Në Shqipëri burrat paguhen 10% më shumë se gratë

Analiza gjinore mbi shkallën e papunësisë sipas qarqeve tregon se qarku me hendekun më të lartë të papunësisë mes femrave dhe meshkujve është qarku i Vlorës

Çështjet gjinore dhe pabarazia ndërmjet grave dhe burrave shihet si problematike dhe si një teme mjaft e diskutueshme në vendin tonë. Po si qëndrojnë këto raporte? Sa të thelluara janë ato?

Sipas shifrave të INSTAT mbi hendekun e pagës për vitin 2019, burrat paguhen mbi 10% më shumë se gratë në rang kombëtar. Ajo që tërheq vëmendjen është se paga më e lartë vihet re në profesionin e “Drejtues administrativë dhë komercialë” dhe në këtë profesion janë femrat ato që kanë pagën më të lartë me një shifër prej 170 083 lekë me një hendek 18.7% dhe gjithashtu në profesionin “Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë” me një hendek po 18.7%.

Në profesionet e tjera qëndrojnë burrat në krye me pagën më të lartë. Sipas shifrave të INSTAT-it, hendeku në paga është më i lartë është në industrinë nxjerrëse, aktivitete financiare dhe në fushën e fizikës, matematikës dhe inxhinierisë, pasi gratë kanë dhe akses më të ulët. Në këto kushte mund të themi se diferencat në pagë mund të mos i atribohen gjinisë.

Analiza gjinore mbi shkallën e papunësisë sipas qarqeve tregon se qarku me hendekun më të lartë të papunësisë mes femrave dhe meshkujve është qarku i Vlorës ku shkalla e papunësisë për femrat është 18.8% ndërsa për meshkujt është 12.1%. Qarqet që kanë një raport më të lartë të papunësisë për meshkujt sesa për femrat janë qarqet e Beratit, Dibrës dhe Fierit. Ndërsa qarku I Lezhes ka shkallën e njejtë të papunësisë për të dyja gjinitë me 17.7%.