Marrëveshja e Washingtonit: “Trump, Kosovën dhe Serbinë i ka përfshirë në koalicion pro-amerikan”

"Marrëveshja e Washingtonit mund të jetë një frymë në shpinën e marrëveshjes së procesit të Brukselit", thonë njohësit e rrethanave politike në Kosovë

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se Marrëveshja e Washingtonit e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, megjithëse e tejkaloi temën e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve të Ballkanit, afirmon Kosovën si një partner të barabartë dhe lëviz Serbinë në drejtim të perëndimit.

Profesori i Fakultetit të Filologjisë në universitetin publik në Prishtinë dhe analisti politik Milazim Krasniqi beson se marrëveshja është shumë e rëndësishme veçmas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të cilat kthehen “si një lloj arbitri në Ballkanin Perëndimor, sepse një kohë të gjatë kanë qenë më pasivë”.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Krasniqi thotë se marrëveshja e 4 shtatorit është e rëndësishme për Kosovën sepse ajo ishte e bllokuar dhe e izoluar për një kohë të gjatë, dhe në një mënyrë edhe e injoruar nga Bashkimi Evropian (BE), që për paradoks edhe shtetet anëtare të BE-së që e njohin Kosovën si shtet, në procesin e Brukselit e trajtojnë atë si entitet dhe jo si shtet.

Sa i përket Serbisë, Krasniqi vlerëson se rëndësia e marrëveshjes është në aspektin gjeopolitik, për shkak të afërsisë së Serbisë me Rusinë dhe Kinën, ndërsa marrëveshja i ka ndihmuar që të zhvendoset pak më pro perëndimit.

Profesori universitar vëren se në Marrëveshjen e Washingtonit ka elemente ekonomike, por më shumë se ato, ka elemente gjeopolitike dhe gjeostrategjike që janë në interes të SHBA-së dhe jo të Kosovës dhe as Serbisë. Ai shpjegon se pjesë të marrëveshjes, të cilat, ndër të tjera, i referohen Izraelit, Hezbollahut, rrjetit 5G dhe komunitetit LGBT, kanë për qëllim nevojat ekskluzive të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në fushatën e tij dhe demonstrimin e interesave amerikane si një fuqi globale.

“E çuditshme është për Serbinë se si ka pranuar se Kosova është satelit amerikan. Kosova mbijeton vetëm falë sponsorizimit nga SHBA-ja dhe nuk ka hapësirë manovruese të refuzojë. Sinqerisht, edhe unë kam mbetur i çuditur nga gatishmëria e Serbisë që të dërgojë ambasadë në Jerusalem (Kuds), të deklarohet kundër teknologjisë kineze Huawei. Këto janë vendime që do ta ashpërsojnë qëndrimin e vendeve arabe ose myslimane ndaj Serbisë dhe ndaj Kosovës, sikundër që mund të ketë edhe irritim edhe nga Kina në raport me Serbinë. Por pa dyshim që ka irritim edhe të Rusisë, sepse tashmë veç ka pasur reagime në drejtim të Serbisë”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thekson se vendet arabe nuk është e drejtë të kërkojnë nga Kosova të mbrojë interesat e palestinezëve dhe Kudsit si kryeqytet të Palestinës, për shkak të statusit të saj si shtet ende i papërfunduar. Ndërkaq, sa i përket Turqisë, ai thotë se “është një shtet absolutisht mik i madh i Kosovës dhe e kuptoj frustrimin e tyre”, por shton se është i bindur që Turqia e kupton qartë pozitën e Kosovës si një shtet të cilit mbijetesa i varet nga SHBA-ja, ashtu që “një gjë e tillë nuk shpreh vullnetin e popullit të Kosovës, por pragmatizëm të elitave politike”.

“Trump, Kosovën dhe Serbinë i ka përfshirë në koalicion pro-amerikan”

Politikologu Ognjen Gogiç, pjesë e organizatës joqeveritare “Aktiv”, e cila merret me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, thotë se asnjë marrëveshje e rëndësishme politike e paqes në Ballkan që nga vitet e 90-ta nuk është nënshkruar pa ndikimin vendimtar të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, asnjë marrëveshje e përgatitur deri më tani nga asnjë administratë amerikane nuk ka shkuar përtej një temë si ajo në Washington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, vëren Gogiç.

“Në ato pika të marrëveshjes që i referohen raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Trump në fakt Kosovën dhe Serbinë i ka përfshirë në koalicion pro-amerikan, të ndërlidhur me tri ‘luftëra’ të mëdha diplomatike që ai i udhëheq. Njëra është lufta globale për fuqizimin e pozitës së Izraelit, e dyta është lufta globale kinezo-amerikane rreth teknologjisë dhe zhvillimit të rrjetit 5G dhe e treta është lufta globale rreth gazit rus. Realisht, Kosovën e Serbinë ai i ka vendosur në anën e tij në të tri këto konflikte”, thotë Gogiç.

Sipas Gogiç, çështja e rrjetit 5G është e diskutueshme, sepse është një konflikt midis Amerikës dhe Kinës dhe Trump po u bën presion partnerëve të tij evropianë për të pezulluar bashkëpunimin me Huawei-n kinez.

“E pakta që mund të ndodhë është që Kosova dhe Serbia do të vëzhgohen nga ana e Brukselit me vëmendje të madhe. BE-ja nuk e ka përshëndetur marrëveshjen, nuk kishte reagime, gjë që flet për atë se nuk prisnin sa larg mund të shkojë kjo dhe në fakt të gjitha pikat që i referohen raporteve mes Kosovës dhe Serbisë paraqesin pika të ndarjes mes BE-së dhe Washingtonit. Kosova si kandidat potencial dhe Serbia si kandidat për anëtarësim në BE e dinë që duhet të përshtatin politikën e tyre me BE-në, e jo t’ia ngulin thikë pas shpine”, thekson Gogiç.

“Kosova nuk ka fuqi as ushtarake, as ekonomike që ta rikthejë administrimin e Liqenit të Ujmanit (Gazivodës)”

Sa i përket pjesës së marrëveshjes së Washingtonit që i referohet statusit të Liqenit të Ujmanit (Gazivodës), Krasniqi shpjegon se liqeni do të monitorohet nga Agjencia Amerikane e Energjisë, e cila do të bëjë një studim të fizibilitetit dhe pastaj do të vendosë se si do të ndahet përdorimi i ujit nga ai liqen.

“Kosova nuk ka pasur çare pa u pajtuar, për një arsye. Sepse, Liqenin e Ujmanit de facto e administrojnë autoritetet serbe dhe Kosova nuk ka fuqi as ushtarake as ekonomike që ta rikthejë dhe është dashur një proces i tillë i arbitrimit për ta ditur se ku do të mbetet. Ky është edhe një problem real, sepse rreth 20 për qind të Liqenit të Ujmanit është në territorin e Serbisë”, theksoi ai.

Gogiç gjithashtu thotë se deri më tani situata në Ujman ka qenë në favor të Serbisë, e cila administron shumicën e burimeve të këtij liqeni artificial i cili gjendet në komunën e Zubin Potokut. Ndërkaq, beson se me marrëveshjen në Washington, sipas të cilës “do të bëhet studim fizibiliteti për ndarjen e tij”, Kosova ka relativizuar ndarjen e burimeve të këtij liqeni duke blerë kohë deri në vendimin përfundimtar për menaxhimin e këtij aseti.

Mini-Schengeni, pika më e mirë e marrëveshjes

Politikologu Gogic vlerëson se ndoshta pika më e mirë e Marrëveshjes së Washingtonit është ajo për Mini-Schengenin dhe se, sipas tij, nuk është e qartë pse Kosova e refuzoi fillimisht atë kur ky koncept është plotësues i Procesit të Berlinit, pjesë e të cilit është Kosova, si dhe pjesë e procesit të integrimit evropian.

“Unë nuk shoh çfarë është aty në kundërshtim me interesat e Kosovës, e madje Kosova do të mund ta konsideronte këtë si njohje nga Serbia. Nuk e di çfarë mund të humb Kosova, por mendoj se është me rëndësi që Kosova të përfshihet kur kjo ide të zhvillohet. Sepse, nëse paraqiteni kur gjithçka të ketë marrë fund, atëherë e pranoni atë çfarë të tjerët u morën vesh”, shton Gogiç.

Për marrëveshjen në fjalë e cila do ta përfshijë Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, SHBA-ja dëshiron, sipas profesorit Krasniqi, ta përdorë këtë për të zgjidhur problemet gjeopolitike dhe kombëtare në Ballkanin Perëndimor.

“Pra (SHBA), do të kenë ndikim direkt në Shqipëri, Serbi, Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe shtetet e tjera të cilat i bashkohen, Bosnjë e Hercegovinë, fjala vjen. Dhe, e dyta, si duket po mendohet që përmes Mini-schengenit të relaksohen marrëdhëniet serbo-shqiptare dhe në njëfarë mënyre të zgjidhet çështja shqiptare dhe çështja serbe duke qenë brenda një asociacioni, ta zëmë, Kosova dhe Shqipëria në njërën anë dhe Serbia e Bosnja në anën tjetër; pra, duke krijuar një kornizë më të madhe brenda të cilës mund të akomodohen interesat e këtyre dy kombeve të cilat kanë bërë luftë mes vete dhe të cilat realisht nuk e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare në pajtim me projektet e tyre nacionale”, shtoi Krasniqi.

“Marrëveshja e Washingtonit është frymë në shpinë për procesin e marrëveshjes së Brukselit”

Profesori Krasniqi gjithashtu thekson se Marrëveshja e Washingtonit mund të jetë një “frymë në shpinën e marrëveshjes së procesit të Brukselit” dhe Brukseli duhet të kuptojë që kjo marrëveshje e afirmon Kosovën si partner të barabartë dhe duhet të trajtohet si i tillë, “sepse përndryshe një marrëveshje e mundshme nuk do të jetë e vlefshme, ngase do të prodhonte pakënaqësi dhe do të kishte riciklim të konfliktit”.

Ai shton se BE-ja duhet të përdorë gjithashtu momentin, ngase marrëveshja në Washington në një farë mënyre e përjashtoi nga loja Rusinë dhe krijoi shumë më shumë hapësirë për Brukselin për të finalizuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative midis Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi konkludon se njohja e ndërsjellë do të ishte më e mira, por nëse jo njohja, atëherë duhet të arrihet një marrëveshje që i hap rrugë Serbisë për integrim evropian dhe Kosovës për pranim në organizata ndërkombëtare dhe integrim evropian “në mënyrë që të relaksohej i gjithë Ballkani Perëndimor”.