“Mavi Marmara arriti një mision të suksesshëm, i tregoi botës tragjedinë në Gaza”

Me rastin e dhjetëvjetorit të sulmit ndaj flotës humanitare drejt Rripit të Gazës, presidenti i Shoqatës së Lirisë dhe Solidaritetit "Mavi Marmara", İsmail Yılmaz, tha se misioni arriti të shfaqë fytyrën e vërtetë të Izraelit

Anija “Mavi Marmara”, e cila u nis nga Stambolli dhjetë vjet më parë, përmbushi misionin e saj për t’i treguar botës dramën që ndodh në Rripin e bllokuar të Gazës dhe Palestinë, tha në një prononcim për Anadolu Agency (AA) me rastin e dhjetëvjetorit të sulmit të forcave izraelite ndaj Mavi Marmarasë, Yılmaz kujtoi se Mavi Marmara lundroi më 31 maj 2010 me njerëz nga 36 vende të besimeve të ndryshme.

Ai tha se anija u sulmua nga trupat izraelite në ujërat ndërkombëtarë.

“Ne po lundronim në mënyrë që të mundësonim të dëgjohej zëri i të shtypurve. Edhe ne na bënë të përjetojmë diç të ngjashme me problemet me të cilat palestinezët përballen gati 100 vjet, dhe bota e pa këtë drejtpërdrejt. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Padrejtësitë që ata i kanë kryer deri më tani ia kanë treguar botës në mënyra të ndryshme, por pas incidentit Mavi Marmara, maskat e rreme ranë nga fytyrat e tyre”, shprehet Yılmaz.

Yılmaz gjithashtu vuri në dukje se ndihma e transportuar përmes Mavi Marmarasë ishte simbolike dhe se qëllimi kryesor i Flotës së Lirisë ishte thyerja e embargos në Gaza dhe që bota t’i shihte veprimet e padrejta dhe të paligjshme të Izraelit.

“Nëse njerëzit nuk mund të blejnë atë që dëshirojnë, nëse privohen nga e drejta për të udhëtuar dhe nëse njerëz vdesin sepse nuk mund të blejnë as ilaçet më të thjeshta, këtu ka një problem humanitar. Sot, shtëpitë palestineze merren me forcë. Numri i palestinezëve të dëbuar jashtë vendit është më i lartë se numri i palestinezëve që jetojnë në Palestinë. Kjo është dëshmi e dokumentuar e përndjekjes që nuk është parë kurrë më parë në botë. Qëllimi kryesor i udhëtimit ishte që bota të dëgjonte për persekutimin ndaj palestinezëve. Ne e arritëm këtë. Kishte rezultate të mira. Pas këtij udhëtimi, Palestina mori statusin e vëzhguesit në Kombet e Bashkuara”, thekson Yılmaz.

Mavi Marmara, shton më tej ai, solli përfitime të shumta, e ndër to ishte “rikrijimi i urave të vëllazërisë në rajon”.

Megjithëse pjesëmarrësit në këtë udhëtim arritën ta shfaqin fytyrën e vërtetë të Izraelit, problemet në Rripin e Gazës fatkeqësisht ende vazhdojnë, tha Yılmaz.

“Ne, si persona që morëm pjesë në këtë udhëtim, falënderojmë njerëzit që nuk i lënë vetëm palestinezët dhe luftojnë për çlirimin e Mesxhid al-Aksasë dhe Palestinës. Populli turk qëndron prapa të shtypurve dhe ne besojmë se edhe me kontributin e Turqisë, do të ketë përsëri ditë të mira në botë”, thotë Yılmaz.

Ai shtoi se aktivitetet e planifikuara me rastin e dhjetëvjetorit të sulmit ndaj Mavi Marmarasë nga trupat izraelite nuk do të mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit, por tha se do të ketë programe të transmetuara drejtpërdrejt dhe postime në rrjetet sociale.