik dhe politik në zemrën e shoqërisë komplekse dhe kontradiktore amerikane.
“Black Lives Matters”, ushton përsëri edhe më fuqishëm sot në 2020-tën, për të treguar se racizmi nuk është tejkaluar. Fitorja e një presidenti me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë, tregoi se nuk ishte zgjidhje e problemit në thelb,por thjesht një makiazh për të mbuluar rrudhat në fytyrën e lodhur amerikane nga racizmi shekullor. Një shoqëri e lodhur nga trauma e pandemisë Covid -19, e cila e goditi rëndë atë, shpërthen rrugëve të qyteteve, duke bërtitur me sa fuqi që ka, “I can’t breathe”, fjalët e fundit të George Floyd, nje njeri me ngjyrë, para se të mbytej mizorisht nga një efektiv i bardhë i forcave të policisë në Minneapolis në Minnesota. Nëse në presidencën e Bush pas ngjarjeve të 11 Shtatorit ne pamë që artikulimi i tij lidhur me ngjarjen u përqëndrua në akuzën kundër boshtit të së keqes i cili shtrihej jashtë SH.B.A-ve, në rastin e Trump, me ligjërimet e tija politike gati në kufijtë e paligjshmërisë, tashmë boshti i të keqes shihet brenda SH.B.A-ve i materializuar në “tjetrin” bazuar në ndryshimet racore, fetare, dhe kulturore. I gjithë ky proçes, e transformoi sloganin e tij për një Amerikë të madhe përsëri, në një Amerikë që urren përsëri.
Në përgjithësi, gjatë një fatkeqësie natyrore, një shoqëri ndjehet më e bashkuar duke sheshuar ndasitë dhe konfliktet sociale që ajo mund të ketë brënda saj. Por, në fakt, Covid-19 shërbeu për të ekspozuar çarjen e thellë racore brënda shoqërisë amerikane, dhe jo vetmë e ekspozoi atë, por shkaktoi pasoja më të rënda për komunitetet me ngjyrë atje. “The Washington Post”, boton një studim të bërë kohët e fundit me temë:” Covid-19, pabarazitë racore në qarqet e Sh.B.A-ve”. Në bazë të të dhënave të mbledhura nga ky studim në mesin e muajit Prill , del se megjithëse prefekturat me maxhorancë të njerëzve me ngjyrë përbëjnë 22% të të gjitha prefekturave amerikane, këta të fundit përbënin 52% të të gjitha rasteve me coronavirus për të të gjithë SH.B.A-në, si dhe 58% të të gjitha vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 në të gjithë vendin. Këto të dhëna ekspozojnë më së miri faktin se mundësia për shërbimin shëndetësor në Amerikë, vazhdon të jetë e selektuar. Gjithashtu edhe natyra e punësimit të njerëzve me ngjyrë i ekspozon ato më shumë ndaj pandemisë. Në një farë mënyre, koronavirusi, papunësia, kriminaliteti, padrejtësia sociale në ofrimin e shërbimeve tek njerëzit me ngjyrë, nuk u kthyen në kauzat e përbashkëta për të solidarizuar njerëzit, por ndikuan në thellimin e ndarjeve racore në shoqërinë amerikane.

Dikur nën sloganin “Make Amerika Great Again!”, sot me fragmentarizimin dhe polarizimn e shoqërisë amerikane, me diskriminimet në shëndetësi, emigracion, me politikat ndaj Evropës dhe Natos, me trampizimin e Lindjes së Mesme dhe Jeruzalemit, ai jo vetëm që nuk e ka bërë Amerikën të madhe përsëri, por thjesht e ka bërë më raciste. Dikur gazetari i “Al Jazeeras Mehdi Hasan”, shkruante për kabinetin Trump, se kjo është qeveria me njerëzit më të pasur, më të bardhë dhe më mashkullorë se pjesa më e madhe e kabineteve në histori, e cila nuk ka analogji dhe përmbledh në një person të vetëm si Trump, cilësitë më negative të disa prej presidentëve amerikanë të cilat e bëjnë Niksonin të duket i ndershëm, Klintonin të duket i papërlyer dhe Bushin të duket i mprehtë.

Prandaj Trump sot është përsëritje fatkeqe e racizmit amerikan, i cili është përballur në momente të ndryshme, që nga kryengritjet e Los Angjelosit në 1992, në Ferguson, Missouri, Charlotteswille, North Carolina etj. Dhuna ndaj njerëzve me ngjyrë nuk është thjesht një ngjarje, një aksident historik në përditshmërinë amerikane. Sot, ajo është kthyer në një sistem të fshehur i cili jehon nga shekujt. Megjithatë, njerëzve me ngjyrë , historia u ka mësuar se në raste të tilla kur të drejtat e tyre shkelen kaq hapur, nuk ka rrugë tjetër për t’i fituar ato vetëm se përmes kryengritjes civile. Është pikërisht tani që kabineti Trump duhet të vendosë së çfarë rruge do ndjekë dhe për çfarë vlerash lufton. Të paktën në këto kohë të turbullta për SH.B.A-të, ata duhet të lexojnë përditë Deklaratën e Pavavarësisë e cila thotë :”Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, ato janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, ku në mesin e tyre janë jeta, liria dhe ndjekja e lumturisë.”