Ndërpriten marrëdhëniet tregtare Kosovë-Serbi

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që asnjë maune nga Serbia të mos hyjë në Kosovë nëse në dokumentet e saj nuk shkruan Republika e Kosovës.

Pesëmbëdhjetë kamionë me mallra nga Serbia nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës, për shkak të zbatimit të vendimit të fundit të qeverisë në detyrë të Republikës se Kosovës për ashpërsimin e masave për reciprocitet me këtë shtet.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që asnjë maune nga Serbia të mos hyjë në Kosovë nëse në dokumentet e saj nuk shkruan Republika e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të dielën ka shkruar në Facebook se “edhe emri “Kosovë” është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit “Republika e Serbisë”. Ne i kundërvihemi me masë reciproke”, ka shkruar Kurti.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, për Radion Evropa e Lirë, tha se deri tani u kthyen 11 maune, të gjitha kthimet “kanë të bëjnë me aplikimin e masave te reciprocitetit sipas pikës 1 respektivisht 1.1 dhe 1.3 dhe gjithashtu edhe pikës 3 te vendimit te qeverisë”, thotë ai.

Pika tre, nënkupton që operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyjnë në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

Në Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ndërkaq thonë se rreth 20 kompani serbe deri më tani kanë kërkuar leje nga kjo zyre për eksportin e mallrave në Kosovë sipas rregullave të reja tregtare të miratuara të shtunën më 30 maj.

Qeveria në detyrë e Kosovës, më 28 maj, ka vendosur masa tregtare shtesë për Serbinë, duke ndaluar përdorimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale me “emra vendesh që përmbajnë elemente që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që përmbajnë elemente që mohojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.”