NATO përgatitet për luftë

Ditët e fundit, përpjekjet e NATO-s dhe vendeve anëtare të saj për të kundërshtuar një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, janë përshpejtuar dhe intensifikuar.

Nga kërcënimet për vendosjen e sanksioneve ekonomike shumë të rënda për Rusinë tani është kaluar në diçka më serioze, angazhimin e trupave ushtarake. Megjithëse rruga diplomatike mbetet ende e hapur, situata në Ukrainë bëhet gjithnjë e më e tensionuar dhe akoma më e vështirë për t’u zgjidhur.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk duket i gatshëm për momentin të tërheqë 100 mijë trupat e grumbulluara në kufirin me Ukrainën dhe po në të njëjtën kohë NATO ka përjashtuar mundësinë për të kufizuar praninë e trupave të saj në Evropën Lindore, duke e konsideruar kërkesën e rusëve si të papranueshme.

Një nga shenjat më të rëndësishme të këtij angazhimi ushtarak erdhi nga njoftimi i qeverisë amerikane se kishte vënë në “gjendje gatishmërie” 8500 ushtarë, të cilët së shpejti do të vendoseshin në Evropën Lindore për të kundërshtuar agresionin rus.

Ky vendim u përshkrua nga Nju Jork Times si një “ndryshim i madh” për administratën Biden, e cila deri më tani ka mbajtur një qëndrim shumë të kujdesshëm për krizën ukrainase me qëllim shmangien e provokimeve të qeverisë ruse.

“Gjendje e gatishmërisë” do të thotë që në rast nevoje 8500 ushtarët mund të transferohen dhe aktivizohen shumë shpejt. Disa nga këta ushtarë mund të dërgohen në vendet e NATO-s në Evropën Lindore, si Polonia dhe Rumania, ku kërkohen njësi ushtarake me funksione dhe aftësi specifike, pala tjetër, shumica e trupave, mund të forcojë Forcën e Reagimit të NATO-s (NRF), një forcë kjo shumëkombëshe e NATO-s që përbëhet nga 40.000 ushtarë dhe që është në gatishmëri në rast emergjence.

Ky është një detaj i rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara, duan të tregojnë se nuk duan të veprojnë në mënyrë të njëanshmë kundër Rusisë, por që do t’i përgjigjen së bashku me aleatët e saj.

Presidenti amerikan foli të hënën në një video-konferencë me disa liderë evropianë, duke njoftuar në fund të takimit një “unanimitet të plotë” me aleatët e tij. Në takim morën pjesë  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri italian Mario Draghi, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda dhe kryeministri britanik, Boris Johnson.