Mbledhje e qeverisë Shqipëri-Kosovë/ Përgatiten dy vendime për mbledhjen e së premtes që mbahet në Elbasan

Mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë këtë të premte në Elbasan, qeveria shqiptare i parapriu me dy vendimi.

I pari për thjeshtësimin e leje të qëndrimit në Shqipëri dhe Kosove.

“Sot miratuam një nga marrëveshjet që do nënshkruajmë ditën e premte, në mbledhjen midis qeverisë të Kosovës dhe Shqipërisë, që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë, është një lajm i mirë për shtetasit e Kosovës, që do të marrin thjesht me një aplikim dhe pa dokumente menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri, brenda do të jetë edhe leja e punës. Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi në Kosovë për të qëndruar atje me procedura më të lehtësuar që janë sot. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, u shpreh Çuçi.

Një tjetër vendim lidhet edhe me njohjen e ndërsjelltë të sigurimeve shoqërore.

Delina Ibrahimaj: Ministria e Financave dhe Ekonomisë prezantoi sot një marrëveshje e cila pritet të nënshkruhet ditën e premte në mbledhjen e përbashkët të qeverive. Marrëveshja ka të bëjë me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë dhe konkretisht është marrëveshja për njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshja është shumë e rëndësishme për të siguruar një trajtim të barabartë të të gjithë të punësuarve, punëmarrësve, të vetëpunësuarve, të cilëve konkretisht do t’i njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve në të dyja vendet. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët jetojnë në Kosovë do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrë lindje, për aksidentet në punë dhe nga pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensioneve familjare në të dyja vendet. Kjo është një marrëveshje që nga qeveria shqiptare është lidhur dhe me shumë vende të tjera. Aktualisht janë 3100 shqiptarë që punojnë apo jetojnë në vende të tjera dhe përfitojnë nga mbrojtja sociale që sigurohet nga kjo marrëveshje.